Një delegacion nga Tetova, i udhëhequr nga Menduh Mustafa dhe Ibrahim Abdylmexhidi, më 8 janar 1942 arriti në Tiranë, me ç’rast, ata në emër të më shumë se 150 shqiptarëve të atij qyteti me rrethinë, kryeministrit shqiptar i dorëzuan një Përkujtimore, përmes së cilës përshkruhej gjendja e rëndë ekonomike te banorëve shqiptarë të asaj krahine si dhe të krahinave tjera shqiptare që për rreth 30 vjet kishin qenë nën zgjedhën serbo-jugosllave. Tërë kjo situatë, siç bëhet me dije në këtë Përkujtimore, ishte rrjedhojë e politikës diskriminuese të ish regjimit jugosllav, i cili për t’i detyruar shqiptarët t’i lëshonin vatrat e tyre e të shpërnguleshin për në Turqi, ua konfiskoi tokën e bukës
Nga Qerim LITA
Me ardhjen e Mustafa Merlika-Krujës, në krye në Qeverisë Shqiptare, u ngjallën shpresat e shqiptarëve në përgjithësi, e të Tokave të Liruara në veçanti, se për ta do vijnë ditë më të mira. Në fjalimin e mbajtur më 10 dhjetor 1941, para Asamblesë Kombëtare, ai ndër të tjera u shpreh se po i drejtohet mbarë popullit shqiptar prej: “Kosovës kreshnike, Hotit, Grudës e Triepshit, prej Plavës e Gucis në Dibër, Tetovë dhe Liqejt e bukur t’Ohrit e të Prespës. Asht e para herë, vazhdon më tej Kruja, qi këto vise deri dje të robnueme, këto toka të shenjta shqiptare ndëgjojnë zanin plot mallëngjim të një kryeministri të vet, të gjakut të vet, t’Atdheut të vet. Bashkimi i tyne me vllaznit e tjerë të Shqipnis na mbush zemrat me nji gzim aqë të madh sa dita e shpalljes s’indipedencës s’Atdheut t’onë t’adhuruem…”.
Të nxitur nga ky fjalim i Krujës, një delegacion nga Tetova, i udhëhequr nga Menduh Mustafa dhe Ibrahim Abdylmexhidi, më 8 janar 1942 arriti në Tiranë, me ç’rast, ata në emër të më shumë se 150 shqiptarëve të atij qyteti me rrethinë, kryeministrit shqiptar i dorëzuan një Përkujtimore, përmes së cilës përshkruhej gjendja e rëndë ekonomike te banorëve shqiptarë të asaj krahine si dhe të krahinave tjera shqiptare që për rreth 30 vjet kishin qenë nën zgjedhën serbo-jugosllave. Tërë kjo situatë, siç bëhet me dije në këtë Përkujtimore, ishte rrjedhojë e politikës diskriminuese të ish regjimit jugosllav, i cili për t’i detyruar shqiptarët t’i lëshonin vatrat e tyre e të shpërnguleshin për në Turqi, ua konfiskoi tokën e bukës. Sikur kjo nuk u mjaftoi, serbomëdhenjtë filluan tua konfiskojnë shqiptarëve edhe pronat tjera që i trashëgonin brez pas brezi si: vreshtarinë, livadhet, kullotat, pyjet etj., me çka varfëria e tyre arriti kulmin. Pa u vonuar fare, Mustafa Kruja, një kopje të Përkujtimores ia përcolli Ministrisë së Tokave të Liruara, duke kërkuar nga ajo që të bëj një hulumtim dhe propozim për zgjidhjen sa më parë të kësaj çështjeje tejet me rëndësi jo vetëm ekonomike, por edhe politike dhe kombëtare. Në fakt, problemi i kthimit të pronave të konfiskuara në Tokat e Liruara, doli në sipërfaqe që në momentin kur këto toka iu bashkuan Shqipërisë, me ç’rast, Komisari i Lartë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë, Fejzi Alizoti, solli një vendim të përkohshëm sipas të cilit, bujqit që punonin tokat e huaja obligoheshin që 1/5 e prodhimit vjetor tua dorëzojnë ish pronarëve.
