Kuvendi i Maqedonisë së Veriut gjatë rishikimit të buxhetit, nuk ka kaluar ligjet e propozuara nga partia opozitare OBRM-PDUKM.
Ligjet e propozuara për heqjen e TVSH-së për ushqimet si dhe ulja e akcizës për derivatet nga 18 në pesë për qind deri në fund të vitit, nuk morën dritën jeshile nga shumica parlamentare.
Votat e opozitës nuk mjaftuan për të kaluar dhe miratuar këto dy ligje.
OBRM-PDUKM i dorëzon këto dy ligje për herë të katërt, dhe po aq herë janë refuzuar nga përfaqësuesit e qeverisë.
“Karburantet do të uleshin për 25 denarë për litër, ndërsa produktet ushqimore do të uleshin për 10 deri në 15 për qind. Domethënë, nuk do të ishte nevoja kur të dilje në market, për dy ose tre mijë denarë të blini vetëm disa produkte, ndërsa më herët me ato para i mbushnit shportat”, tha Bojan Stojanovski nga OBRM-PDUKM.
Kujtojmë se partia opozitare, OBRM-PDUKM vazhdimisht ka kritikuar qeverinë, me theks të veçantë Ministrinë e Ekonomisë për keqmenaxhim të situatës me krizën.