Kurti në Ditën Botërore të Habitateve: Qytetet janë bërthama nga ku fillon zgjidhja e problemit me ndotjen dhe krizën mjedisore

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Derisa qytetet janë burimi kryesor i ndotjes, ato janë edhe bërthama nga ku fillon zgjidhja e problemit që kemi me ndotjen dhe krizën mjedisore. Transformimi i qyteteve nënkupton qeverisje me një mendësi tjetër dhe planifikim të mirëfilltë strategjik në harmoni me natyrën, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në shënimin e Ditës Botërore të Habitateve.

Në fjalën e tij, në ngjarjen e organizuar nga UN Habitat, vëmendje e veçantë iu kushtua qyteteve dhe kapaciteteve që kanë ato në reduktimin e nivelit të emetimeve të karbonit, ndërsa prodhimi i energjisë, transporti dhe ngrohja individuale u theksuan si kontribuuesit më të mëdhenj në emetimin e gazrave.

“Është e domosdoshme që ne të ndërmarrim hapa konkret në reduktimin e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit që kemi në qytetet tona, i cili ndikon në shëndetin e qytetarëve tanë me vdekje të parakohshme dhe cilësi të dobët të jetës”, tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se qytetet që kemi sot ofrojnë mundësi të shumta që të reduktojmë nivelin e dioksidit të karbonit dhe në të njëjtën kohë të përmirësojmë standardet e jetesës, duke bërë qytetet tona të shëndetshme dhe me ekonomi të qëndrueshme.

Kryeministri tha se me mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tonë ne mund të zhvillojmë një sistem të transportit publik më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.
“Kjo do të na ndihmojë të ulim emetimet, të përmirësojmë cilësinë e ajrit, zhurmën, shëndetin, mirëqenien, të zvogëlojmë bllokimet dhe të krijojmë vende pune me cilësi të lartë,” shtoi ai.

E hëna e parë e tetorit të çdo viti është përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për shënimin e Ditës Botërore të Habitateve, që këtë vit u shënua me temën “Përshpejtimi i aksioneve urbane për një botë pa karbon”. Qëllimi i kësaj dite është reflektimi mbi gjendjen e habitateve tona dhe mbi të drejtën themelore të të gjithëve për strehim adekuat dhe si përkujtim  për fuqinë dhe përgjegjësinë që kemi në formësimin e të ardhmes së qyteteve dhe qytezave tona.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani,

E nderuar Koordinatore për Zhvillim të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, znj. Ulrika Richardson,

I nderuari Shef i Zyrës së UN-Habitat-it në Kosovë, z. Omar Siddique,

I nderuar ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, 

E nderuara deputete e Kuvendit të Republikës, znj. Fitore Pacolli,

Të nderuar partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Sot po shënojmë Ditën Botërore të Habitateve, ku vëmendje e veçantë i kushtohet qyteteve dhe kapacitetet që kanë ato në reduktimin e nivelit të emetimeve të karbonit.

Derisa qytetet janë burimi kryesor i ndotjes, ato janë edhe bërthama nga ku fillon zgjidhja e problemit që kemi me ndotjen dhe krizën mjedisore. Transformimi i qyteteve nënkupton qeverisje me një mendësi tjetër dhe planifikim të mirëfilltë strategjik në harmoni me natyrën.

Qytetet që kemi sot, ofrojnë mundësi të shumta që të reduktojmë nivelin e dioksidit të karbonit dhe në të njëjtën kohë të përmirësojmë standardet e jetesës, duke bërë qytetet tona të shëndetshme dhe me ekonomi të qëndrueshme.

Është e domosdoshme, që ne të ndërmarrim hapa konkret në reduktimin e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit që kemi në qytetet tona, i cili ndikon në shëndetin e qytetarëve tanë me vdekje të parakohshme dhe cilësi të dobët të jetës.  

Kontribuuesit tanë më të mëdhenj në emetimin e gazrave serë, mbeten ngrohja individuale, prodhimi i energjisë dhe transporti.

Qytetet në bashkëpunim me nivelin qendror mund luajnë rol të rëndësishëm në reduktimin e ndotjes, që emetohet nga ngrohja individuale dhe transporti.

Ajo çfarë na nevojitet që të kemi sukses, është të kemi koordinim të ngushtë të nivelit qendror dhe atij lokal, si dhe në bashkëpunim me partnerët tonë. Derisa nga niveli qendror mund ofrohet mbështetje në projektet madhore, në nivelin lokal, në bashkëpunim me komunitetin, mund të merren veprime të menjëhershme. 

Niveli lokal ka kapacitete dhe mundësi, që fillimisht të fillojë me uljen e nevojës për konsum të energjisë, përmes ndërhyrjes në sektorin e ndërtesave publike dhe sektorin e ndërtesave të banimit, zhvillimin e skemave të riciklimit të mbeturinave, krijimin e një sistemi të integruar të transportit publik urban dhe me ndihmën e nivelit qendror dhe përmes bashkëpunimit ndërkomunal, mund të fillohet me zhvillimin e një sistemi të integruar të transportit të pastër ndërurban.