Ndërkohë, gjatë muajit maj të vitit 1942, Mustafa Kruja, urdhëroi ministrin e Tokave të Liruara, Eqerem bej Vlorën, të angazhoj një grup specialistësh, të cilët pasi të bëjnë studimin e nevojshëm, Qeverisë shqiptare t’i ofrojnë një Projekt Ligj.
Për rrjedhojë, ministri Vlora, emëroi një ekspert italian të kësaj fushe, Prof. G. Lorenzoni, si dhe Gjon Mark Gjonaj. Përkundër përpjekjeve të shumta si nga ana e dy ekspertëve të më sipërm, po ashtu edhe nga vetë ministri Eqerem bej Vlora, kjo çështje nuk mori një zgjidhje përfundimtare. Ky i fundit, më 3 korrik 1942 i raportonte Këshillit të Ministrave, se moszgjidhja e problemit të Reformës Agrare: “me afrimin e stinës verore, shpirtnat në Tokat e Lirueme kanë ardhur tue u ndezë dhe tue u egërsue”. Si pasojë e këtij ashpërsimi “nji shumicë e madhe e shqiptarëve të atyne viseve” janë ndarë në dy grupe të forta duke u krijuar dy fronte: “ay i pronarëve që, në pritje të nji vendimi definitiv të çështjes tokësore nga ana e Qeveris qendrore, dëshirojnë që të vazhdojë zbatimi i urdhënit të Komisariatit të Naltë Civil mbi dhënjen e ¼-ës së prodhimit” dhe tjetri i “formuem prej bujqëve të cilët nuk duen t’u japin asgja pronarëve të vjetër”. Nga të dhënat që i posedonte ajo ministri, vlerësohej se vetëm në të “tri Prefekturat e Kosovës” ndodheshin rreth 125.000 banorë të interesuar për zgjidhjen e çështjes tokësore në favor të pronarëve të vjetër”, të cilët siç thekson ministri Vlora në vazhdim të raportit “ata, si pasojë e zbatimit të Reformës Agrare Jugosllave, ma parë, dhe të ligjit të Kollonizimit, ma vonë, kanë qenë zhveshun nga pasunit e tyne dhe kanë vuajtur për 30 vjet”. Përballë këtyre ndodheshin 150.000 banorë, të cilët falë Reformës Agrare dhe Ligjit për Kolonizim ishin bërë pronarë, prej tyre 70%, përkatësisht rreth 105.000 sllav dhe 30% ose 45.000 shqiptarë.
Është e rëndësishme të vihet në pah fakti se, ky problem nuk gjeti një zgjidhje përfundimtare, jo për shkak kolonistëve serb, por për shkak bujqve shqiptarë, sidomos në rrethin e Gjakovës, të cilëve ish pushtuesit serb-jugosllav, me qëllim të krijimit të një hasmërie ndërvllazërore u kishte shpërnda tokë të konfiskuar nga pronarët shqiptarë. Që ky problem të mos shkaktoj ndonjë konflikt vëllazëror, ministri Eqerem bej Vlora, i propozonte Qeverisë shqiptare të ndërmerren këto masa:
- Përmes një vendimi ose dekret-ligji të ri të vazhdohet zbatimi i urdhrit të sipërpërmendur të Komisariatit të Lartë Civil në të gjitha Tokat e Liruara;
- Në këtë Vendim Qeveria Mbretërore të deklarojë, njëkohësisht, se ka për t’iu dhënë atyre bujqve të merituar një shumë në të holla. Natyrisht kjo shumë do të jetë vetëm për bujqit shqiptarë myslimanë dhe katolikë;
- Një porosi më kategorike deri te KK. MM. për të bashkëpunuar me autoritetet administrative të vendit në zbatimin e urdhrit të sipërpërmendur;
- Qeveria Mbretërore të marrë një vendim për zgjidhjen e çështjes së Kolonizimit duke shpall Dekretin relativ, në mënyrë që tu bëjë me dije gjithë të interesuarve të Tokave të Liruara se ajo me të vërtetë është e interesuar për çështjen e tyre jetike.
