Kupa e Shqipërisë/ Vllaznia për të shpëtuar sezonin dhe të ardhmen, Laçi synon një triumf prestigji

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Finalja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Laçit, do të japë verdiktet e fundit të mbetura dhe do të ulë siparin e sezonit 2021-2022 në futbollin shqiptar.

Në “Air Albania” luhet jo vetëm për trofeun e Kupës së Shqipërisë, por edhe për të përcaktuar skuadrën e fundit që do të marrë një biletë për në eliminatoret e kupave europiane, me Vllazninë që ka vetë fatin e saj në dorë dhe Kukësin që pret rezultatin si spektator i interesuar.

Shkodranët e nisën sezonin me pretendime të mëdha, megjithatë rrugës bënë shumë gabime dhe tani e shohin veten duke luajtur një finale mjaft të rëndësishme, që do të përcaktojë jo pak edhe pretendimet e sezonit të ardhshëm.

Alban Xhaferri bleu aksionet e klubit bashkë me borxhet që ishin akumuluar ndër vite dhe ka shpenzuar jo pak gjatë këtij sezoni, aq sa shpesh ka pasur vështirësi edhe në kryerjen e pagesave, gjë që e ka pranuar edhe publikisht.

Pikërisht për këtë arsye, Europa shihet si një “varkë shpëtimi” në Shkodër, pasi jo vetëm do të sillte një trofe në qytet, por do të siguronte edhe të ardhura të konsiderueshme, minimalisht disa qindra milionë lekë, në varësi të ecurisë në eliminatore.

Në këtë mënyrë edhe për drejtuesit e klubit do të ishte më e lehtë të planifikonin ndërtimin e një skuadre pretendente edhe për sezonin e ardhshëm, megjithatë më parë ekipi aktual duhet të fitojë Kupën e Shqipërisë.

Nga ana tjetër Laçi vjen më i relaksuar, pasi ka siguruar prej javësh jo vetëm pjesëmarrjen në Europë, por edhe vendin e dytë, një arritje historike për kurbinasit, që tani e shohin Kupën vetëm si një trofe prestigji për ta shtuar në palmaresin e tyre.

Përballja Vllaznia-Laçi bëhet interesante edhe për faktin që është parë shpesh si një mini-derbi i veriut, që ka dhuruar emocione të forta vazhdimisht, por mbi të gjitha, se të dy skuadrat drejtohen nga dy emra të mëdhenj të trajningut në Shqipëri, Mirel Josa dhe Shpëtim Duro.

Akoma më intrigues është fakti që Josa ishte në pankinën e kurbinasve deri në muajin mars, për t’i lënë vendin Duros, ndërsa prej dy javësh ka marrë drejtimin e Vllaznisë dhe do të provojë t’i japë trofe pikërisht përballë të shkuarës.



Top Channel

You may also like