Kur Papa… dhe Erdogani flasin për vëllazëri…

by admin
Spread the love

17.01.2022 – 22:23

Nga Mentor Nazarko

Vizita e djeshme e Presidentit Erdogan si gjithmonë nxiti polemika të shumta, disa të përsëritura. Ato fillojnë me reagimet fejsbukiane për datën e zgjedhur -supozoj krejt rastësisht(ditëvdekja e Skënderbeut). Vijojnë me  paralelet leksiondhënëse për mënyrën sesi qeveris Erdogan dhe … Rama.. Apo me mospjesëmarrjen e Berishës në seancën parlamentare (bojkot për herë të dytë pse Erdogani qenkësh rreshtuar pro Ramës në zgjedhjet e 2021). Dhe mbyllen me përdorimin e termit „vëllezër“, nga ana e kreut të shtetit turk.

E vërteta neutrale politikisht është se kjo vizitë e rrit rëndësinë e Shqipërisë, shqiptarëve në arenën rajonale dhe atë ndërkombëtare, duke ritheksuar një marrëdhënie të fuqishme ndërshtetërore, midis kombeve tona, por dhe atë ndërpersonale. Erdogan, presidenti i njerit nga vendet më të mëdha të Europës erdhi vetëm në Shqipëri,duke harxhuar shumë kohë, në mesazhe solidariteti (banesat e Kurbinit); mbështetje politike dhe diplomatike (7 marrëveshjet e nënshkruara dhe fjalimi në parlament), mbështetje kulturore (restaurimi i xhamisë së Ethem Beut), mu në kohën kur Ballkani përshkrohet nga disa kriza të njëkohshme. Ka shumë mënyra që ta interpretosh vizitën e tij, mirpo paradoksalisht, shumë vëzhgues kompetentë madje, u morën gjatë me përdorimin bujar nga ana e presidentit turk të termit „vëlla“. Dhe ngjan didaktike që gjithë vizitën ta lexosh në dritën e zbërthimit të këtij termi- vëllazëri.

Papa ka shkruar së fundmi Enciklikën „Tutti fratelli“

Jo për sens të paradoksit, por të universalitetit të termit, ky lloj leximi mu nxit ndërsa në përpjekje për të krijuar një lloj origjinaliteti, a distancimi konstruktiv, në televizion një ish ministër  i prejardhjes katolike, megjithë realizmin në gjykimin e vizitës, e quajti të tepruar  „vëllazërinë me Erdoganin“. Dhe si për ta çmagjepsur folësin me një goditje të parë, doja të sillja në kujtesën e tij,  një enciklikë të fundit të Papa Franceskos, „ Të gjithë vëllezër“.  Ati i shenjtë i botës, pra jo vetëm i katolikëve, nuk e përdor këtë term thjesht në kuptimin ekumenik, të vëllazërisë mes të krishterëve, por të gjithë qytetarëve të botës. Madje që në fillim Papa përdor për të qartësuar konceptin e tij të vëllazërisë jashtëgjenetike, referenca tek paraardhësi i tij Francesko i Asizit, që tetëqind vjet më parë kishte shkuar  në Egjipt të vizitonte Sulltanin Kamil Al Malik. Dhe madje gjen dhe referenca të Zotit në një takim të fundit me një teolog musliman-Imamin e madh të Dubait, Ahmad Al-Tayyeb „Zot i cili i ka krijuar të gjithë qeniet njerëzore, të barabarta në të drejta, në detyrë, dhe në dinjitet, dhe i ka thirrur të bashkëjetojnë si vëllezër mes tyre».

E vërteta është se shumë prej sulmeve që i vijnë kësaj vizite nga ramocentrikë, apo puritanë ekskluzivistë fetarë, janë pa arsye të qenësishme. Dhe nëse në sjelljen e presidentit turk, apo gjithë presidentëve e shtetarëve turq nuk ka shenja vëllazërie, ka megjithatë shumë përpjekje për të na trajtuar në mënyrë të barabartë. Ja disa  përpjekje për pasurim të diskutimit publik, nisur nga koncepti i vëllazërisë.

-A nuk janë trajtuar në shenjë barazie, gjithë ministrat, kryeministrat dhe presidentët e Shqipërisë, kur kanë vizituar Turqinë duke u pritur nga i pari i shtetit turk?

-A nuk kishte barazi në trajtimin e shqiptarëve ofrimi i ndihmës për tërmetin dhe pandeminë (Kurbini, një zonë me shumicë katolike), dhe spitalin e Fierit (me përbërëse të fortë ortodokse), ndihma turke?

-A ka patur kushtëzime kjo ndihmë për faktin se Shqipëria në luftën ndaj të ashtuquajturës „Lëvizja Gylen“, nuk ka bërë sa do dëshironte Turqia, sepse ne jemi vend që aspirojmë të hyjmë në BE? Pra do duhet të respektojmë shtetin ligjor në veprimet përndjekëse ndaj individëvve apo organizatave? Asnjë kushtëzim. Përkundrazi. Marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Turqisë vetëm forcohet, ashtu si dhe marrëdhënia ndërpersonale Rama-Erdogan.

