Kurti: Ligji për zyrtarët publikë dhe ai për pagat, hap i madh përpara ndryshimit thelbësor

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ligji për zyrtarët publikë dhe ai për pagat në sektorin publik, dy pjesë të të njëjtit projekt, janë një hap i madh përpara ndryshimit thelbësor që e presin të gjithë.

Ai i ka falënderuar të gjithë deputetët dhe deputetet që mbështetën sot me votën e tyre këto dy ligje bazë për reformën në administratë publike, transmeton Klan Kosova.

“Përmes këtij ligji, ne do ta ngritim profesionalizmin e administratës publike, si dhe kapacitetet e saj për të dhënë shërbime të shpejta e cilësore, për shtetin e qytetarët”.

Sipas tij, me Ligjin për Zyrtarët Publik kemi krijuar, ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për:

– Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike;

– Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore (mërgata, praktika për të rinjtë e rejat);

– Hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese;

– Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori;

– Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;

– Jetësim i konceptit të karrierës (mundësi ngritje në karrierë për shërbyesit civil duke përfshirë edhe ata nga programet e bursave si Young Cells Scheme);

– Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale;

– Matje e drejtë e performancës dhe cilësisë.

Ndërsa Ligji i Pagave në Sektorin Publik themelon për herë të parë sistemin e unifikuar të pagave bazuar në ligjshmëri dhe transparencë, drejtësi e barazi.

Përmes këtij Ligji, dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë. Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikës:

– Dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë.

– Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit është 2.88 herë.

– Dallimi në mes të pagës së kreut të shtetit, Presidentes, dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë.

– Mjeku specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe prokurorinë themelore dhe të përafërt me Profesorin e rregullt.

Shkallëzimi i drejtë i raportit të koeficienteve është bërë duke zbatuar parimin që paga më e lartë të jetë jo më shumë se pesë (5) herë më e lartë sesa paga më e ultë, dhe jo më shumë se tre (3) herë më e lartë sesa paga mesatare e përllogaritur sipas Ligjit të Pagave.

Duke falënderuar secilën e secilin që i ka kontribuar këtij procesi jetik për institucionet tona, u sigurojmë që reforma legjislative është vetëm hapi i parë në rrugëtimin tonë për administratë bashkëkohore, profesionale dhe efikase.

klankosova.tv

You may also like