Kusari-Lila i quan politika madhore kërkesat e grevistëve: S’mund të vendoset ultimatum

by admin
Spread the love

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, i ka konsideruar kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura si politika madhore, për të cilat ajo thotë se mund të përcaktojnë edhe punën e një qeverisjeje katërvjeçare. Kusari-Lila thotë se nuk mund të vendoset ultimatum për t’i plotësuar këto kërkesa.

Shefja e GP të VV-së theksoi në “60 Minuta” të KTV-së të premten se nga grevat pasojat më të rënda po i bartin fëmijët. Ajo bëri thirrje që forma e pakënaqësisë nga mësimdhënësit të shprehet në mënyra të tjera.

“Viktima dhe gjegjësisht ata që po i bartin pasojat janë fëmijët. Fëmijët nuk kanë të bëjnë me përkatësi politike. Janë ata që pasojat e problemeve për mësim do t’i kenë afatgjata. Kjo si dukuri duhet t’i thërrasë ndërgjegjes së secilit që mund të ketë tjetër zgjidhje për shprehje të pakënaqësisë. Megjithatë, kërkesat e grevistëve janë tri politika madhore në secilin vend. Të vendoset një ultimatum për këto politika madhore që e karakterizojnë një qeverisje për katër vjet, është e tepërt. Është ngarkesë shumë e madhe. Qeveria ka treguar vullnet për ta trajtuar dhe për të bërë pjesë sindikatat në draftimin e të gjitha këtyre vendimeve”, ka thënë ajo.

BSPK-ja po kërkon shtesë 100 euro në muaj deri në miratimin e ligjit për paga, plotësim/ndryshimin e ligjit për pensionet dhe miratimin e sigurimeve shëndetësore. Pavarësisht dialogut me Qeverinë, ende nuk është arritur marrëveshja për të dalë nga greva e filluar më 25 gusht.

Lexo lajme interesante

You may also like