Latifi: Ideja e Bashkimit Kombëtar i ka dy plagë, ato vështirë se i shërojnë elitat tona politike e kulturore

by admin
Spread the love

Profesori Blerim Latifi thotë se ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ka vuajtur gjithmonë nga plagët e shkaktuara nga fqinjët tanë dhe vetë shqiptarët.

Duke marrë shkas nga deklarata e djeshme e kryeministrit Albin Kurti për revistën britanike, “Monocle” se do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë në një referendum paqësor e demokratik, si dhe reagimet që pasuan, Latifi shkruan se është vështirë që këto dy plagë të kësaj ideje t’i shërojnë elitat politike e kulturore të Kosovës.

“Ideja e Bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve historikisht ka vuajtur nga dy plagë të mëdha. Njëra është plaga e shkaktuar nga fqinjët tanë, që e demonizonin këtë ide, duke e paraqitur si shoviniste dhe kërcënim për paqën në Ballkan. Fatkeqësisht ne kurrë nuk kemi qenë në gjendje ta rrëzojmë këtë imazh”, ka shkruar Latifi.

“Plagën tjetër ia kanë shkaktuar vetë shqiptarët, duke e përdorur idenë e Bashkimit Kombëtar për të mbledhur vota për pushtetet e tyre.
Edhe sot vazhdon vazhdon e njëjta gjë: fqinjët e përdorin këtë ide për të penguar fuqizimin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, e ne si mjet propagandistik për t’ia rrëmbyer pushtetin njëri-tjetrit në mahallat tona politike”, ka shtuar ai.

Latifi pyet se “A ka shërim për këto dy plagë?”, ndërsa shton: “Me elitat politike e kulturore që kemi, vështirë të thuhet po”.

Kryeministri Kurti tha për “Monocle” se do të votonte pro në një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Gjithsesi, ai përsëriti se referendumi do të duhej të bëhej në mënyrë paqësore e demokratike.

“Në të ardhmen nëse do të prezentohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prap, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti.

You may also like