Legjionarët/ Shkëlqen Ramadani, ja si u paraqitën lojtarët e kombëtares në fundjavë

by admin
Spread the love

 

Edhe këtë javë fundjavë shumica e futbollistëve të Kombëtares shqiptare, të cilët aktivizohen me klube të ndryshme në Europë kanë luajtur minutat e tyre me ekipet përkatëse, duke qenë edhe protagonistë madje. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani gjeti golin e parë skocez tek Aberdeen, ekip me të cilin po zhvillon paraqitje shumë të mira. Djaloshi kuqezi tundi rrjetën në minutën e 61-të, teksa është kthyer tashmë në një titullar të padiskutueshëm.

Paraqitje të mirë për Lindon Selahin, që shënoi gol këtë javë në fitore 3-0 të Osijek ndaj Varazdin në kampionatin elitar të Kroacisë. Mesfushori e nisi sfidën titullar dhe realizoi golin e dytë për t’u zëvendësuar në minutat e fundit.

Sakaq, për lojtarët e tjerë të Kombëtares shqiptare pati shumë minuta në dispozicion. Ardian Ismajli është kthyer në fushë, duke lënë pas dëmtimin e disa javëve më parë. Mbrojtësi kuqezi ishte një nga më të mirët në radhët e Empolit në ndeshjen kundër Sassuolo-s, duke u vlerësuar me notën 7. 4 sipas uebsajtit të specializuar për statistika, SofaScore. Minuta pati edhe për mesfushorin shqiptar, Nedim Bajrami, i cili zëvendësoi autorin e golit për Empolin.

Edhe Elseid Hysaj u aktivizua në derbin Roma-Lazio, që u fitua nga lacialët 1-0 me mbrojtësin kuqezi që hyri në fushën e lojës në minutën e 69-të. Ndërsa mbrojtësi i Romës, Marash Kumbulla ishte në stol, por nuk u aktivizua në këtë takim, njësoj si edhe mbrojtësi Berat Gjimshiti, i cili qëndroi në stol gjatë ndeshjes Atalanta-Napoli. Minuta për Kastriot Dermakun, i cili hyri në minutën e 57-të në fushë në sfidën Udinese-Lecce, që përfundoi me rezultatin 1-1.

Armando Broja është kthyer në një lojtar të rëndësishëm tashmë te ‘Blutë e Londrës’. Në sfidën ndaj Arsenalit dje, Broja luajti për rreth 26 minuta në radhët e Chelsea-t, por pa mundur të shënojë.

Gjithashtu, Ivan Balliu është kthyer në murin e mbrojtjes për Rayo Vallecano-n. Djaloshi shqiptar po tregon javë pas jave cilësitë e tij në radhët e skuadrës spanjolle, teksa uebsajti i specializuar për statistika e ka vlerësuar mbrojtësin me notën e lartë 7.3. Si titullar u aktivizuan këtë fundjavë edhe Enea Mihaj, Odise Roshi, Taulant Seferi, teksa minuta pati edhe për futbollistët e tjerë të Kombëtares shqiptare.

You may also like