Këto propozime u pranuan nga Qeveria Shqiptare dhe më 30 gusht 1942, u soll Dekreti Mëkëmbësor, me të cilin obligoheshin bujqit të cilët kishin marrë tokë në bazë të Reformës Agrare dhe Ligjit për Kolonizim të ish Mbretërisë Jugosllave t’u dorëzojnë ish pronarëve të tokave një të pestën e prodhimit të përgjithshëm vjetor. Është e rëndësishme të thuhet se autoritetet gjermane kishin filluar të zbatonin një masë të tillë, përkatësisht, parimin e dhënies së ¼ të prodhimit ish pronarëve edhe në Qarkun e Mitrovicës.
Në vazhdim po e japim të plotë dhe në formë origjinale, Përkujtimoren që delegacioni nga Tetova, më 8 janar 1942 ia dorëzoi, kryeministrit shqiptar, Mustafa Merlika Kruja, e cila ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, fondi “Kryeministria (149) pas 7 prillit 1939”:
“P. T.
Kryesisë së Këshillit Ministruer
Tiranë
Shkelqesi,
Ne të nënshkruemit, Menduh Mustafa e Ibrahim Abdyl Mexhid, të mbështetun n’akt-autprizimin të dhanun prej njiqind e pesdhet e sa vetvet, nga banorët e qytetit të Tetovës, vijmë me i parashtrue asaj së Shkëlqyeshmes Kryesi të Këshillit të Ministravet, këtë përkujtimore në lidhje me gjendjen ekonomike të krahinës sonë. Edhe për me fillue në themel të punës, nisim si vijon, tue e pjestue çashtjen ndër katër pikat më kryesore qi paraqet kjo gjendje.
I.- ÇASHTJA AGRARE:
Me qëllim qi me shtrëngue Shqiptarët me lanë trojet e veta, tue nisë prej grabitjes së kafshatës së gojës, ma të parit element të gjallnis, qe zbatue në Kosovën e robnueme përsa ngjati zgiedha nji ligjë e pagzueme hironikisht “Ligja e reformës agrare”. Në fakt kjo nuk ke tjetër veçse nji mjet si e si me shkatrrue bujqësin shqiptare në vend qi t’a përmirësonte, si ka qëllim nji e tillë ligjë e përdorun ndër shum shtete bujqësore. Tokat e shqiptarëvet nëpër zbatim të kësaj ligje, ç’prej nji dynymi (dylymi-Q.L.) e deri ndër mija dynymesh, iu dhanë dhunti serbvet e putorëvet të tyne në nji trajtë barbare në mënyrë qi këto toka tue iu lanë shqiptarëvet në nji anë me të drejtë përgjyse, u shtrunguen n’anën tjetër prap me iu punue gjysmën serbvet. Këto lloj tokash edhe sot gjinden ndër durë të serbvet me gjith lirin e fitueme nën hijen e nji Perandorie ngallnyese nëpër armët e veta, e si për shembull citojmë këtu edhe emna: Kandiqi, Filip Filipoviç (bile ky i aratisun), Gjore Kazak, Risto Kara, Vlado Jarina, Gavro Fukara etj. etj., serb shovinista e komitaxhi. Tuej vijue këta në persekutimet gjaksore kundra shqiptarëvet, morrën në anë tjetër pa as ma të voglin mundë frytet e prodhimet e tokavet të lavrueme prej shqiptarëvet e të posedueme brez mbas brezi prej këtyne.
Fatkeqsija për krahin t’onë konsiston në mos zbatimin, në krahinën t’onë, nuk dihet për ç’arrsye të masavet të marruna prej Komisarjatit të suprimuem, për nxjerrjen e nji të katërtë të prodhimit të pronave të zaptueme në mbarë Kosovën.
