Kur filmi e saktëson historinë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Arsim Leskovica, filmolog

Serbia e dogji Kosovën, por në tokën e djegur të Kosovës mbijnë ullinjtë (më frymëzoi ngjarja kur Kseresi e pati djegur Athinën, por: “në hirin e akropolit përsëri mbijnë ullinjtë” – Herodoti).

Shkruan: Arsim LESKOVICA, Shkup

Krijuesi i filmit sot nuk sillet ndryshe nga Herodoti, që është babai i historiografisë. Herodoti thotë se shkrimi i historisë është shfaqje e asaj që e ka njohur, përjetuar dhe mësuar. Regjisorët e rinj kosovarë e kuptojnë botën e ngjarjet duke ia dhënë edhe masën e vet, duke e formësuar në shenja e domethënie sipas përvojës së tyre personale. Njësoj sikurse “babai i historiografisë” njashtu edhe regjisori i përtyp ngjarjet historike si përjetim personal, i përdor ato si material faktik për kuptimin e botës dhe rolin e njeriut në të.

As njeriu i zakonshëm, e as regjisori, nuk mund ta evitojë ndikimin e historisë. Kuptohet, ai nuk mund t’i ikë as pikëpamjes dhe gjykimit të vet personal. Kur është fjala tek mediumi film, çdo kuadër filmik e shenjëzon edhe përkatësinë gjeografike dhe atë shpirtërore. Prej shkencës që shtjellon të kaluarën, regjisori bën rishqyrtimin faktik. Historia, sidomos historia e popullit shqiptar, paraqet skenarin të shkruar e rishkruar me gjakun e saj. Në të gjendet shumëçka, vuajtje, vdekje, dashuri, lektisje, shpresa e filmi atij ia zbulon thelbin e i jep kuptim më të thellë. Pa kujtesën e shtypur në shkronja e derdhur në fotografi në shirit filmi, ngjarjet e fatet e njerëzve bëhen joekzistuese ose, më mirë thënë, zhduken në mënyrë të pakthyeshme.

Ashtu sikurse tragjeditë antike që e gjejnë burimin në mite e legjenda, njashtu edhe filmi shpeshherë e gjen burimin e vet në histori. Kamera filmike vetëm bën tkurrjen e shtrirjes në kohë. Së këndejmi, mizoritë njëqindvjeçare sublimohen në orë, vitet e luftës dhe paqes shndërrohen në minuta, fytyrat e plota të artistëve, para kamerës filmike (në groplan) shfaqin tërë madhështitë apo disfatat e jetës.

* * *

Në filmin e gjatë artistik me titullin ZGJOI të shqiptares Blerta Basholli, në 90 minutat e këtij filmi paraqiten tmerret, errësirat e dritat të një jete të tërë njeriu, por edhe të një shekulli shqiptar. Filmi ZGJOI, por pa harruar edhe filmin me metrazh të shkurtë KOLONA i Ujkan Hysajt, paraqesin atë që e ka thënë presidenti V. Villson pas projektimit të filmit LINDJA E NJË KOMBI (xhiruar më vitin 1915 i regjisorit Dejvid Vork Grifit) “sikur histori e shkruar me rrufe”.

Artisti/artistja në histori është ai që në vëllimet librave historik të popullit të tij, zbulon domethënie të reja, i përket një shqise të veçantë. Aktorja Yllka Gashi në rolin e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe (për më tepër, mund t’i referoheni emisonit në: (https://www.youtube.com/watch?v=ODmzD9RCj2I) nuk është vetëm figurë retorike e revolucionit, por revolucioni vetë. Si shikues i dy filmave të cekur më lart, ndjeva një ritëm të ndryshëm në rrahjet e zemrës. Nuk ka si të jetë ndryshe, përveçse të them atë që e kanë thënë filozofët e historisë, se mësimi i historisë nuk na mëson gjë tjetër, përpos asaj çfarë është njeriu në esencë, me tërë bukuritë e shëmtitë e tij. Kësisoj, filmi e bën historinë të jetë bashkëkohore, të jetë prezente në kohën e tashme, të frymon bashkë me mua. Filmi është kohë e tashme e pakryer. Kështu sillet para shikuesit.

Shikuesi bëhet dëshmitar i saj, pjesëmarrës, komentues, me një fjalë shikuesi është histori e përtërirë.

Ka raste kur filmi jo vetëm që e prezanton historinë, por edhe e bën saktësimin e ngjarjeve historike. Për shembull, jo shumë herët, dr. Kurt Kollbruner, duke përdorë njëmijë ushtarë-figura nga koleksioni i tij, e bën rikonstruimin e rëndësishëm për zviceranët. Ajo është beteja e Murtenit në vitin 1476. Me këtë rast, ai tregoi se disa njësi ushtarake nuk kanë mundur të lëvizin ashtu siç shpjegohet në burimet historike. Kjo na bën të mendojmë që ndoshta ne si popull mund të zbulojmë shumë mangësi në interpretimin e historiografisë sonë pikërisht përmes krijimtarisë filmike.

Kjo është kështu edhe për faktin se historia është energji e “vdekur” derisa atë nuk e merr në dorë njeriu i gjallë. Kësisoj, filmi përsëri historinë e shndërron në koritë, në rrjedhë të gjallë, në dritë të re mbi njerëzit dhe ngjarjet. Oratori dhe filozofi romak Mark Tulij Ciceron ka thënë: “Historia është dëshmitare e kohës, e dritës dhe të vërtetës, jetë e kujtimeve, mësuese e jetës dhe lajmëtar i të sotmes”.

