Kur Suli punonte me kravatë, shumica e pyesnin se me çfarë diplome ka ardhur në Zvicër

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ishin fillimet e dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, kur bashkatdhetarët tanë kishin vërshuar kantieret zvicerane, duke u përkujdesur për familjet e tyre, por edhe të atyre që u kishin mbetur në vendlindje. Migrimi në Zvicër dhe përgjithësisht në vendet perëndimore, do të thoshte se ekzistenca do të duhej të sigurohej përmes djersës së pamëshirshme të lopatës e kazmës, me duar të ënjtura e me shpinë të amortizuar deri në mpakje. Ishin të rrallë ata që i përballonin kësaj katrahure nëpër kantieret perëndimore, por kishte edhe të atillë që tashmë ishin përgatitur për një mundim të tillë, falë strukturës së tyre fizike e mirëmbajtjes së tyre të trupit përmes sportit.

Njëri nga ta ishte edhe Sulejman Islami nga Saraji i Shkupit, i cili në Zvicër erdhi në vitin 1980, e i cili në rininë e tij ishte marr me sportin e mundjes, duke shënuar rezultate të dukshme në këtë sport luftarak, si në vendlindje, por edhe në Kantonin Friburg të Zvicrës, ku u vendos me familjarët e tij. Sulejmani aspak nuk i përtonte punës së rëndë fizike, pasi konstrukti i tij mund ta përballonte një gjë të tillë, natyrisht duke e ndihmuar me ushqim të shëndetshëm e kalorik. Bile, pas përfundimit të punës së mundimshme gjatë ditës, ai në mbrëmje nuk hezitonte të bënte punën e trajnerit për katër vite me radhë në ekipin “Sense” të Schmitenit, pa kurrfarë kompensimi financiar, duke përgatitur gjenerata të reja në këtë sport luftarak. Punëdhënsit zvicerane e fituan menjëherë besimin se bëhej fjalë për person të palodhur, duke i dhënë punë nga më të rëndat, e të cilat Suli (siç e thërrasin me emër përkëdhelës) i kryente pa ndonjë problem të madh.

Megjithatë, nga viti 1990, fati deshi që ai të punësohej në sipërmarrjen gjigante tregtare zvicerane të mobilierisë “Conforama”, me ç`rast shumëçka ndryshoi në rrjedhën e jetës së tij. Ai nuk ishte mësuar të bartë kravatë gjatë punës dhe në të shumtën e rasteve të komunikonte me njerëz të ndryshëm, nga të gjitha nacionet e botës. Dalëngadalë, ai po integrohej në një sistem të punës që nuk kishte të bënte me lopatë e kazëm, por me një stërngarkim shpirtëror e që nuk guxonte të gabonte në shërbimin e klientëve të ndryshëm. Në këtë drejtim, atij i ndihmoi shumë njohja e gjuhëve gjermane, frenge e sllave, duke ia shtuar edhe polivalencën e tij. Dukja e jashtme ishte një prioritet te punëdhënsi i ri pasi duhej përkujdesur për imazhin e tij. Kjo e bënte Sulin që të dyshonte nëse ishte në ndonjë planetë tjetër, pasi ai nuk ishte mësuar që pa pikë djerse të fitonte një pagë të majme.

Për të ishte pak e vështirë të fitonte shprehi që të vishej me rrobe pedante, me kravatë dhe të ishte gjithnjë i buzëqeshur. Ai nuk po e kuptonte fatin e tij që të merrej me një punë kaq të lehtë fizikisht, por shume delikate në raport me klientët. Atëbotë, ishin të rrallë ata nga bashkatdhetarët tanë që po punonin me kravata. Bile, për portalin Shtegu.com, Suli tregon një rast kur një bashkatdhetar i yni kishte dy orë që po e përcillte gjatë punës së tij e që po lakmonte se si një shqiptar kishte mundur të punësohej në një vend pune ku veshja pedante ishte prioritet. Ai ishte mahnitur me punën e Sulit, pa e kuptuar se kjo punë kishte një peshë shumë më të madhe sesa ajo e kantierit. Bashkatdhetari kishte mbetur gojëhapur se si Suli po komunikonte në të gjitha gjuhët e lartpërmendurs me lloj lloj klienti, duke dyshuar nëse kishte të bënte me ndonjë poliglot të përmasave ndërkombëtare.

Në vitin 2004, Suli largohet nga ky vend pune që pas një kohe të punësohet te gjiganti tjetër tregtar “Lipo”, ku për një kohë të gjatë me sukses kreu punë të ndërlikuara me klientë të ndryshëm. Sulejman Islami aktualisht është i lirë dhe i është përkushtuar në masë të madhe familjes, duke shijuar pak edhe jetën e lirë, pas një pune të lodhshme. Ndonjëherë, ambiciet e tij të një punëtori të zellshëm nuk e lënë të qetë dhe ai përsëri ndërmerr ndonjë iniciativë për të mos qëndruar duarkryq, me firmën e tij “Mobissi”, duke kryer punë të lehta të montimit të mobiljeve.

You may also like