Liderët e Ballkanit Perëndimor nesër do të diskutojnë për planin e rritjes nga KE, do të nënshkruhen edhe protokolle

by admin
Spread the love

Më 21 dhe 22 janar, në Shkup do të mbahet takimi i iniciativës “Ballkani Perëndimor dhe BE” dhe takim liderësh për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Nikoqir i takimit do të jetë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, ku do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Kosovës Albin Kurti, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës – Borjana Kristo, presidenti i Malit të Zi – Jakov Milatoviq, si dhe drejtori përgjithshëm të Drejtorisë së KE-së për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit – Gert Jan Kopmann, raporton Portalb.mk.

Të pranishëm do të jenë edhe ndihmës sekretari i Shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë – James O’Brien, përfaqësues të organizatave rajonale, Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, CEFTA-s dhe Forumit të Investimeve të Dhomave nga Ballkani Perëndimor, USAID-it, si dhe disa institucione financave ndërkombëtare.

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian.

Në këtë takim do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, si dhe kolegë të tyre nga Ballkani Perëndimor.

Të dielën më 21 janar në Shkup do të nënshkruhen protokollet për qasje të lirë në tregun e punës në vendet e Ballkanit të Hapur, një nismë që bashkon Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Liderët e Ballkanit Perëndimor u mblodhën këtë javë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku morën pjesë më shumë se 100 përfaqësues të vendeve, të gjitha organizatave të mëdha ndërkombëtare, 1000 partnerë të Forumit Ekonomik Botëror.

Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimin Evropian.

Sipas planit të përgatitur me qëllimin për të përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe për të mbështetur reformat dhe investimet që do stimulojnë rritjen ekonomike, do të krijohet një fond i ri i Reformës dhe Rritjes prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.

Me këtë burim, do të synohet përputhshmëria e Ballkanit Perëndimor me Tregun e Vetëm dhe rritja e integrimit ekonomik.

Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.

Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Plani synon të rrisë marrëdhëniet ekonomike të BE-së me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

MARKETING



You may also like