Luftë apo nënshtrim i Serbisë ndaj Perëndimit

by admin
Spread the love
Nexhmedin Spahiu

Do të ishte naivitet nga ana e Perëndimit që në këtë kohë, kur Rusia ndodhet “me brekë nëpër këmbë” me luftën në Ukrainë, të mos e shkëpusë Serbinë nga kthetrat e Rusisë. Një oazë brenda territorit që e kontrollon Perëndimi gjithmonë është një vatër potenciale problemesh.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Shikojeni hartën politike të Europës dhe do të vëreni se e gjithë Europa, nga Baltiku deri në Ballkan e nga Atlantiku deri te kufijtë e Rusisë e Bjellorusisë, ndodhet në orbitën politike të Perëndimit. I vetmi përjashtim në hartën e Europës është Serbia, politika e së cilës ngelet ajo që ka qenë që nga draftimi i Naçertanies më 1844 nga Ilija Garashanin (1812-1874), në atë kohë ministër i Brendshëm i Serbisë e më vonë ministër i Jashtëm dhe kryeministër i Serbisë. Politika e Serbisë, sipas këtij programi kombëtar, konsiston që Serbia të ketë marrëdhënie vëllazërore me Rusinë dhe marrëdhënie të ngushta me Perëndimin. “Duke pasur marrëdhënie vëllazërore me Rusinë, Anglia e Franca do të na respektojnë më tepër dhe duke pasur marrëdhënie të ngushta me Anglinë dhe Francën, Rusia si vëllai i madh nuk do të jetë në pozitë të sakrifikojë interesat tona për interesa të saj.” – shkruan Garashanini. Dhe, Serbia, kur më shumë e kur më pak, gjithmonë i është përmbajtur kësaj politike. Ironikisht, më së miri dhe me suksesin më të madh atëherë kur shtetin serb (Jugosllavinë) e udhëhoqi kroati Tito.

Por, përfundimi i Luftës së Ftohtë bëri që kufiri mes Lindjes e Perëndimit të mos jetë shteti serb (Jugosllavia), po shumë më në thellësi – përtej vendeve baltike, Ukrainës e Gjeorgjisë. Shteti serb (Jugosllavia) ngeli një oazë në mesin e vendeve të dominuara nga Perëndimi që po vazhdonte të bënte politikën mes Lindjes e Perëndimit. Perëndimi filloi shkërmoqjen e këtij shteti: ia mori Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën e Maqedoninë e Veriut dhe, së fundi, edhe Kosovën e Malin e Zi.

Gjatë bisedimeve në Rambuje (Rambouillet) të Francës, amerikanët përmes marrëveshjes për Kosovën u munduan të siguronin praninë e trupave të NATO-s në Serbi, por Sllobodan Millosheviqi nuk e hëngër karremin dhe kështu Serbia, pas masakrës së Reçakut, u bë pre e bombardimeve të NATO-s. Si përfundim i luftës u sigurua prezenca e trupave të NATO-s në Kosovë, por jo edhe në Serbi.

Ndërkohë në fundvitin 1999, në Rusi ndodhi ndryshimi i madh: u ngjit në pushtet Vlladimir Putini. Në dy dekadat vijuese ndeshjet Rusi-Amerikë ndodhën në disa shesh-beteja: Afganistan, Irak, Siri, Gjeorgji, Libi, Kazakistan etj. dhe në të gjitha këto ndeshje Amerika doli e humbur. Kjo e ngjalli oreksin e Rusisë drejt Europës. Pre e parë ishte Ukraina. Pikërisht aty ku pritej që Rusia të kryente punë për 3 ose 7 ditë doli arrë e fortë. Ukrainasit, që etnikisht janë rusë, madje rusët me traditën më të gjatë shtetërore, sepse shteti i parë mesjetar rus kishte për kryeqytet Kievin, e refuzuan projektin e Rusisë së Madhe, duke treguar lojalitet ndaj kombit të ri ukrainas të përkrahur nga Perëndimi.

Do të ishte naivitet nga ana e Perëndimit që në këtë kohë, kur Rusia ndodhet “me brekë nëpër këmbë” me luftën në Ukrainë, të mos e shkëpusë Serbinë nga kthetrat e Rusisë. Një oazë brenda territorit që e kontrollon Perëndimi gjithmonë është një vatër potenciale problemesh. Por, një shtet sovran me traditë 144 vjeçare, siç është Serbia, nuk mund të sulmohet thjesht pa ndonjë shkas. Për ta realizuar këtë duhet të futet në ndonjë kurth. Dhe, për kurth duhet karremi. E karremi për Serbinë është Kosova. Pra, Serbia nxitet që ta sulmojë Kosovën, që më pas NATO të ketë arsye ta sulmojë Beogradin.

