LIVE: Reagimet pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

by admin
Spread the love

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mbrëmë arritën një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh në Ohër, pas rreth 12 orë diskutimesh, që u përcoll me pauza e me rikthime në tavolinën e diskutimit.

Krejt çka ndodhi dje në Ohër, deri tek arritja e marrëveshjes Kosovë – Serbi (VIDEO)

Marrëveshja e vonshme, duket se ishte e vonshme edhe për të pasur reagime, pasi që i vetmi që reagoi mbrëmë nga opozita, ishte lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Nga PDK e AAK ende nuk ka reagime.

Aktorë të tjerë nga vendi, rajoni dhe BE-ja kanë shfaqur reagimet e tyre sot, të cilat mund t’i shihni më poshtë.


Begaj për Ohrin: Një garanci më shumë për paqen dhe të ardhmen e rajonit në BE

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë të arritur të shtunën në Ohër.

“Përshëndes arritjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut të dakordësimit publik mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimit për të zbatuar marrëveshjen bazë dhe të aneksit përkatës”.

“Ky dakordësim është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian. Besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët”.

“Falenderoj Bashkimin Evropian për ndërmjetësimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e fuqishme”, shkroi ai në Facebook, transmeton Klankosova.tv


Bildt mirëpret Marrëveshjen e Ohrit, thotë të mos harrohen mësimet e marra nga ajo e 2013-ës

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka uruar Kosovën, Serbinë dhe BE-në për arritjen e marrëveshjes të shtunën në Ohër.

“Urime Miroslav Lajçakut dhe Josep Borrellit për arritje të kësaj marrëveshje, pas viteve diplomaci të durueshme. Koordinimi me ShBA-në po ashtu ka qenë i rëndësishëm. Por, më kryesore urime Kosovës dhe Serbisë për një hap të rëndësishëm drejt të ardhmeve të tyre”, ka shkruar Bildt në Tëitter.

Ai shtoi se zbatimi i marrëveshjes do të kërkojë monitorin dhe menaxhim shumë të ngushtë në vitet në vijim.

Bildt theksoi se mësimet e marrëveshjes së vitit 2013 nuk do të harrohen dhe se ka paqartësi që kërkojnë vigjilencë.

“Zbatimi i marrëveshjes do të kërkojë monitorim dhe menaxhim shumë të ngushtë në vitet në vijim. Mësimet e marrëveshjes së 2013-ës nuk duhet të harrohen. Ka paqartësi që do të kërkojnë vigjilencë”, ka shkruar Bildt.


Ambasadori Bajrami: Me marrëveshjen e mbrëmshme, Kosova ecën përpara

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se me marrëveshjen e mbrëmshme të arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova ecën përpara.

Bajrami tha se tani topi është në fushën evropiane, njofton Klankosova.tv.

“Këshilli i Evropës dhe Këshilli i BE-së duhet të marrë drejtimin dhe të hapin dyert. Nuk ka kohë për të humbur!”, shkroi Bajrami në Twitter.


Varhelyi: Beogradi dhe Prishtina treguan guxim dhe vendosmëri drejt rrugës së tyre në BE

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mbrëmë në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se BE-ja është e gatshme t’i mbështes të dy palët në procesin e zbatimit.

“Angazhimi i plotë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës tregon guxim dhe vendosmëri drejt rrugës së tyre në BE. I përgëzoj të gjitha palët. Ne jemi të gatshëm t’i mbështesim të dyja në procesin e zbatimit”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.

Kurti dhe Vuçiqi u pajtuan për të zbatuar planin evropian dhe aneksin e tij, pas bisedimeve maratonike prej më shumë së 12 orësh. /Klankosova.tv


Aneksi i marrëveshjes, Von Cramon: Nëse zbatohet me shpejtësi, do të ketë paqe në rajon

Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se edhe pse aneksi doli të jetë më pak i detajuar sesa që pritej, nëse e gjitha zbatohet me shpejtësi, atëherë do të ketë paqe dhe stabilitet në rajon.

Ajo shtoi se ky është një hap drejt integrimit në BE për të dyja vendet.

“Teksti i aneksit. Më pak e detajuar se sa pritej, por nëse e gjithë kjo do të zbatohet me shpejtësi, patjetër që mund të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në rajon. Është një hap drejt integrimit në BE për të dy vendet”, ka shkruar Cramon në Twitter.


Kurti: BE-ja të gjejë mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për takimet e djeshme në Ohër, pas së cilave u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se në Ohër shkuan me qëllime të mira dhe se treguan mirëbesim gjatë takimeve.

Ai falënderoi kryediplomatin evropian Josep Borrell, të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për angazhimin e tyre të palëkundur, si dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen e tyre të ngrohtë.

Tutje Kurti tha se Serbia iu shmang nënshkrimit të marrëveshjes dhe të aneksit dhe se tani i takon BE-së që të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme, njofton Klankosova.tv.

“Tani kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, ashtu si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të Marrëveshjes dhe tani edhe Aneksit. I takon BE-së të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme”, shkroi Kurti.


Kovaçevski: I përgëzoj Vuçiqin dhe Kurtin për guximin dhe vizionin e tyre, suksese qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka përgëzuar kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për, sipas tij, guximin dhe vizionin e tyre, si dhe i ka uruar qytetarët e të dyja vendeve në rrugëtimin drejt BE-së.

“Jam krenar të pres, në emër të qytetarëve tanë, me ekipin tim, procesin negociues ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Përgëzoj presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për guximin dhe vizionin e tyre dhe u uroj përparim dhe sukses të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, ka shkruar Kovaçevski në Facebook.

Sipas kryeministrit maqedonas, paqja, pajtimi dhe zhvillimi ekonomik janë parakushtet kryesore për përparimin e përshpejtuar të të gjithë Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
Ai tha se ndihet krenar dhe i nderuar që si vend e kanë pritur “këtë dialog të rëndësishëm për rajonin dhe Maqedonia e Veriut është një shembull i shkëlqyer se si një vend i robëruar dhe i izoluar është faktor stabiliteti sot”.


Abdixhiku: Kurti solli marrëveshje pa njohje dhe asociacion plus

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur mashtrim dhe humbje të një mundësie historike atë që kryeministrin Albin Kurti ka bërë në dialog.

“Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë”, ka shkruar ai, përcjell KlanKosova.tv.

“Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më.

You may also like