Një studim i ri ka zbuluar skuadrat më të shtrenjta në futbollin botëror dhe rezultatet me siguri do të lënë të shokuar disa tifozë të futbollit.Pas një dritareje të ethshme të transferimeve verore, ku klubet e Premier Ligës shpenzuan më shumë se 1.75 miliardë paund për lojtarë të rinj, skuadrat angleze i kanë shtuar yjet e tyre. Gjigantët evropianë si Reali i Madridit, Bajerni i Mynihut dhe PSG-ja gjithashtu u futën në treg për të bërë disa afrime të rëndësishme për sezonin e ardhshëm. Tani, falë statistikave të mbledhura nga “CIES Football Observatory”, këto skuadra janë futur në një listë përfundimtare për të treguar se cili ekip ka shpenzuar më shumë. Studimi paraqet 100 skuadrat që kanë shpenzuar më shumë para në merkato për të transferuar lojtarët e tyre aktualë të skuadrës.
Kampionët e Premier Ligës, Mançester Siti, nuk renditet në vendin e parë, por ata e gjejnë veten të tretët me një total prej 856 milionë paundësh (1.017 miliardë euro) të shpenzuara për ndërtimin e skuadrës së tyre. Pak përpara Sitit janë rivalët lokalë të Mançester Junajtid, të cilët, pavarësisht nga vështirësitë e tyre të hershme, kanë shpenzuar 874 milionë paund (1.038 miliardë euro) për skuadrën e tyre. “Djajtë e Kuq” bënë nënshkrime me vlerë mbi 200 milionë paund gjatë verës, me lojtarë si Leni Joro, Manuel Ugarte dhe Matajs De Ligt, që të gjithë iu bashkuan klubit. Megjithatë, në vendin e parë janë rivalët e Sitit dhe Junajtidit në ligë, Çelsi. Pas një vere tjetër shpenzimesh, totali i shpenzimeve të Bluve ka shkuar në 1.06 miliardë paund (1.28 miliardë euro). Në krye të pesëshes së parë janë rivalët e Londrës Veriore, Arsenali dhe Totenhemi, të cilët renditen respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë.
“Topçinjtë” krenohen me një skuadër që kushtoi 672 milionë paund (798 milionë euro) për t’u mbledhur, ndërsa skuadra e rivalëve të tyre lokalë kushtoi 663 milionë paund (787 milionë euro) pasi nënshkroi lojtarë si Dominik Solanke për 65 milionë paund. Ata që thyejnë trendin e Premier Ligës janë gjigantët francezë të PSGsë, skuadra e të cilëve vlen 650 milionë paund (772 milionë euro) pas largimit të Kilië Mbapesë. Skuadra pariziene është pak përpara Liverpulit dhe Realit të Madridit, me të cilët është bashkuar së fundmi Mbape. Studimi raporton se të dy klubet kanë shpenzuar përkatësisht rreth 619 milionë paund (735 milionë euro) dhe 606 milionë paund (720 milionë euro). Interesant është fakti që Atletiko e Madridit, që bëri blerjen më të shtrenjtë të verës për sulmuesin argjentinas Julian Alvarez, shpenzoi afërsisht 418 milionë paund (496 milionë euro) për skuadrën e tyre.
Duke parë larg pesë ligat më të mira të Evropës, Al-Hilali, që ka shpenzuar 420 milionë paund (485 milionë euro), ka skuadrën më të shtrenjtë. Klubi i Arabisë Saudite kryeson një treshe nga vendi i tyre, duke përfshirë Al-Nasr me 235 milion paund (270 milionë euro), Al-Itihad me 197 milion paund (226 milion €) dhe AlAhli me 195 milion paund (224 milionë €). Në Amerikën e Jugut, Flamengo mban vendin e parë me një vlerësim prej 181 milionë paundësh (208 milionë €). Klubi brazilian tejkalon ndjeshëm vlerën e skuadrës së Botafogos prej 74 milionë paundësh (85 milionë €) dhe 67 milionë paundët e Palmeirasit (77 milionë €). Në total, 19 vende përfaqësohen në renditjen e 100 klubeve kryesore, me Anglinë që ka 24 klube (20 skuadrat e Premier Ligës dhe katër skuadra nga Championship). Skuadra e Championship-it, Midëllsbrou, renditet në vendin e 100-të në listë, me vlerën e skuadrës së tyre prej 54 milionë paundësh (65 milionë euro), e mjaftueshme për të hyrë në listën e “top 100”.ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL