Lajmet e rreme janë biznes i madh

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Termi “mediat kryesore” mund të përdoret për kompanitë e mëdha të lajmeve, por mund të përdoret edhe në një mënyrë nënçmuese. Njerëzit që i tallin në këtë formë mediat e mëdha, shpesh herë argumentojnë se ato nuk mund të jenë një burim i të vërtetave, për shkak se pronarët e disa prej kompanive mediatike janë jashtëzakonisht shumë të pasur, apo se meraku i tyre kryesor është si të shumëfishojnë fitimet.

E ndërkohë që kjo është e vërtetë deri në një farë mase, nga ana tjetër injoron tërësisht faktin që në një shoqëri të bazuar në kapitalizmin si kjo e jona, nuk ka ndonjë alternativë të mirë. Ne mund të shtojmë përpjekjet për të nxitur gazetarinë investigative të pavarur, e cila mund të ketë të njëjtat probleme të lidhura me fitim apo konflikte të mundshme interesi, por kaq mund të bëjmë. Lajmet me burime qeveritare kanë problemet e tyre dhe në shumë raste, janë edhe më keq se sa ato që lidhen me burime që kanë qëllime fitimi.

Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë, është se edhe gazetaria e rremë mund të jetë po aq e ndikueshme dhe e ndikuar prej parasë, sa edhe ajo e agjencive legjitime të lajmeve.

Ata që shkruajnë lajme të rreme dhe që janë të suksesshëm në këtë zgjedhje të tyren, mund të fitojnë nga 5000 deri në 10 000 dollarë në muaj, përmes programeve të ndryshme të reklamimit, duke e bërë dezinformimin një biznes shumë fitimprurës në kohën tonë moderne.

Në fakt, Indeksi Global i Dezinformimit i vitit 2019, vlerësoi se 20 mijë faqe interneti të njohura për publikimin e lajmeve të rreme, fituan në total 235 milion dollarë në vit. Dhe po të kemi parasysh që në qarkullim janë shumë më tepër se sa 20 mijë faqe lajmesh të rreme, 235 milion dollarë në vit është shumë pak krahasuar me shifrat reale të fitimeve që nxjerr industria e lajmeve të rreme.

Shumëkush mund të mendojë se, ndonëse disa botues lajmesh të rreme po fitojnë para në mënyrë direkte, kjo nuk ka pse të jetë një gjë e tmerrshme, apo jo? Në fund të fundit, njerëzit kanë nevojë të fitojnë para.

Dhe të fitosh para nëpërmjet lajmeve të rreme mund të jetë gjë e keqe, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që industria e keqinformimit është e fuqishme dhe në gjendje të ndryshojë apo zhvendosë fokusin e vetë gazetarisë.

Për fat të keq, ekzaktësisht kjo është duke ndodhur. Ndërkohë që industria e gazetarisë është zhvilluar nëpër shumë breza, për të përfshirë një kod etik kompleks që lidhet me vërtetësinë e artikullit që botohet, besimin dhe transparencën ndaj lexuesit, nga ana tjetër kompanitë që reklamojnë nuk e kanë të përfshirë një kod të tillë. Dhe ajo që jemi duke parë sot, është një industri e lajmeve të rreme, e cila nuk e vlerëson të vërtetën, që po bëhet bashkë me kompanitë që reklamojnë, dhe që kanë po këtë shpërfillje ndaj të vërtetës.

Aleanca aspak e shenjtë midis atyre që reklamojnë dhe botuesve të keqinformimit është duke shkaktuar ndryshme serioze në të gjithë mënyrën se si funksionon sistemi ynë. Me praninë në rritje të kompanive që botojnë lajme të rreme dhe reklamat gjithnjë e më pushtuese që janë të mbështetura prej programeve që kapen pas të dhënave, paratë për reklama po ikin prej mediave tradicionale dhe gazetarëve seriozë, dhe po shkojnë drejt përmbajtjes me lajme të rreme.

Dhe kjo gjë ka patur një ndikim të fortë mbi vetë natyrën e reklamave online si dhe strukturën e incentivave mbi të cilën janë mbështetur historikisht mediat, gjë që rrezikon seriozisht gazetarinë cilësore të të ardhmes, e madje edhe një demokraci të informuar, sipas shumë studiuesve. Me fjalë të tjerë, shoqëria është duke ecur në një drejtim që e dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë modelin e biznesit të gazetarisë, i cili ka patur një rëndësi kyçe për një shoqëri dhe qytetarë të informuar.

Industria e Pseudoshkencës

Shumëkush ka dëgjuar për Big Pharma, një referencë pezhorative që u bëhet fitimeve shumë të mëdha të disa prej kompanive të farmaceutikës në botë. Por pak kush e di se sa industri e madhe është ajo e ngritur mbi placebon dhe “ilaçet” natyrore. Trajtimet alternative si akupunktura, kiropraktika dhe “shëruesit” tradicionalë që mund të ofrojnë një farë lehtësimi, por nuk janë në gjendje të shërojnë asgjë, ishin përgjegjës për 34 miliardë dollarë shpenzime nga xhepi në vetëm një vit në SHBA, sipas një raporti të qeverisë amerikane. Një raport më i vonë, i vitit 2018, zbuloi se suplementët dietikë janë pjesë e një industrie 30 miliardë dollarëshe, me më shumë se 90 mijë produkte në treg. Dhe kjo, pavarësisht se studime serioze kanë treguar që vetëm pak prej këtyre suplementeve kanë një vlerë mjekësore të zbehtë.

