LinkedIn gjobitet me 335 milionë euro në BE për shkelje të privatësisë

by admin
Spread the love

Lajme të këqija për LinkedIn në Europë, ku rrjeti social në pronësi të Microsoft është dënuar dhe gjobitur me 310 milionë euro për shkelje të privatësisë që lidhen me aktivitetin e ndjekjes së reklamave.

Sanksionet administrative u vendosën nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave të Irlandës (DPC) sipas Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Europian (GDPR). Autoriteti rregullator gjeti një sërë shkeljesh, duke përfshirë ato të lidhura me ligjshmërinë, korrektesën dhe transparencën e trajtimit të të dhënave në këtë sektor.

GDPR kërkon që përdorimi i informacioneve të njerëzve të ketë një bazë ligjore të përshtatshme. Në këtë rast, arsyetimet në të cilat LinkedIn mbështetej për të drejtuar biznesin e gjurmimit të reklamave u gjetën të pavlefshme. Ndër të tjera, sipas vendimit të DPC, LinkedIn nuk i ka informuar me korrektësi përdoruesit mbi përdorimin e informacioneve të tyre.

LinkedIn kishte kërkuar të pretendonte (në mënyra të ndryshme) baza ligjore të mbështetura në “pëlqim”, “interesa legjitime” dhe “nevoja kontraktuale” për përpunimin e informacionit të njerëzve – të marra drejtpërdrejt dhe/ose nga palë të treta – për të gjurmuar dhe për të profilizuar përdoruesit e tij për sjelljen ndaj reklamave.

Megjithatë, DPC zbuloi se asnjë nuk ishte e vlefshme. LinkedIn gjithashtu nuk ka respektuar parimet e transparencës dhe drejtësisë të GDPR.

Nënkomisioneri i DPC, Graham Doyle, komentoi në një deklaratë: Ligjshmëria e përpunimit është një aspekt i rëndësishëm i ligjit të mbrojtjes së të dhënave dhe trajtimi i të dhënave personale, pa një bazë ligjore të përshtatshme, është një shkelje e qartë dhe e rëndë e të drejtave thelbësore të subjekteve për mbrojtjen e të dhënave.

Edhe pse nuk është hera e parë që LinkedIn ndëshkohet për shkelje të mbrojtjes së të dhënave në nivel rajonal, bëhet fjalë për sanksionin më të rëndë që ka marrë deri më tani.

Çështja kundër LinkedIn nisi nga një ankesë e prezantuar në Francë në 2018 nga organizata jofitimprurëse për të drejtat dixhitale La Quadrature Du Net. Autoriteti për mbrojtjen e të dhënave të vendit ia kaloi më pas ankesën DPC, si organ kryesor mbikëqyrës për pajtueshmërinë me GDPR të Microsoft.

>

Përveç gjobës, LinkedIn i janë dhënë tre muaj kohë për t’i bërë aktivitetet e tij në Europë në përputhje me GDPR.

Zëdhënësi i LinkedIn, Jonny Wing theksoi për TechCrunch, një deklaratë të dhënë në konferencën e shtypit të kompanisë në lidhje me sanksionin:

“Sot, Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (IDPC) mori një vendim përfundimtar mbi pretendimet nga viti 2018 në lidhje me disa nga përpjekjet tona të reklamimit dixhital në BE.

Edhe pse besojmë se kemi qenë në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), ne po punojmë për të siguruar që praktikat tona të reklamave të përmbushin këtë vendim brenda përfundimit të afatit të IDPC”.

/ Tech Crunch

 

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like