Thuhet se popujt e lumtur nuk kanë histori. A mund të mos kenë edhe lavdi e art? A mund të mos kenë film? Filmi para se të shfaqet në pëlhurën e kinemasë, ai zë fill në memorien individuale e kolektive të krijuesit. Filmi lufton për njeriun dhe për një botë ndryshe. Filmi që mëton për një botë pa histori nuk është film. Do të zhdukej nevoja për të. Dejvid Grifit (David Wark Griffith) besonte se në të ardhmen historia do të flasë përmes filmit. Nuk është i papritur krahasimi ndërmjet dramës dhe një ngjarje historike. Nuk është e mjaftueshme të shkëputet një copë nga pëlhura historike dhe të lëshohet përmes projektorit filmik, por regjisori duhet që ta shfaqë në histori rebelimin e vet dhe poezinë.

* * *

Këtë mision me sukses janë duke e kryer regjisorët e rinj të Kosovës.

Filmi i Blerta Bashollit është në bashkëprodhim me Kosovën, Zvicrën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa nga ajo që kam parë deri tani, filmat që janë realizuar me bashkëprodhime gjithnjë dalin të suksesshëm.

Andaj nuk mungojnë as shpërblimet në arenën ndërkombëtare e mirënjohjet e shumta, njashtu edhe fjalët miradie për arritjet e mëdha artistike. Filmi fitoi tre çmimet në Sundance Film Festival: si filmi më i mirë, regjisorja më e mirë dhe çmimi i publikut.
Jo vetëm që ndjehemi krenar, kjo nuk mjafton, por institucionet e Kosovës duhet sa më parë ta përforcojnë këtë sektor kaq produktiv e domethënës.

Skenat e filmave të lartcekur më ndjekin pas, ndonëse është krijuar një distancë kohore qëkur i kam parë. Nga kuadri filmik më tepër i kam për zemër groplanet (kur fytyra e njeriut e zë gjithë ekranin). Këtu s’ka sajime, ky plan është më filmik. Nëpërmjet këtij plani shikuesi futet në kozmosin psikologjik të personazhit. Së këndejmi rezulton që groplani është edhe shpirti i filmit, duke e bërë atë tejet të vrullshëm. Shumë filmologë kanë ardhur në përfundim se pikërisht groplani është mjeti më i fuqishëm shprehjes filmike.

Në filmin “Zgjoi”, shpeshherë, fytyra e aktores Yllka Gashi dhe në filmin “Kolona”, fytyra e aktorit Sunaj Raça, na shfaqen në groplan. Këtu regjisorët Blerta Basholli dhe Ujkan Hysaj nuk e kanë lënë pas dore rregullën e artë që e thotë regjisori i madh Ingmar Bergman se puna me filmin fillon e mbaron me “fytyrën njeriut”.

Në vazhdim po i jap disa të dhëna gazetareske për filmat e lartcekuar.

Filmi “Zgjoi” është me regji dhe skenar të Blerta Bashollit, në kohëzgjatje prej 90 minuta, viti i prodhimit 2021, ndërsa kompania e prodhimit është “Industria Film” në bashkëprodhim me “Ikone-Studio”. Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera paraqiten: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.. Drejtor fotografie është Alex Bloom, montazhier Enis Saraçi dhe Félix Sandri, ndërsa bashkëproducentë janë: Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Paskal Semini.

Në këtë film tregohet për fatin e një gruaje shqiptare, Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe, burri i së cilës është zhdukur që nga lufta në Kosovë. Fahrija e rinis jetën e saj sikur feniksi mitologjik. Përpos përpjekjeve për ta siguruar ekzistencën e saj, ajo përballet edhe me paragjykimet e rrethit që ia rëndojnë edhe më shumë gjendjen.

* * *

Filmi i metrazhit të shkurtë “Kolona” është me regji të Ujkan Hysajt, kurse skenarin e shkroi Besian Hysaj. Kohëzgjatja: 22 minuta. Viti i prodhimit – 2012. Kompania e prodhimit është “Ajo Pictures”. Rolin kryesor e luan Sunaj Raça, ndërsa në rolet tjera paraqiten: Arbnesha Grabovci, Irena Cahani, Don Raça, Enis Krapi, Vllado Jovanovski e Bislim Muqaj.

Edhe ky film bazohet në ngjarje të vërtetë. Aty tregohet barra e rëndë që do ta bartë kryepersonazhi Ademi, pasi që ndalohet nga një postbllok serb bashkë me familjen e tij, gruan, djalin e tij të vetëm dhe nipin (djalin e vëllait). Atij i kërkohen para të majme, por meqenëse Ademit nuk i mjaftojnë për t’i blerë jetët e dy djelmoshave, atij i thuhet se me to mund ta blejë jetën e vetëm njërit prej tyre. Cili do të jetë vendimi i tij? Si do të zhvillohet ngjarja më tej?

Ju propozoj t’i ndiqni.

Filmi “Kolona” gjithashtu korri suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare, në festivalet e filmit gjithandej nëpër botë. Çmimet nëpër festivalet botërore u dhanë për: Filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër, siç ishte ai Cleveland Film Festival në vitin 2013. Pastaj Monterrey Film Fest në vitin 2012, si filmi më i mirë internacional e duke vazhduar me suksese të tjera të njëpasnjëshme nëpër festivalet filmike. /shenja

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *

You may also like