Kristalet, që nga shumëkush besohet që shërojnë përdoruesit nga sëmundje dhe “energjitë e këqia” janë gjithashtu pjesë e një industrie shumë miliardëshe, ku shitësit fitojnë deri 40 milion dollarë në vit. Kristalet madje janë krahasuar dhe me diamantët e gjakut, për shkak se rritja e kërkesës ka sjellë dhe shtim të abuzimit me të drejtat e njeriut në miniera potencialisht vdekjeprurëse. Dhe sërish, e gjitha e ngritur jo mbi prova shkencore, por vetëm mbi efikasitetin e placebos.

Edhe praktika e “reiki”-t mund të sjellë shumë fitime. Çfarë është? Eshtë një “terapi” që thuhet se përdor “energjinë shëruese” të duarve. Me një fjalë, nuk është asgjë. E sërish ajo ka fituar popullaritet dhe mund ta gjesh kudo, nga tregjet e fshatarëve deri tek sallat e operacionit.

Pra, jemi duke folur për rritjen e pseudoshkencave, diçka që një prej autorëve të cilëve u referohemi e kanë quajtur Broçkullat e Mëdha. Dhe pse janë mundësuar ato? Prej shtimit të faqeve të lajmeve të rreme.

Ku gabuam?

Në thelb, në çdo situatë, për të gjetur një zgjidhje, duhet kuptuar më mirë vetë problemi. Në këtë rast, duhet të shikojmë statusin dhe trajektoren e gazetarisë moderne kur shtrojmë pyetjen “Ku gabuam?”

Kultura e Titujve – Karrem

Një pjesë e problemit me mediat ekzistuese të lajmeve është se ne, si kulturë, jemi bërë të fiksuar pas “klikimeve” dhe në masë të madhe jemi indiferentë ndaj cilësisë së përmbajtjes. Në kundërshtim nga sa besohet gjerësisht, kjo nuk është diçka që e shkaktuan gazetarët dhe nuk është diçka që duhet të luftojmë.

Në fakt, është rezultat i pashmangshëm i një shoqërie me teknologjinë e përparuar që ne zotërojmë. Ne jemi një specie inteligjente, por jemi gjithashtu një specie që dëshiron kënaqësi të menjëhershme. Teksa informacioni në internet bëhet gjithnjë e më i disponueshëm, truri ynë fillon ta dëshirojë edhe më shumë. Është e natyrshme që ne duam të mbushim boshllëqet tona në njohuri dhe duam rrugë të shkurtra për ta bërë këtë, por ky impuls ka shkaktuar një rritje të lajmeve të rreme dhe me cilësi të ulët.

Nëse keni lexuar ndonjëherë ndonjë artikull që fillon me titullin “TRONDITESE: NUK DO E BESONI…”, apo “DUHET TE DINI KETO TRE GJERA…”, atëherë e keni idenë se çfarë është titulli-karrem. Eshtë një përpjekje për të rritur shikimet duke përdorur grepa, dhe nuk do të ekzistonte, po të mos ishte për mënyrën se si funksionojnë faqet tona të internetit.

Mënyra më e kollajtë për të monetizuar dhe rritur ndjeshëm fitimet në një faqe lajmesh është përmes reklamave, dhe mënyra më e mirë për të tërhequr reklama është nëse ke shumë lexues në faqe. Ata që reklamojnë janë të gatshëm të paguajnë bazuar në shifrat e klikimeve që ti u jep, sepse çdo klikim u tregon që dikush e ka parë reklamën e tyre, gjë që sipas tyre sjell më shumë ekspozim, më shumë shitje, dhe më shumë të ardhura për atë që bën reklamë.

Titulli-karrem është tepër popullor sot sepse funksionon. Faqet fitojnë para duke postuar dhe promovuar artikuj që nuk kanë përmbajtje thelbësore. Por pse funksionon? Një arsye e mundshme është se shumica e njerëzve nuk i lexojnë lajmet. Në vend të kësaj, ata lexojnë titullin dhe përcaktojnë prej aty nëse ia vlen ta ndajnë me të tjerë. Kjo është konfirmuar nga një sasi e konsiderueshme kërkimesh.

Një studim zbuloi se një shumicë (59 përqind) e link-eve të shpërndara në X nuk klikohen kurrë, duke treguar se shumë lajme qarkullojnë pa u lexuar (Gabielkov, Ramachandran, Chaintreau, & Legout, 2016). Diçka e tillë u pa kur një faqe lajmesh satirike botoi një artikull të gjithin në gjuhën latine, nën maskën e një studimi mbi titujt dhe shkencën, sipas Uashington Post. Afro 46,000 njerëz e shpërndanë postimin, disa prej tyre me shumë zell. “Një shembull i paqëllimshëm, ndoshta, i komedisë që imiton jetën,” shkroi një gazetar i Post.

