Kualifikimi nuk është utopi, Tirana ia ka dalë edhe në të kaluarën

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Heshtja vrasëse që pllakosi stadiumin “Air Albania” pas disfatës së Tiranës ndaj Zrinjskit la të kuptohej peshën e madhe që kishte humbja në takimin e vlefshëm për raundin e dytë të Conference League.

Kryeqytetasit e nisën rrugëtimin europian me shumë bujë, entuziazëm dhe eufori. Ndaj Dudelange ishte një hap mbrapa, një kthim në realitet, por aventura kontinentale vijon, pavarësisht se në një shkallë kompetitive më të vogël. 26 herë kampionëve të Shqipërisë tashmë u duhet të rikuperojnë një deficit prej një goli ndaj skuadrës boshnjake, por përmbysja nuk është një utopi e largët për Tiranën, pasi të kualifikohen nga një pozicion humbjeje është diçka që kanë arritur ta bëjnë edhe në të kaluarën.

Bardheblutë kanë arsye për të besuar, historia është në anën e tyre dhe mund të shërbejë për t’i karikuar me optmizmin e duhur për të bërë të mundur kthesën e madhe. Për një skuadër që ka bërë debutimin në Kupat e Europës që në vitin 1965 nuk është kurrë një arritje vetëm pjesëmarrja, përkundrazi për Tiranën pritshmëritë janë gjithnjë madhore për të kaluar sa më shumë ture dhe për të shkuar sa më larg në rrugëtimin në Europë.

Një histori e mbushur me suksese, por edhe me dështimë; me maja të larta, por edhe rënie në skuta të thella; me lavdi dhe shkëlqim, por edhe me zhgënjime dhe dëshpërim. Përtej së gjithash, Tirana mbetet skuadra shqiptare me më shumë ndeshje të fituara në Europë, pavarësisht se në 13 raste nuk ka arritur të kalojë më shumë se një tur, një skenar që rrezikon të përsëritet sërish këtë vit.

Me mobilizim maksimal dhe me më shumë kujdes para portës, bardheblutë mund të fusin Zrinjskin në listën e Hamrun Spartans, Bobruisk, Dinamo Tbilisit dhe Goricas si skuadra e radhës që mund t’i përmbysin rezultatin pas ndeshjes së parë.

Përballë maltezëve të Spartans në edicionin 1988/89, golat e Skënder Hodjas dhe Mirel Josës ishin të mjaftueshëm për të siguruar kalimin në raundin tjetër pas humbjes 2-0 në të parën.

Ndërkohë, në 1994/95 bardheblutë regjistronin një përmbysje që ka lënë kujtime të paharrueshme në memoriet e të gjithë tifozëve bardheblu. Një tregolësh nga ana e Indrit Fortuzit kundër bjellorusëve të Bobriusk i jepte të drejtën e kalimit Tiranës pas humbjes 4-1 në sfidën e parë.

Më i hershëm në memoriet e bardhebluve është kualifikimi dramatik ndaj Dinamo Tbilisit në vitin 2003, një kundërshtare që e mundën edhe në 2020, në një format disi më ndryshe pasi UEFA pati vendosur që kualifikimi të varej vetëm nga një takim. Por i skalitur në memorien e bardhebluve mbetet sigurisht ajo fitore para 19 vitesh. Tirana mposhtej 3-0 në Tbilisi në ndeshjen e parë dhe shpresat ishin të vogla për për të avancuar më tej. Por, me shpirtin dhe karakterin bardheblu ata rikthyen në ekuilibër rezultatin e përgjitshëm falë realizimeve të Licit, Fortuzit dhe Halilit në kohën e rregullt, dhe më pas arritën kualifikimin falë penalltive.

Thuajse në çdo pjesëmarrje në Kupat Europiane Tirana ka prodhuar momente që ia vlen t’i kujtosh, edhe një prej tyre është pa dyshim edhe kthesa e çmendur ndaj Goricës. Në raundin e dytë të Champions League, ndaj sllovenëve, bardheblutë vinin në mitikun “Qemal Stafa” me një disavantazh 2-0, vetëm një mrekulli i dërgonte më tutje. Megjithatë, çështja e kualifikimit do të zgjidhej shpejt dhe pakkush e mendonte. Tre gola brenda pjesës së parë do t’i çonin në delir bardheblutë në kryeqytet. Altin Rraklli i jepte startin shpresave të kualifikimit, Rezart Dabulla çonte në baraspeshë rezultatin e përgjithshëm, ndërsa për të vulosur kualifikimin mendonte Hamdi Salihi.

Në stadiumin “Pod Bijelim Brijegom” është një 90-minutësh që kushton shumë, ka një peshë të jashtëzakonshme. Ose mund t’i lartësojë lojtarët aktualë në shkallën e atyre që u përmendën më sipër ose do të mbeten thjesht emra që shuhen shpejt në historinë e bardhebluve

Le të jetë një Tiranë po aq dinjitoze si ajo që përballej ndaj Bayernit të Mynihut apo dhe Ajaxit të Amsterdamit me plot krenari dhe fisnikëri. Përtej zhgënjimit të tri ndeshjeve të para europiane, le të shërbejë kjo sfidë si pika e kthesës, që do të rigjenerojë besimin e tifozëve dhe do të garantojë vijimin e rrugëtimit në skënën elitare të kontinentit. Tashmë, Tirana është thirrur në apel për të përsëritur vetveten…!


Top Channel

You may also like