Me mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tonë, ne mund të zhvillojmë një sistem të transportit publik më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm. Kjo do të na ndihmojë të ulim emetimet, të përmirësojmë cilësinë e ajrit, zhurmën, shëndetin, mirëqenien, të zvogëlojmë bllokimet dhe të krijojmë vende pune me cilësi të lartë.

Ne nuk kemi një sistem të njësuar të transportit në nivel urban dhe ndër urban dhe si rrjedhojë e kësaj, qytetarët tanë varen shumë nga transporti individual. Qytetarët kanë tendencë të shfrytëzojnë më shumë transportin e tyre privat në krahasim me atë publik, sepse ne nuk kemi arritur akoma t’ju ofrojmë një transport adekuat dhe funksional.

Siç e dimë, sjellja dhe mënyra e udhëtimit, që qytetarët tonë zgjedhin, shpesh përcaktohet nga ajo se çfarë iu ofrojmë ne nga niveli lokal dhe ai qendror. Në qytetet tona, ku qasja apo arritja më e lehtë dhe më e shpejtë te shërbimet bëhet përmes automjeteve individuale, atëherë në mënyrë indirekte ne vazhdojmë të promovojmë këtë formë të mobilitetit.

Nëse në qytetet tona për të lëvizur lehtë dhe shpejtë nga një pikë në tjetrën, vendosim opsion ecjen, biçikletën dhe autobusin, kjo në mënyrë automatike do të përcakton edhe zgjedhjen e  mënyrës së udhëtimit për qytetarët.

Zhvillimi i një sistemi më të pastër dhe më të qëndrueshëm të transportit publik është shumë e nevojshme, por edhe e realizueshme.

Sektori tjetër ku mund të ndikojmë në reduktimin e ndotjes është ngrohja individuale, që përdoret gjatë sezonës së dimrit.

Sipas një studimi rreth 53% e ndotjes së ajrit te ne, vjen nga amvisëritë, që djegin qymyr për ngrohje.

Përveçse po vazhdojmë me zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, sidomos në lagjet ku dendësia e banimit është e lartë, ne bashkë me nivelin lokal mund të shohim mundësitë për modalitete tjera alternative të ngrohjes gjatë dimrit. Kështu do të largonim nga përdorimi  thëngjillin, i cili akoma përdoret për ngrohje nëpër banime individuale shumë më shumë se ç’mendohet e besohet.

Dy sektorë tjerë tejet të rëndësishëm për të bërë pastrimin e qytetit dhe reduktimin nivelit të ndotjes është sektori i ujërave të zeza dhe i mbeturinave. Është prioritet yni që të bëjmë ndarjen e ujërave atmosferike nga rrjeti i kanalizimit, duke pastruar kështu përfundimisht lumenjtë dhe përroskat e qytetit. Kështu do të reduktonim edhe ndotjen në ujërat nëntokësor. 

Sa i përket mbeturinave, ne akoma nuk kemi arritur të ndërtojmë një sistem funksional për menaxhim dhe riciklim të mbeturinave. Ne po punojmë, që të modernizojmë ndërmarrjet publike rajonale dhe po shohim mundësitë për shtimin e kapaciteteve të tyre për mbledhjen dhe menaxhimin e mbeturinave, si dhe në ndërtimin e deponive të reja, në të cilat do të integrohet edhe sistemi i riciklimit.

Sot, teksa shënojmë Ditën Botërore të Habitateve, ia përkujtojmë vetes dhe njëri-tjetrit se planeti ynë është jo vetëm vendi ku jetojmë, por edhe vendi ku banojmë, e jetesa jonë nuk do të duhej ta rrezikonte banimin tonë.

Nuk do të mund të jetojmë nëse nuk do të mund të banojmë.

Me një rast, ish-presidenti amerikan, Obama, e ka thënë shumë qartë, thjeshtë dhe saktë, se cilat janë dy sfidat kryesore për njerëzimin në shekullin 21; është pabarazia shoqërore dhe ndryshimet klimatike. Pra, ndryshimet klimatike dhe pabarazia shoqërore.

Njerëzimi, pa dyshim se do të përgjigjet, meqenëse e ka të domosdoshme të reagojë. Mirëpo, fati i njerëzimit në këtë shekull, varet nga përgjigja që do e japë në këto dy çështje themelore.

E ne, le ta bëjmë punën tonë në Kosovë, teksa mendojmë për gjithë planetin.

Qeveria, komunat, qytetarët me organizatat dhe komunitetet e tyre, si dhe partnerët ndërkombëtarë, pa dyshim se bashkë, mundemi dhe do të bëjmë edhe më shumë edhe më mirë.

Ju faleminderit.

You may also like