Përmbajtja ishte e kotë, por titulli – “Studimi: 70% e përdoruesve të Facebook lexojnë vetëm titullin e tregimeve shkencore përpara se të komentojnë” – ishte mjaft popullor, duke treguar se ne shpesh gjykojmë lajmet bazuar në titullin ose median, apo edhe besueshmërinë e personit që ka shpërndarë artikullin. Por e vetmja mënyrë për të kuptuar me të vërtetë se çfarë po ndodh është të marrim kohë për ta lexuar artikullin vetë.

Rritja e ndjenjave kundër shkencës

Një pjesë e rritjes së lajmeve të rreme, titujve-karrem dhe raportimeve të papërgjegjshme të qytetarëve mund të gjurmohen në diçka përtej gazetarisë: besimet e shfrenuara antishkencë. Përmbajtja thjesht po i përgjigjet kërkesave të publikut, që ndodh të jetë larguar nga shkenca. Rritja e besimeve kundër vaksinimit që çon në shpërthime globale të fruthit është vetëm një shembull i kësaj tendence fatkeqe. Një shembull tjetër është lëvizja Toka e Sheshtë, e cila thuhet se po rritet në numër dhe përbëhet nga njerëz që janë çuditërisht mjaft seriozë për besimet e tyre.

Trendi antishkencë mund të shihet gjithashtu në hapësirën e organizmave të modifikuar gjenetikisht, ku kundërshtimi i publikut ndaj vetë shkencës është jashtëzakonisht i lartë, pavarësisht nga provat që vërtetojnë sigurinë dhe efikasitetin. Në një studim të vitit 2019 të botuar në Nature Human Behaviour, jo vetëm që 90 për qind e të pyeturve kundërshtuan përdorimin e OMGJ-ve, por ata që ishin më kundër tyre, besonin se ishin më të diturit për këtë temë (pavarësisht vlerësimit më të ulët në testet e njohurive shkencore.

Rezultate të ngjashme janë parë në studimet e vaksinave dhe mund të shpjegohen të paktën pjesërisht nga efekti Dunning-Kruger, një paragjykim konjitiv, sipas të cilit njerëzit mbivlerësojnë aftësitë e tyre për shkak të mungesës së ekspertizës mbi këtë temë.

Rritja e mosbesimit ndaj shkencës dhe institucioneve të saj do të thotë që faktet e verifikueshme vihen në pikëpyetje dhe lajmet e rreme lulëzojnë në atë mjedis unik. Por ka një sërë faktorësh të tjerë që kontribuojnë në këtë problem.

Në një kthesë komike, vetë media mund të jetë pjesërisht përgjegjëse për disa nga keqkuptimet e publikut të gjerë (dhe për këtë arsye, mosbesimin e tij) ndaj shkencëtarëve dhe shkencës në përgjithësi. Cristine Russell, shkrimtare e pavarur që merret me shkencën dhe presidente e Këshillit për Avancimin e Shkrimit Shkencor, thotë se gazetaria shkencore po vuan për shkak të një kombinimi faktorësh, duke përfshirë reduktimin e stafit të gazetarëve dhe çështjet gjithnjë e më komplekse shkencore. Studimi i saj tregon se disa gjëra mund të përmirësojnë thatësirën aktuale në lajmet cilësore shkencore, duke përfshirë trajnimet e domosdoshme për shkrimtarë që merren me shkencën dhe trajnime të komunikimit për vetë shkencëtarët.

Për ta përmbledhur, jetojmë në një epokë kur po bëhet gjithmonë e më e vështirë për gazetarinë e vërtetë, që të mbijetojë përballë vërshimit të pseudomediave, të cilat luftojnë për vëmendjen e publikut në mënyra që janë nga natyra “të pista”, të cilat nuk kanë asnjë lloj pikëtakimi me të vërtetën, gazetarinë cilësore dhe mbi të gjitha etikën, dhe të cilit, janë të udhëhequra nga qëllime që variojnë nga fitimi financiar, e deri tek lufta e nëndheshme apo goditja e reputacionit të personave të caktuar.

Nuk është një problem i ri. Dezinformimi ka qenë i pranishëm përgjatë historisë, dhe me ardhjen e Internetit dhe mediave online, ai vetëm sa është përkeqësuar, sidomos në dekadën e fundit. Shqetësues është fakti që, mënyrat dhe mjetet janë sofistikuar, duke goditur kështu edhe më fort mediat tradicionale, dhe duke e lënë konsumatorin e informacionit, dhe vetë shoqërinë, në mëshirën e goditjeve të lajmeve të rreme dhe sajesave. (TruthHub – Bota.al)

Burimi: New York Times, The Guardian

“Udhërrëfyes për luftimin e lajmeve të rreme, për kureshtarët”

You may also like