LDK-ja pas vendimit të Kushtetueses kërkon shkarkimin e Albulena Haxhiut

by admin
Spread the love

Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikate ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së të këtij ligji nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga LDK-ja, se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.

LDK-ja thotë se rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.

“Dështimi i radhës për kapje të shtetit. Sot Gjykata Kushtetuese e shpalli Aktgjykimin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”.

LDK-ja kërkon shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.

“Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë. Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë”.

You may also like