LDK: Nën ndikimin e partisë në pushtet, u zgjodhën anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së

by admin
Spread the love

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Vetëvendosje po vazhdon të kapë bordet e institucioneve të pavarura, me qëllim, siç thotë ajo, shtrirjen e ndikimit në to.

Sipas kësaj partie, edhe dje ndodhi një gjë e tillë me Universitetin e Prishtinës, ku pretendohet se nën ndikimin e VV-së u zgjodhën anëtarët e Këshillit Drejtues.

“Dje në Universitetin e Prishtinës (UP), nën ndikimin e partisë në pushtet, u zgjodhën anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së nga radhët e trupit akademik. Përzgjedhja në masë të madhe dëshmoi se anëtarët u përzgjodhën me kriter partiak-klientelist, dhe jo akademik, me disbalanc total gjinor, duke mos e respektuar as Ligji për Barazi Gjinore. Këtë ndikim partia në pushtet e ka bërë përmes ushtrimit të presionit ndaj senatorëve dhe organizatave studentore të afërta me partinë në pushtet, të cilit i ka ndihmuar një interpretim kundërthënës që u ka marrë mandatin senatorëve nga radhët e studentëve, për çfarë kishte pakënaqësi dhe protestë para Rektoratit të UP-së”, ka shkruar LDK në facebook.

LDK-ja thotë se qeveria ka rol në punët e menaxhimit të UP-së përmes anëtarëve që i cakton MASHT-i në Këshillin Drejtues, por jo duke përcaktuar direkt anëtarët nga trupi akademik.

“Efektet e ushtrimit të ndikimit dhe të kontrollit nga pushteti në arsimin e lartë dëmtojnë rëndë cilësinë dhe funksionimin institucional.Kjo është parë me ndërhyrjen e një qeverie të kaluar në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, që rezultoi me përjashtimin e saj prej organizmave relevante evropianë për sigurim të cilësisë në arsimin e lartë”, thuhet tutje.

Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se kërkon respektim të autonomisë së universitetit dhe përjashtim të ndikimit partiak në UP.

You may also like