Limaj “tradhton” Tiranën, kampionët zhgënjejnë në Luksemburg

by admin
Spread the love

Tirana zhgënjen në ndeshjen e parë eliminatore të Ligës së Kampionëve, pasi u mposht me rezultatin minimal 1-0 në transfertën luksemburgase nga vendasit e Dudelange.

Në përvojën e parë europiane si trajner, Orges Shehi debuton me humbje, teksa bardheblutë “u tradhtuan” nga Vesel Limaj, që mori dy të verdhë për tre minuta dhe u ndëshkuan në minutën e 71-të nga Hassan.

Sfida nisi me ritëm të ulët, teksa rastet në pjesën e parë ishin shumë të pakta, me vendasit që patën më shumë iniciativë, duke gjetur tre herë kuadratin e Visar Bekajt dhe Tiranën, që priste, në mënyrë që të mund të godiste në kundërsulm.

Edhe pjesa e dytë nisi me një rast të rrezikshëm të vendasve, ndërsa në minutën e 53-të Xhixha pati një mundësi të artë për t’u dhënë avantazhin bardhebluve, por nuk u koordinua saktë dhe gjuajti jashtë.

Në minutën e 54-t Tirana mori një “asist” nga Kirch, që bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Totres dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Dudelange me 10 futbollistë, kur kishte më shumë se 35 minuta lojë ende.

Megjithatë bardheblutë nuk e shfrytëzuan aspak epërsinë numerike, teksa më pas u “tradhtuan” edhe nga Vesel Limaj, që bëri dy faulle për tre minuta dhe mori dy kartonë të verdhë, duke lënë fushën e lojës.

Me forca të barabarta, ishin sërish vendasit që orën iniciativën dhe në minutën e 71-të u shpërblyen, teksa Hassan bëri një gjuajtje me kokë, duke gjetur fillimisht shtyllën e më pas rrjetën e portës së Visar Bekajt.

Goli tronditi bardheblutë, teksa trajneri Orges Shehi bëri zëvendësimin e parë vetëm në minutën e 77’, duke ulur në stol brazilianin Devit dhe hedhur në fushë afrimin më të fundit, Florent Hasanin, ndërsa pak më vonë edhe Qefalija mori vendin e Totres.

Megjithatë as këto zëvendësime nuk sollën ndryshimin e rezultatit, me bardheblutë që largohen kokë-ulur nga Luksemburgu, por sërish me shanse të plota për kualifikim, teksa tashmë do të luajnë gjithçka në “Air Albania”, të martën në orën 20:00, në një sfidë që do të mund ta ndiqni ekskluzivisht në Shqip 2.

Formacionet zyrtare; Diddeleng-Tirana:

Diddeleng: Fox, Skenderovic, Manuel Da Costa, Diouf, Kirch, Gashi, Sinani, Bojic, Morren, Nader, Hadji
Trajner: Carlos Fangeiro

Tirana: Bekaj, Tosevski, Behiratche, Najdovski, Ismajlgeci, Aleksi, Limaj, Totre, Xhixha, Seferi, Devid
Trajner: Orges Shehi


Top Channel

You may also like