Liderët vendas në Ohër presin mysafirët nga BE-ja, Kosova dhe Serbia (VIDEO)

by admin
Spread the love

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka pritur mëngjesin e së shtunës mysafirë me radhë.

Veç përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në Ohër shkuan edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këta të fundit i priste një ditë e gjatë bisedimesh përpara, për çka Kovaçevski, u kërkoi konstruktivitet, njofton Shqip.

“Besoj fuqishëm se është e nevojshme dhe e vetmja rrugë që të çon drejt zgjidhjes në botën demokratike të shekullit të 21-të. Dialogu është mjeti i vetëm për konsolidimin e rajonit dhe për integrimin evropian të të dy vendeve”, deklaroi ai.

E presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, shprehet i lumtur që siç thotë, po mund të kontribuojnë për arritje pozitive në bisedime.

Kurse para nisjes së diskutimeve kreu i ekzekutivit kosovar, u takua edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ky i fundit tha se i ka inkurajuar palët që të arrihet, siç e quajti një marrëveshje historike.

“Unë nuk kam ardhur në cilësinë e këshillëdhënësit, por në cilësinë e një shqiptari që beson se do të bëhet mirë për shqiptarët dhe gjithë rajonin, për paqen dhe stabilitetin. Këtu vendoset ardhmëria e shqiptarëve dhe rajonit”, u shpreh Ahmeti.

Në krejt këto takime temë diskutimi ishte plani i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe zbatimi i tij.

 

You may also like