Lulzim Basha i bën thirrjen e fortë SPAK-ut: Justifikoni besimin e shqiptarëve

by admin
Spread the love

Kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri apel Prokurorisë së Posaçme që të vendosë përpara drejtësisë të gjithë zyrtarët e përfshirë në aferën korruptive të inceneratorëve. Gjatë një fjalimi nga Lushnja, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, Indrit Sefa, Basha kërkoi nga SPAK që të ndëshkohen nga i pari tek i fundit, të gjithë zyrtarët e përfshirë në vjedhjen e 430 milionë eurove.

“Ne Partia Demokratike do t’i ofrojmë Shqipërisë një model të ri qeverisjeje. Këto nuk janë fjalë, këto janë vepra. Kjo fillon nga përfaqësimi, me të rinj që nuk e shohin politikën si mjet për tu pasuruar por si mundësi për të bërë punë.

Ata që kanë 30-vjet që e shohin pushtetin si një pronë të tyre e kanë të pamundur të hapin rrugë. Ndaj nuk është një betejë e lehtë. Kërkohet një bashkim i atyre që duhet ndryshim.

Nuk është betejë e lehtë por nuk ka rrugë tjetër. Le t’i japim këtë mundësi njerëzve, të rinjve dhe të rejave që ta shohin jetën e tyre këtu dhe jo përtej detit. Le ta bëjmë këtë duke i dhënë mundësinë më të aftëve. Për këtë na duhen njerëz me guxim dhe të ditur, si Indrit Sefa.

Luftëtar kundër korrupsionit, ky është modeli. Këtë po i ofrojmë sot shqiptarëve. Një model larg baltës, por i bazuar në fakte dhe të vërteta.

E patë se çfarë ndodhi me inceneratorët. Lushnja e mban mend se u mbyt nga tymi këtë verë, njësoj si Fier, Shijaku, Durrësi dhe Kavaja. 6 vite denoncime , përballje dhe tani shikoni si u faktua vjedhja e shekullit 430 milionë euro, para të shqiptarëve, para të lushnjarëve është në dorën e SPAK-ut të justifikojë besimin e shqiptarëve duke çuar përpara drejtësisë nga i pari te i fundit, nga bishti te koka ata që kanë abuzuar me paratë publike.”, tha Basha.

You may also like