Kurti përmbledh takimet në Greqi: Integrimi i Ballkanit në BE dhe NATO i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më anë të një shkrimi në Facebook ka përmbledhur të gjitha takimet që ky i fundit i ka zhvilluar në Delfi të Greqisë në kuadër të Forumit Ekonomik.

Kurti ka thënë se temat qëndrore të takimeve që zhvilloi në Greqi ishin Siguria në Evropë pas invacionit dhe agresionit rus në Ukrainë dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai tregon se me kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefir Zhaferoviq ka biseduar mbi mundësinë e forcimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe BeH, shkruan Shqip.

Në anën tjetër, ai ka treguar edhe për takimin e tij me emisarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak më të cilin thotë se ka biseduar mbi mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe hapat e mëtejshëm.

Kurti gjithashtu është takuar me kryeministrin e Bullgarisë Kiril Petkov dhe kryediplomatin grek Nikos Dendias me të cilët ka biseduar për mundësinë e zhvillimit të bashkëpunimit më të thellë mes shteteve në aspektin ekonomik e tregtar.

Ai ka thënë se gjatë drekës kanë diskutuar edhe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu shprehet se ka theksuar se Kosova qëndron syhapur karshi lidhjeve të thella të Rusisë me Serbinë të cilat i sheh si rrezik për destabilizimin e rajonit.

“Për paqen dhe stabilitetin afatgjatë është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.”, shkruan Kurti.

Ky është njoftimi i plotë:

Siguria në Evropë dhe në rajon pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbizotëruan temat e takimeve që pata gjatë tri ditëve të Forumit Ekonomik, në qytetin antik Delfi, në Greqi.
Në ditën e parë të Forumit u takova me Kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, z.Shefik Xhaferoviq, me të cilin biseduam mbi mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, përkundër pengesave politike.
Me Kryeshefin Ekzekutiv të Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë (IFSWF), z.Duncan Bonfield diskutuam për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës dhe mënyrat se si IFSWF mund të na ndihmojë me dijen dhe përvojën e tyre.
Në ditën e dytë takova Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z.Miroslav Lajçak, me të cilin biseduam për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe hapat e ardhshëm në këtë proces.
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar ma rikonfirmoi në takim mbështetjen e ShBA-së për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe për aspiratat për integrime evropiane dhe euroatlantike.
Me Kryeshefin Ekzekutiv të Copelouzos Group, z.Christos Copelouzos folëm për mundësitë që Kosova ofron për investime, me fokus te burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Në takimet e ndara me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Dimitar Kovaçevski, Kryeministrin e Bullgarisë, z.Kiril Petkov dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z.Nikos Dendias, diskutuam për avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve tona.
Në përmbyllje të Forumit mora pjesë në drekën e shtruar nga Kryeministri i Greqisë, z.Kyriakos Mitsotakis, së bashku me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z.Dimitar Kovaçevski, Kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, z.Zdravko Krivokapiq, Kryetarin e Qeverisë së Bosnje Hercegovinës, z.Zoran Tegeltija dhe Kryeministrin e Bullgarisë, z.Kiril Petkov.
Gjatë drekës diskutuam për rëndësinë e luftimit të korrupsionit, demokratizimin e rajonit dhe integrimin evropian, si shtylla të domosdoshme për paqe e prosperitet në Ballkan.
Biseduam për situatën në Ukrainë dhe për solidarizimin e mbështetjen për luftën çlirimtare të popullit ukrainas. Theksova që duhet të jemi syhapur karshi lidhjeve të gjera dhe të thella të Federatës Ruse dhe Serbisë dhe rrezikun që paraqesin për destabilizimin e rajonit. Për paqen dhe stabilitetin afatgjatë është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
Bashkë me mua nē Forumin Ekonomik të Delfit ishin edhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme e Diasporës, znj.Donika Gërvalla, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi dhe udhëheqësi i Zyres së Interesave të Kosovës në Athinë, z. Fitim Gllareva.
Gjatë Forumit pata edhe një bashkëbisedim me gazetaren e “Politico Europe” dhe Agjencisë së Lajmeve ANA, znj. Nektaria Stamouli. Bisedën mund ta ndiqni në vjegëzën e mëposhtme:https://bit.ly/3NXO1QH.

You may also like