Liverpool fiton FA Cup, mposht Chelsean pas ruletës së penalltive  

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Liverpool është fituesi i FA Cup pasi ka mposhtur me 11-metërsha Chelsea në një finale spektakolare. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 0-0, njësoj si minutat shtesë, dhe në ruletën e penalltive, gabimet e Azpilicueta dhe Mount peshuan shumë për ekipin e Tuchel. Ky është edhe trofeu i parë sezon për Klopp, ndërkohë që është në garë edhe për tre të tjerë.

Ndeshja nis menjëherë me një rritëm të lartë që në minutat e para me Liverpool që i afohet golit me Luis Diaz, por topi ndalet nga Mendy. Më pas provon Chelsea që merr për një moment kontrollin e ndeshjes dhe i afrohet golit fillimisht me Christian Pulisic dy herë, e më pas me Marcos Alonso.

Provon në fundin e pjesës së parë edhe Romelu Lukaku për të prishur ekuilibrat, por nuk gjen dot kuadratin. Kështu, ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes në barazim pa gola.

Është sërish Chelseea që e nis në sulm edhe pjesën e dytë dhe rrezikon portën fillimisht me Pulisic, e më pas me Alonso. Ky i fundit u ndal vetëm nga tranversa për të çuar topin në rrjetë.

Liverpool zgjohet dhe Trent Alexander-Arnold i jep një shans të artë Robertson për të shënuar, por sërish pa sukses. Nuk shfrytëzojnë për të kuqtë as Luis Diaz e Diogo Jota, ndërsa në kampin tjetër është sërish Pulisic që shpërdoron për “Blutë e Londrës”.

Në minutat e fundit të kohës së rregullt ndeshja ndizet edhe më shumë me Liverpool që nuk dëshiron ta çojë në shtesë këtë takim. Megjithatë, të besuarit e Klopp janë të pafat, pasi fillimisht Diaz e më pas Robertson u ndalën nga shtylla duke mos e shmangur dot kohën shtesë.

Nuk ka gola as në kohën shtesë me të dy ekipet që provojnë, por mungon fuqia për të finalizuar aksionin. Kështu, nevojitet ruleta e penalltive për të shpallur fituesin e trofeut më të vjetër në historinë e futbollit.

Nga pika e bardhë e 11-metërshave fati u buzëqeshi Liverpoolit që u treguan më të qartë duke fituar 6-5. Cesar Azpilicueta dhe Mason Mount ishin ata që shpërdoruan për Chelsea, ndërsa Sadio Mane gaboi penalltinë e pestë të Liverpool.

FA CUP – Finale
Chelsea – Liverpool 0-0 (5-6 pas penalltive)

Foto: Emirates FA Cup, Twitter

You may also like