Narrativi që po instalohet se Albin Kurti nuk po i dëgjon amerikanët i shërben pikërisht këtij kurthi. Madje, europianët shkuan edhe më tej – Borreli u vu tërësisht në anën e Aleksandar Vuçiqit, gjë që vetëm i forcon argumentet e këtij skenari.

Natyrisht, skenari do të ishte i thjeshtë: incidentet në veri të Kosovës njëri pas tjetrit nxisin njëri tjetrin, Perëndimi vazhdon ta akuzojë Albin Kurtin, por nuk ndërmerr masa ndaj tij ose merr masa që nuk e lëndojnë shumë dhe Serbia joshet vetvetiu të futet në luftë, vriten popullsi e pafajshme dhe ndonjë ndërkombëtar dhe më pas NATO i qet kushte të rënda Serbisë, të cilat nëse nuk i pranon ballafaqohet me sulme, derisa Perëndimi të vendosë kontroll të plotë mbi Serbinë. E gjithë kjo nëse Serbia nuk i dorëzohet Perëndimit pa luftë. Nëse Vuçiqi ka vendosur të dorëzohet pa luftë, atëherë këto ethe të luftës janë të rrejshme dhe janë në funksion të trembjes së qytetarëve serbë që kur të bëhen kompromiset të jenë të gëzuar që shpëtuan nga lufta dhe të mos akuzojnë liderin e tyre për kompromisin.

Çfarë duhet të ketë parasysh lidershipi politik i Kosovës?

Në rast se këto ethe të luftës janë të rrejshme, atëherë duhet mbajtur pazari lart dhe duhet të shfrytëzohet situata. Në këtë rast do të dilte se opozita dhe shumë opinionistë kosovarë po ia bëjnë argatin Serbisë, sepse po e ulin pazarin në dëm të Kosovës.

Në rast të luftës, Kosova duhet të organizojë mbrojtje sa më të mirë të mundshme. Sa më shumë që zgjatë rezistenca, aq më shumë i jepen argumente NATO-s për ta sulmuar Serbinë dhe, në anë tjetër, sa më e vakët që të jetë rezistenca aq më shumë do të ketë viktima. Në rast të rezistencës së vakët, NATO do të sulmojë tek pas masakrave, si ajo e Reçakut. Në rast rezistence të fortë, do të kemi edhe respekt më të madh në botë, respekt të cilin e ka fituar Ukraina me rezistencën e saj bravuroze. Një rezistencë e fortë do t’i forconte institucionet e Kosovës, pasi lufta do ta kthjellonte situatën se kush është patriot e kush tradhtar. Kjo gjë është infuzion për energjinë e kombit dhe fuqinë e institucioneve. Por, më e rëndësishme se pjesa e parë e luftës është pjesa e dytë e saj, ajo kur NATO të vërsulet në Beograd. Në këtë rast Kosova e ka mundësinë ideale që ta ushtrojë sovranitetin e plotë të saj në tërë territorin e saj nëse vepron me mend, por edhe ta humbë Veriun nëse vepron pa mend.

Veprim me mend do të ishte që të mbrohen enklavat serbe në jug të Kosovës nga plaçkitësit dhe hajdutet lokalë. Natyrisht, në rast lufte, pjesëtarë të këtyre enklavave mund të inkuadrohen në operacione lufte në anën e Serbisë, por ky nuk duhet të jetë arsyetim për t’u sulmuar enklavat ose për të mos u mbrojtur nga bandat lokale plaçkitëse. Forcat e rikuperuara të Kosovës, pasi NATO të nisë operacionet e saj në Serbi, duhet të koncentrohen në veri të Kosovës. Të shfrytëzohet zavali i Serbisë me NATO-n dhe të merret kontrolli i plotë në Veri.

Veprim pa mend i lidershipit politik të Kosovës do të ishte nëse bandat lokale të plaçkitësve të lejohen të futen në enklavat serbe në jug të Kosovës dhe kësisoj të ndodhë spastrimi etnik. Përfundimi i luftës do ta zinte Kosovën të turpëruar dhe do ta humbiste veriun e saj përgjithmonë, kjo sepse kur Amerika të “ulet këmbëkryq” në Beograd, për të nuk do të jetë e rëndësishme nëse veriu i Kosovës i përket Kosovës apo Serbisë. Pas këtij momenti, kosovarët nuk do të mund të llogarisin që Amerika të jetë në anën e Kosovës në konfliktet e ardhme (jo të armatosura) me Serbinë. Ajo do të sillej më me neutralitet e të mos them që Serbinë do ta shihte më me simpati. /shenja

You may also like