-A ka patur ndonjë riorientim antiperëndimor të Shqipërisë, apo antigrek (ndërsa grekët janë rivalët historikë të tyre në rajon)? Jo, përkundrazi, në ndonjë rast, Shqipëria ka shërbyer të paktën si përcjellëse mesazhesh mes dy vendeve, apo mes Turqisë dhe perëndimit në përgjithësi. Nëse ne do ndiqnim sugjerime ekskluziviste si këto, do duhet të ishim kundër Turqisë, Greqisë, MAqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë dhe kujtdo tjetër, duke mbetur të vetëm. Turqinë t’ja linim Serbisë… si aleate, se ne nuk na duhet…

A ka patur rishikim të historisë, apo presion publik për kuadrot e komunitetit mysliman, prej ndonjë kushtëzimi  shtetëror turk? Jo, nuk shihet askund publikisht të paktën, dhe vetë shtyrja e inaugurimit të xhamisë së madhe, është dëshmi e respektimit nga Turqia të pavarësisë së komuniteteve tona fetare. Sa për vijat direkte në histori: Perandoria Otomane nuk është Turqia, dhe kush e barazon, bie në grackën e neotomanëve: shumë sulltanë, vezirë, a pashallarë, që madje kanë bërë krime të mëdha, kanë qenë shqiptarë, sepse ajo perandori ishte multietnike, njëlloj „vëllazërie e çuditshme“ e asaj kohe. Jemi vrarë mes vëllezërish shpesh, madje Skënderbeu ka luftuar me nipin a me bashkëvendas të tjerë. Që Turqia e sotme në kërkim a mbrojtje të tregjeve, të ndikimit kulturor, gjen referenca otomane, kjo ngjan logjike, sa kohë që nuk lëndon sentimentet tona kombëtare. Por ama vetëm hoxhallarët tanë ekstremistë kanë folur kundër Skënderbeut që ka vrarë muslimanë, dhe jo ndonjë përfaqësues zyrtar turk. Që historianët tanë nuk merren me kalorësit arbër që kanë qeverisur Europën në mesjetë, nuk na e kanë fajin turqit…

Shqipëria e ka forcuar pozitën e saj ndërkombëtare dhe rajonale falë kësaj mbështetje në rritje. Qoftë dhe thashethemi i fundit, i pa kundërshtuar se Turqia po lobon për Ramën, si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, është dëshmi e kësaj mbështetjeje  turke pa kushtëzime (të paktën në dukje) për ne.

Po sikur në vend të Turqisë të ishte Greqia?

Vetëm mendoni për një çast sikur në vend të Turqisë të ishte Greqia, me 80 milionë banorë dhe të njëjtën fuqi ushtarake dhe ekonomike. Perandoria Bizantine nuk është Greqia e sotme, si pretendojnë shumë qarqe politike, kulturore a shtetërore në vendin fqinjë që në emër të këtij pretendimi kanë ndërhyrë dhe ndërhyjnë kudo në jetën tonë publike. Turqia e sotme po restauron xhami të mrekullueshme, pjesë të trashëgimisë perandorake, e kjo privilegjon trashëgiminë tonë, ndërkohë Komuniteti ynë ortodoks udhëhequr nga Kryepeshkopi Janullatos, (ndonëse gjasisht me para të bamirësve shqiptarë) po lë të rrënohen kishat e mrekullueshme shqiptare të mesjetës, edhe në Labovën e Zhapës, prej nga vinte Vangjel Zhapa.

Turqia nuk është përfshirë publikisht në negociatat tona për ndarjen e hapësirave detare me Greqinë, ndonëse kjo ndërlidhet indirekt dhe me të. Greqia do sillej ndryshe.

Krejt për fund.. për vëllazërinë..

Pra, pse ne duhet të shqetësohemi nga kjo vizitë me përdorim bujar retorik të termit vëlla nga ana turke për përfaqësuesit tanë shtetërorë? A nuk e kanë trajtuar njëlloj Adil Carcanin, Sali Berishën, Fatos NAnon, apo presidentët e tjerë, Meidanin, Moisiun, Topin, Nishanin, pavarësisht prejardhjes së tyre? E kanë mbështetur Ramën elektoralisht? Po, por të njëjtën gjë e kanë bërë dhe me Berishën në 2009…

Kësisoj, le të jemi realistë, dhe ta marrim më thjesht dhe më njerëzisht përdorimin e fjalës vëlla, prej një shteti, i cili nuk na ka vendosur shkelmin në grykë për të na marrë frymën dhe udhëhequr rrugën në këmbim të ndihmës që na ka dhënë. Kompanitë turke na shfrytëzojnë në biznes? Epo kjo është ligjësi universale mes vëllezërish… ku vlen etikë tjetër.

You may also like