Livakovic kalon Kroacinë në gjysmëfinale, Japonia eliminohet pas penalltive,

by admin
Spread the love

Kroacia shkon në çerekfinale pasi mposht me penallti Japoninë. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1, dhe pas shtesave pa gola, lindi nevoja për “ruletën ruse”. Në fund ruleta i buzëqesh Kroacisë falë një performance të shkëlqyer të Livakovic që arriti të ndalonte 3 penallti.

Ndeshja nis menjëherë me ritëm dhe Japonia jep sinjalin e parë të rrezikshëm me Shogo Taniguchi, por pa sukses. Kundërpërgjigjet nga ana tjetër Kroacia me Ivan Perisic që i vetëm përballë portierit nuk e mposht dot këtë të fundit duke lënë rezultatin të paprekur.

Goli i parë i takimit do të vijë nga Maeda në fundin e pjesës së parë duke i dhënë avantazhin Japonisë që krijon idenë se do të sjellë një tjetër surprizë në Botëror. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të Japonisë, por në fraksionin e dytë, Kroacia ka të tjera ide.

Ivan Perisic me një goditje me kokë mposht portierin duke vendosur baraspeshën. Ka edhe disa raste të tjera kryesisht me Endo e Modric, por rezultati qëndron i pandryshuar dhe koha e rregullt mbaron në shifrat 1-1.

Lind nevoja për kohën shtesë dhe sinjali i parë vjen sërish nga Japonia. Kaoru Mitoma megjithatë, nuk ia del dot të çojë topin në rrjetë. Lodhja në të dyja ekipet është e dukshme dhe rastet flagrante mungojnë. Në fund do të jetë ruleta e penalltive ajo që do të vendosë fituesin e kësaj sfide.

Nga pika e bardhë e penalltisë tregohen me të saktë kroatët dhe fitojnë me rezultatin 3-1. Livakovic arriti të priste 3 penallti, ndërsa Pasalic realizoi golin e fundit që i dha kualifikimin në fazën tjetër Kroacisë e cila tashmë do të presë në çerekfinale fituesin e çiftit Brazil-Korea e Jugut. /oversport.tv

Foto: FIFA World Cup, Twitter

You may also like