LONDËR – BM dërgon ekspertë ushtarakë në Bosnje-Hercegovinë për të kundërshtuar ndikimin rus

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

LONDËR, 1 korrik/ATSH-AA/- Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se specialistë ushtarakë të Britanisë së Madhe do të dërgohen në Bosnje-Hercegovinë për të përforcuar misionin e NATO-s dhe për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë në vend.

“Ne nuk mund të lejojmë që Ballkani Perëndimor të bëhet një tjetër shesh lojërash për synimet e dëmshme të Putinit”, tha Johnson në një deklaratë qeveritare.

“Kjo është arsyeja pse ne po rrisim mbështetjen për Bosnje-Hercegovinën, duke iu përgjigjur thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes”, tha ai.

Qeveria britanike tha se vendimi erdhi me kërkesë të selisë së NATO-s në Sarajevë pasi vendi po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial, ku udhëheqësit secesionistë po punojnë aktivisht për të krijuar ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.

“Këto plane mbështeten nga Moska si pjesë e përpjekjes së Putinit për të minuar integrimin euroatlantik të Bosnje-Hercegovinës dhe stabilitetin e saj”, thuhet në deklaratë.

Përveç kësaj, në deklaratë thuhet se Britania e Madhe do të sigurojë 750 000 funta për të krijuar një qendër ekselence të sigurisë kibernetike brenda Universitetit të Sarajevës.

Ndërkohë, në rrjetet sociale, Johnson tha se Londra po i përgjigjet thirrjes së Bosnje-Hercegovinës për të ndihmuar në ruajtjen e paqes.

“Rusia po nxit dhunën dhe secesionizmin në Bosnje-Hercegovinë për të minuar dhe destabilizuar rajonin. Ne po i përgjigjemi thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes së fituar me vështirësi”, tha Johnson.

Bosnje-Hercegovina aktualisht është e përfshirë në një konflikt politik midis boshnjakëve dhe serbëve. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like