Lëvizja Besa nuk merr pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Rama – Shqip

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

“Dështimet e BDI-së nuk mbulohen me improvizime! Raporti me Tiranën zyrtare i pa diskutueshëm”

Vija mes të qenit i dobishëm në një situatë të ngushtë, për dikënd, dhe të qenit i përdorur është shumë e hollë, andaj, kujdes!. Në këtë mënyrë ka reaguar Lëvizja Besa, lidhur me ftesën e Kryeministrit shqiptar Edi Rama për takimin me liderët politik të shqiptarëve të RMV-së, në Tiranë.

“Artan Grubi por edhe Ali Ahmeti, sa herë që mbeten në udhëkryq nga mos dija se si të menaxhojnë situatën e krijuar në Qeveri, ata kërkojnë ndihmën e Edi Ramës, ose më shkurt thënë, e përdorin kryeministrin shqiptarë për ti ndihmuar ata për të dalë nga situata. Edhe kësaj here, Artan Grubi dhe Ali Ahmeti, duke mos ditur se si të gjinden në këtë situatë të krijuar politike në Maqedoninë e Veriut, ata iniciuan gjoja se një takim me kryeministrin shqiptar, duke e përdorur edhe një herë atë dhe autoritetin e tij, për t’i nxjerrë nga balta ku janë zhytur tash e dy dekada”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Është pikërisht kjo, arsyeja që Lëvizja BESA dhe Kryetari Bilall Kasami, nuk do të ulet në një tavolinë me ata që dështuan të drejtojnë qeverinë në vend – thonë nga kjo parti duke shtuar se në vend që të dalin para popullatës të kërkojnë falje dhe të shpallin zgjedhjet e parakohshme, ata kërkojnë sërish ndihmën e Edi Ramës.

“Ne ishim gjashtë vite më parë tek Edi Rama në takim, ku edhe u zotuam për realizimin e disa pikave me interes për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por kjo marrëveshje, mbeti në Shqipëri dhe këndej kufirit asnjëherë nuk e pa dritën. Sepse, kështu vendosi Artan Grubi dhe Ali Ahmeti. Kemi kërkuar disa herë takim të përbashkët të liderëve politik, por nuk u realizua. Kërkuam edhe sqarim për mos realizimin e këtyre pikave për të cilat u zotuam, edhe kjo nuk u sqarua, tani bëhet pyetja, përse është e nevojshme të ulemi sërish bashkë me këta njerëz, kur me përfundimin e takimit e dimë se përfundon gjithçka.  Këtë sqarim e pamë të nevojshëm ta bëjmë si Lëvizje BESA, sepse numrat e atyre që i besojnë Lëvizjes tonë gjithnjë e më shumë rriten, andaj, dhe pamë të nevojshëm këtë sqarim për ta por edhe për opinionin më të gjerë”, thonë nga Lëvizja Besa.

Lëvizja BESA dhe Bilall Kasami, thuhet në komunikatë, sa herë që frekuentojnë Tiranën zyrtare, hasin në një mikpritje të ngrohtë andaj, sic thonë, dhe këtë mikpritje do e kemi sërish, shumë shpejtë në një takim me zotin Rama, por si parti serioze, si parti e cila bën koordinim dhe jo si parti e cila në emër të koordinimit apo ndihmës që kërkon, shfrytëzon për interesa personale edhe Tiranën zyrtare por edhe kryeministrin shqiptarë.

“E sa për dështimet e partisë në fjalë, sot nuk do flasim, sepse bëhemi tepër. Na mjaftojnë që ti dëgjojmë shpalosjet e dështimeve të partisë së Ahmetit, nga vetë anëtarët e saj të pakënaqur, që nxjerrin në pah çdo ditë e më shumë dështimet e partisë së tyre në çdo segment. Një parti e cila nuk është në gjendje ta përfundojë me dekada të tëra një projekt më madhor për shqiptarët, nuk presim që ta rregulloj statusin e shqiptarëve në RMV, andaj, sa humbni kohë dhe përdorni njerëz për t’u nxjerrë nga situata, shpallni zgjedhjet e parakohshme, sepse pas tyre, vërtetë do vijnë në qeveri njerëz që kanë ide dhe vizion jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë që jetojnë në nënqiellin e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa./KlanMacedonia

You may also like