II.-GJENDJA E VËNESHTAVE, LIVADHEVE E TJERA:
Si e si me e shtypë elementin shqiptarë, për me shkaktue ma në fund largimin e tij prej Kosove, serbët përdorën dhe nji tjetër mjet. Pjesët e tokave si vëneshta e livadhe si dhe pronët si shtëpija, dyqane e mullij, të zotnuem prej shqiptarvet, të larguem përkohësisht prej Jugosllavije, por qi mbashin gjithnji shtetsin Jugosllave, u zabtuen arbitrarisht, me gjithëse këto lloj pasuninash nuk i përshinte e vet-thanuna ligjë e reformës agrare, dhe iu dhuruen komiteteve serbe, tue u konsiderue si pasuni e shkretë. Këtu citojmë sa për provë familjen e Abdyl Hamidit.Tue qenë jashtë nji pjesëtarë i kësaj familje, iu zaptue kësaj e tanë pasunija: d.m.th. tue përfshi në këtë masë barbare edhe pjesët e tjera pjesëtarëvet të ndodhun mrena shtetit.
III.- GJENDJA E KULLOTJEVET E E PYJEVET:
Kullotjet e pyjet e zotnueme me tapi prej Shqiptarëvet u zaptuen prej Ministris së Pyjevet. Shqiptarët iu drejtuen gjyqevet me përkthimet e akt zotnimevet të tyne në dorë edhe kërkuen njoftjen e privatësis, por më kot, me vjet e vjetë mbeten me durë thatë. Disa serbvet qi iu kjenë zaptue këto lloj pasunish iu kthyen, e Shqiptarëvet jo. Citojmë si provë emnat e serbvet qi morrën rishtazi këto pasuni: Vaso Petro Pasha, Alesandar Pavliq, Ilo Maçorçe, Tomo Sarafin, Tomo Zake etj. etj.
IV.- BANKA INDUSTRIALE:
Ky Institut i themeluem gjoja për qëllime e veprime bankare, në të vërtetë nuk kje tjetër veçse nji kurthë e kurdisun për me masakrue ekonomikisht elementin shqiptar, i cili, me gjithë persekutimet barbare të serbvet, kishte vendosun me resistue dhe mos u largue vendit të vet. Shqiptarët qi kishin rrezik me marrë të holla uha prej kësaj çerdhe grabitçare me qëllim qi të përballojshin mjerimet ekonomike të shkaktueme prej zbatimit të vet-thanunës reformë agrare, u detyrojshin me pague si shpenzime e kamatë deri në 50%. Si me thanë, nji debito 5.000 dinarësh ndër 3 vjet detyrohej me pague 50.000 e ma dinarë; e në pa mundësi pagese kalonte ndër durë të asaj çerdhe grabitçare pasunija e shqiptarëvet me vleftë fare të madhe për nji shumë të vogël t’uhajtun (të huazuar – Q. L.). E vet-thanuna Bankë ose e mbante për veti atë pasuni ose u-a shiste serbvet për asgja çmim.
Shkelqesi,
Kjo asht gjendja e krahinës s’onë, gjendja qi vijon për fatkeqësin t’onë edhe sot. I drejtojmë këto përkujtimore Shkelqesis s’Uej, tue Ju njoftë të kaluemen patrijotike dhe ndijat e nalta qi keni ushqye gjithmonë gjatë luftimit t’uej me pendë e me pushkë për të drejtat e kësaj toke deri dje e robnueme. Ma tepër na dha guzim për këtë hap qi po bajmë, letra qi na drejtuet tash së fundi, ku në bujarin e Juej na premtoni ditë të lulzueme për vendin t’onë, për të cilat nuk kemi as ma të voglin dyshim se nuk do t’agojnë për ne. E çmojmë gjendjen anormale botnore edhe nuk kërkojmë atë çka kishte me i përket me u realizue në nji kohë normale. Por lypim aq sa mund të realizohet sot. E pra përmbledhim kërkimin t’onë:
- a) Në dërgimin e nji Komisjoni në vend për të hetue sa rreshtuem sipri. Të gjitha regjistrat qi ndodhen sot në vend kanë me vërtetue deklaratat t’ona.
- b) Në dhanjen fund sa mashpejt t kësaj gjendje anormale qi mbretnon vetëm në vendin tonë e qi mban, si përpara, banorët në ma të madhen zgiedhë ekonomike.
Tiranë, më 8 Kallnuer 1942-XX
Me nderime të posaçme
N’emën të banorëve të krahinës së Tetovës
Menduh Mustafa d.v.
Ibrahim Abdyl Mexhit d.v.”