LONDËR – Truss paralajmëron Putinin për rrezikun e përdorimit të armëve kimike në Ukrainë

by admin
Spread the love

LONDËR, 10 mars /ATSH-DPA/- Vladimir Putin do të bënte një “gabim të rëndë” nëse do të përdorte armë kimike në sulmin e tij ndaj Ukrainës, deklaroi sot ministrja e Jashtme britanike Liz Truss.

Qeveritë perëndimore kanë frikë se lideri rus mund të përdorë armët e ndaluara pasi forcat ruse nuk po avancojnë në pushtimin e fqinjit të tij.

Reagimi i Truss erdhi pasi Britania e Madhe zgjeroi sanksionet e saj ndaj oligarkëve që konsiderohen të afërt me regjimin e Putinit, duke përfshirë pronarin e Chelsea, Roman Abramovich.

Britania e Madhe ka akuzuar tashmë qeverinë ruse për krime lufte, pas bombardimit të një materniteti në Mariupol.

“Ne absolutisht besojmë se po kryhen krime lufte”, tha Truss gjatë një vizite në SHBA.

Britania e Madhe dhe SHBA-ja kanë frikë se Rusia mund të shkojë më tej dhe të kryejë një sulm kimik, potencialisht nën maskën e një operacioni të fshehtë ushtarak (i kryer për t’u dukur sikur është ndërmarrë nga pala tjetër).

“Ne jemi shumë të shqetësuar për përdorimin e mundshëm të armëve kimike.Tani, sigurisht, ne e kemi parë Rusinë të përdorë këto armë më parë në zonat e konfliktit, por ky do të ishte një gabim i rëndë nga ana e Rusisë, duke shtuar gabimet e rënda që janë bërë tashmë nga Putini,” tha ministrja e Jashtme për CNN. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like