Kuvendi mbajti seancën e fundit për sesionin pranveror

by admin
Spread the love

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancë plenare.

Punimet e seancës filluan me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve drejtuar anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Pas konsumimit të kohës dedikuar këtyre dy pikave, u parashtruan tri kërkesa për ndryshimin e rendit të ditës me pika shtesë.

Fillimisht, kryetari i Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi, kërkoi që me anë të mocionit procedural të shtohet si pikë e 23-të e rendit të ditës shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-071 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-060 për Mbeturinat.

Po ashtu, me anë të mocionit procedural, Fitore Pacolli Dalipi, kryetare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, kërkoi që të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji 08/L-83 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-08 për Verërat, përkatësisht të shqyrtohet si pikë e 24-të e rendit të ditës.

Ndërkaq, me shmangie nga afatet kohore, Pacolli Dalipi kërkoi që të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji nr.08/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-197 për Kimikate, si dhe të futet si pika e 25-të e rendit të ditës.

Gjithashtu, Ardian Gola, kryetar i Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, kërkoi mocion për plotësimin e rendit të ditës.

Ai kërkoi që pikë e 26-të të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-111 për Arkivat Shtetërore.

Kërkesave të parashtruara për ndryshimin e rendit të ditës, deputetët me anë të votës i dhanë mbështetjen e tyre, për shqyrtim të mëtejmë në këtë seancë.

Seanca vazhdoi punimet duke shqyrtuar Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë. Nga ana e Qeverisë, Propozim-vendimin në fjalë e paraqiti dhe arsyetoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Me këtë rast, ministrja Rizvanolli theksoi se duke u bazuar në situatën energjetike, të krijuar në vend, rritjen e çmimeve në tregun evropian, ndalimin e eksportit, si dhe me qëllim të nxitjes për kursim të energjisë, Qeveria ka propozuar masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji, me qëllim të tejkalimit të kësaj situate, për një kohë të caktuar.

Në emër të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me Propozim-vendimin e Qeverisë foli zëvendëskryetarja Jeta Statovci, e cila theksoi se ky komision i ka rekomanduar Kuvendit miratimin e këtij propozimi.

Nga GP i Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ofroi mbështetjen e grupit parlamentar. Masat e parapara ajo i cilësoi jo vetëm si të nevojshme, por edhe të domosdoshme lidhur me krijimin e mekanizmave për të përballuar mungesat e energjisë, me të cilat po përballet jo vetëm vendi ynë.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës parasheh disa masa të domosdoshme. Marrja e këtij vendimi sot, përveç që ka kufizimin ligjor, i cili buron nga Ligji për Energjinë, krijon mekanizma për vendimmarrje më të shpejtë, rrit vetëdijen dhe sensibilizon qytetarët për masat e kursimit të energjisë”, theksoi Kusari Lila.

Duke folur në emër të GP të PDK-së, deputeti Ferat Shala nuk i dha mbështetjen e grupit parlamentar këtij vendimi. Ai theksoi se brenda një viti menaxhimi nga kjo Qeveri, kanë ardhur tri kërkesa për situatë emergjente energjetike. Sipas tij, për masat e mëparshme nuk ka pasur asnjë impakt kthyes për qytetarin dhe asnjë raport se cilat kanë qenë efektet e këtyre masave.

“Para se të na vinte kjo kërkesë do duhej që Qeveria të na jepte një raport, për herën e parë dhe të dytë, se çfarë ka arritur ajo me shpalljen e masave emergjente energjetike. Cilat kanë qenë efektet pozitive në jetën sociale, ekonomike, dhe në tërë zinxhirin menaxhues industrial”, theksoi Shala.

Në emër të GP të LDK-së, deputetja Valentina Bunjaku paraqiti qëndrimin e grupit, duke u shprehur kështu kundër këtij vendimi. Vendimin e Qeverisë për masat e emergjencës me energji ajo e cilësoi joprofesional dhe pa përmbajtje konkrete dhe, si i tillë, vendim që nuk jep ndonjë zgjidhje.

“Vendimi i Qeverisë për masat e emergjencës me furnizimin me energji nuk është vendim profesional dhe as vendim me masa konkrete. Të gjitha masat parashikohen brenda këtij viti dhe ky vendim nuk përbën zgjidhje”, theksoi Bunjaku.

Nga GP i AAK-së, foli deputeti Pal Lekaj, i cili paraqiti qëndrimin pro të këtij grupi, lidhur me Propozim-vendimin e Qeverisë për Masat e emergjencës, duke dhënë edhe vërejtjet e tij. Ai theksoi se për hir të proceseve, por edhe për të mirën e qytetarëve e mbështesin këtë Propozim-vendim.

