Kurti fajëson “ata që qeverisën për dy dekada” për krizën e thellë energjetike: S’kishin si ta linin Kosovën ndryshe pos në terr e skëterrë

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij në mbledhjen e 45-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka kritikuar ish-qeveritë për gjendjen në të cilën gjendet shteti.

Kurti ka thënë se me të marrë pushtetin kanë gjetur një shtet të shtrirë përtokë që gjakonte dhe të papërgatitur për sfidat e shekullit 21.

Ai po ashtu ka folur për krizën energjetike, ku ka thënë se e kupton frustrimin e qytetarëve dhe se edhe vet është i frustruar me mungesën e energjisë. Por ai ka shtuar se kjo duhet shërbejë si rikujtim për gjendjen në të cilën e kanë lënë shtetin qeveritë e kaluara.

“Fitorja e 14 shkurtit e Vetëvendosjes ishte e domosdoshme më shumë sesa e nevojshme për ta shpëtuar vendin. Ajo që gjetëm në shumë pjesë ishte më keq se që e mendonim. Një shtet përtoke që gjakonte në gjitha anët e tërësisht i papërgatitur për sfidat e shekullit të 21-të. E në kulmin e këtyre problemeve këtë vit kishim edhe luftimin e vazhdueshëm me pandeminë COVID-19. Dhe një ndërmarrje masive sikurse vaksinimi i popullsisë, sfidë që e kaluam me sukses duke përmbushur premtimin për vaksinimin e mbi 60 për qind të popullatës së vaksinueshme. Tash po përballemi edhe me një sfidë tjetër, Kriza energjetike e shkaktuar sa nga faktor të jashtëm jashtë kontrollit tonë po aq edhe nga mungesa e vizionit për të marrë vendime për të ardhmen nga ata që qeverisën për më tepër se dy dekada. Derisa kërkesa për energji nga qytetarët e ekonomitë është rritur për çdo vit, prodhimi nga KEK-u ka mbetur i njëjtë e ndërkohë ka pasur edhe vjedhje e vendime të gabuara që e kanë sjellë sektorin energjetik buzë kolapsit”, ka thënë Kurti.

“E kuptoj frustrimin e secilit qytetar me mungesën e energjisë elektrike, më besoni edhe vet jam i frustruar. Por, le të jetë ky një rikujtim për gjendjen në të cilën e lanë shtetin ata që qeverisën për dy dekada, sepse si njerëz të territ që ishin e që punët i bënin natën jashtë syve të qytetarëve, ata s’kishin si ta linin Kosovën ndryshe pos në terr e skëterrë”.

Kurti ka thënë se gjatë vitit që vjen do të dilet me propozime për zgjidhje afatgjate të problemit të energjisë. Synimi ai thotë se është që çdo vit të investohet në energji të ripërtritshme.

You may also like