LDK e shqetësuar thellë me gjendjen e sigurisë në veri, kërkon koordinim me aleatët – Shqip

by admin
Spread the love

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen e sigurisë në veri të vendit.

Sulmet ndaj institucioneve të Republikës, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, si dhe barrikadimi dhe mbyllja e rrugëve janë veprime që cënojnë rendin kushtetues të Republikës prandaj si të tilla ato janë të papranueshme, thekson kjo parti, nëpërmes një komunikate shtypi.

LDK-ja i dënon ashpër këto veprime dhe kërkon që autorët e sulmeve të sillen para institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

LDK-ja edhe një herë përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës, si rrugë e vetme drejt kthimit të rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Kosovës. “Çdo rrugë tjetër është rënie në kurthin e synimeve destabilizuese të Serbisë”.

LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri.

“Në këto momente vendit i duhet lidership i vërtetë që do të veprojë me mençuri dhe vendosmëri; që në vend ndarjes e përçarjes siguron unitet të brendshëm e koordinim të ngushtë me aleatët tanë”, thekson LDK.

You may also like