Agjencia Kundër Korrupsionit ka detyruar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila që të zgjedh mes pozitës së deputetes dhe pozitës së drejtoreshës së në një organizatë jo-qeveritare.
Vendimi i marrë nga Anti-Korrupsioni më 10 gusht të këtij viti, me arsyetimin se Kusari-Lila është përfaqësuese e autorizuar, drejtoreshë ekzekutive në OJQ-në “StayIn” dhe në të njëjtën kohë ushtron mandatin si deputete, që sipas ligjit në fuqi mund të përbëjë konflikt të mundshëm interesi.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se fillimisht AKK-ja e ka njoftuar Kusarin se ka filluar procedurat e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konflikt interesit ndaj saj.
Ndërkohë, pas njoftimit, deputetja e LVV-së është pajtuar me gjetjet e Anti-Korrupsionit. Ka deklaruar se OJQ-ja është jofunksionale që 15 vite. Ajo ka premtuar se menjëherë do të ndërmarrë veprime që të shmangë gjendjen e konfliktit të interesit.
“Pas analizës së informatave të lartë, Agjencia konstatoi se zyrtarja e lartë, znj. Mimoza Kusari-Lila është tërhequr nga funksioni në OJQ, sikurse parashihet me nenin 19 paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, të LPKI-së. Në atë mënyrë, Agjencia konstatoi se me veprimet që i ka ndërmarrë zyrtarja e lartë, është shmangur gjendja e konfliktit të interesit përkatësisht papajtueshmërisë me ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin e AKK-së, shkruan Paparaci.
Rrjedhimisht, pas dorëheqjes së Kusari-Lilës nga funksioni në atë OJQ, Agjencia Kundër-Korrupsion e ka mbyllur rastin ndaj saj.
AKK-ja, në vendim ka paralajmëruar se rasti mund të hapet në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja; konkretisht nëse deputetja Kusari-Lila ndërmerr veprime në udhëheqje të OJQ-ve tjera.