Kuvendi për gjashtë muaj shpenzoi mbi 3.4 milionë euro për paga

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Komisioni për Buxhet, Punë dhe
Transfere, ka votuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për gjashtëmujorin
e parë të vitit 2022, raporton Shqip.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës,
Ismet Krasniqi, shpalosi para deputetëve raportin në detaje për gjashtë mujorin
e këtij viti, duke sqaruar se mbi 3.4 milionë euro janë shpenzuar për paga dhe
mëditje.

“Kategoria e Pagave në buxhetin gjashtëmujor
është 3.401.375,91 euro dhe si të tilla janë të ndara në katër Programe: për
anëtarët e Kuvendit janë shpenzuar 1.807.264,22 euro, nga Administrata e
Kuvendit 1.072.677,71 euro, e nga stafi mbështetës politik 504.947,45 euro”, tha
Krasniqi.

“Shpenzimet komunale janë alokuar
me 200 mijë euro dhe këto fonde janë shpenzuar vetëm 105.255,55 euro ose 52,63%
e buxhetit të ndarë”, tha ai.

Ai u ankua edhe në mungesë të
ofertuesve, për shkak se ligji i kërkon kontrata të lidhet për tri vite. 

“Shumë ofertues kanë filluar një
lloj hezitimi sepse operatorët që po lajmërohen, nuk po pranojnë që ko trata të
nënshkruhet për tri vite, por kërkojnë një vit. Më e thjeshta është për
furnizim me gota të plastikës, kemi arrit që në afatin e tretë të nënshkruajmë
kontratë sepse nuk po aplikon askush për kontratë tri vjeçare”, tha Krasniqi.

Deputeti i AAK, Pal Lekaj, pati
kritika në planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Ai tha se si është e
mundur që buxheti për vitin paraprak nuk është shpenzuar në tërësi.

“Nëse shkojmë te investimet
kapitale e keni kërkuar buxhet për vitin e kaluar 500 mijë euro, ndërsa
shpenzushmëria është 52 për qind. Pra nëse e shohim planifikimin për vitin
pasues keni kërkuar buxhet 640 mijë euro”, tha Lekaj.

“Nëse në vitin paraprak nuk e keni
shpenzuar buxhetin në tërësi dhe në vitin e ardhshëm keni kërkuar buxhet më
shumë, në çfarë jeni bazuar, a do ti rritni investimet apo në çfarë jeni
bazuar”, pyeti tutje Lekaj.

Deputeti i PDK Ferat Shala, kërkoi
një listë me emra të të punësuarve si këshilltarë dhe persona tjerë të angazhuar
në këtë institucion.

“Po kërkojmë që neve si komision
të na ofrohet lista e këshilltarëve dhe personave tjerë ndihmës që ka kuvendi
në përgjithësi. Listën e të gjitha këshilltarëve, duke përfshirë edhe ata të
partive politike dhe për të sqaruar efikasitetin dhe për të parë sistemimin e
tyre. Pra po kërkoj që të dimë se nga cilat linja buxhetore paguhen”, tha
Shala.

Kryetari i këtij Komisioni, Armend
Muja, pyeti nëse janë zvogëluar shpenzimet e deputetëve pas marrjes së vendimit
për moskompenzim të karburantit.

Po Muja pati edhe një pyetje
habitëse për sekretarin e Kuvendit. Nga ai, kërkoi të di se kush po shpif për
të dhe kush po i plason lajmet e rrejshme në medie.

Istret Azemi nga Kuvendi i Kosovës,
pohoi se kanë rënë dukshëm shpenzimet për karburante, raporton EO.

“Po nëse nuk gaboj, pas marrjes së
vendimit nga ana e kryetarit (Glauk Konjufca) prej prillit kur ka marrë vendim
ka pasur ndikim goxha të madh në uljen e shpenzimeve për udhëtime të
deputetëve. Kursimet që janë bërë nga këto janë goxha të mëdha”, tha ai.

You may also like