“Ne edhe vitin e kaluar ju kemi paralajmëruar që do të hyjmë në një krizë të thellë energjetike, por ju vendimin e parë dhe seriozitetin e parë e keni treguar pas tre muajve pasi kemi hyrë në krizë. Kjo qeveri është mësuar të zgjidh problemet ad hoc, pa strategji dhe vendimmarrje në kohën e duhur”, theksoi Lekaj.

Pas hedhjes në votim, me 61 vota për Kuvendi miratoi Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.

Në vazhdim të seancës, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi në lexim të dytë këto projektligje: Projektligjin nr.08/L-077 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-127 për regjistrimin e bujqësisë, Projektligjin nr.08/L-078 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-041 për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, Projektligjin nr.08/L-079 për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit nr. 02/L- 85 për peshkatari dhe akuakulturë, Projektligjin nr.08/L-080 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.2003/5 i Kosovës për Farërat, Projektligjin nr.08/L-081 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-085 për Bujqësi Organike, Projektligjin nr.08/L-082 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.04/L-120 për mbrojtjen e bimëve, Projektligjin nr.08/L-084 për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit nr.02/L-53 për gjuetinë, Projektligjin nr.08/L-085 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.2004/13 për materialin fidanor, Projektligjin nr.08/L-086 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit, Projektligjin nr.08/L-087 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.04/L-040 për rregullimin e tokës, Projektligjin nr.08/L-088

për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-111 për bletari, Projektligji nr.08/L-089 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.2003/10 për plehrat artificiale, Projektligjin nr.08/L-090 për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit nr.02/L-10 për përkujdesjen ndaj kafshëve, Projektligjin nr.08/L-091 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2004/21 për veterinarinë, Projektligjin nr.08/L-092 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-029 për inspeksionin bujqësor, Projektligjin nr.08/L-093 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L- 042 i produkteve për mbrojtjen e bimëve, Projektligjin nr.08/L-094 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L- 9 për ujitjen e tokave bujqësore, Projektligjin nr.08/L-095 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2003/9 për kooperativat e bujqve, Projektligjin nr. 08/L-112, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-26 për Tokën bujqësore, Projektligjin nr.08/L-111 për Arkivat Shtetërore, Projektligjin nr.08/L-071 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-060 për Mbeturinat, Projektligjin 08/L-83 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-08 për Verërat, Projektligjin nr.08/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-197 për Kimikate. Seanca vazhdoi punimet me interpelancën e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për çështjen: “Ligji i zyrtarëve publikë”, të ftuar nga shtatë deputetë të GP të AAK-së. Në emër të propozuesit të kësaj interpelance, deputeti Besnik Tahiri theksoi se për shkak të rëndësisë që ka tema në fjalë, ajo duhet të trajtohet bashkërisht dhe nga rekomandimet e sugjerimet e dala, do të plotësojnë si reformën e administratës shtetërore, po ashtu edhe ligjin në fjalë.  Ministri Sveçla, në fjalën e tij theksoi se kompletimi i kornizës ligjore aktuale është parakusht i arritjes së objektivit të qeverisë për modernizimin e administratës publike, i cili konsiston në lehtësimin për qasje në të, duke ua bërë më të lehtë qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve, si dhe një administratë që funksionon në bazë të meritorkacisë, profesionalizmit dhe efikasitetit. Andaj, sipas tij, ligji për zyrtarët publikë është një ndër ligjet që duhet t’i nënshtrohet procesit të rishikimit, në mënyrë që të arrihet deri tek piku i këtij ligji, që është kompletimi i kornizës ligjore, duke e çuar administratën shtetërore drejt modernizimit. Për më tepër, ministri Sveçla u shpreh se ministria përkatëse, përmes ndryshimeve që do ofrojë me Ligjin për zyrtarët publikë, synon t’i adresojë problemet që janë identifikuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e po ashtu edhe problemet e identifikuar në praktikë, gjatë kohës së implementimit të pjesërishëm të këtij ligji.  “Ligji për zyrtarët publikë, i cili sot pjesërisht është në fuqi, ka shfaqur një numër problemesh në zbatim, ku si ministri përgjegjëse kemi ofruar sqarime shtesë pothuajse për çdo normë të tij. Përveç kësaj, ligji ka shumë zbrazëti dhe anomali që kanë vështirësuar punën e përditshme dhe zhvillimin e administratës publike, duke përfshirë këtu vështirësinë e proceseve të rekrutimeve, mungesën e një mjedisi konkurrues, mungesën e mekanizmave efikas për matjen e performancës, mungesën të procesit të llogaridhënies, si dhe një sërë çështjesh të tjera të evidentuara përgjatë zbatimit të ligjit aktual”, tha ndër të tjera ministri Sveçla.

You may also like