Kroacia fiton me përmbysje, Kanadaja eliminohet nga Kupa e Botës

by admin
Spread the love

Kroacia mposht me përmbysje Kanadanë dhe mban gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm mes 16 skuadrave më të mira të Botërorit. Kanadezët zhbllokojnë shumë shpejt sfidën, por Kroacia reagon, shënon 4 gola dhe përmbys gjithçka. Kroatët ngjiten në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Kanadaja eliminohet nga Kupa e Botës.

Ndeshja nis menjëherë me gol dhe është Davies ai që zhbllokon sfidën pas vetëm 68 sekondash dhe kalon në avantazh Kanadanë, dukë shënuar një gol historik, të parin për kombëtaren e tij në një Kupë Bote. Kroacia reagon dhe hidhet në kërkim të golit të barazimit. Kramaric gjen rrugën e rrjetës, por goli i tij anulohet për pozicion jashtë loje. Pak minuta më vonë sulmuesi kroat shënon sërish dhe kësaj radhe goli vlen. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Livaja shënon golin e dytë për kroatët që përmbysin gjithçka dhe e shohin veten në avantazh.

Kanadaja mundohet të reagojë në pjesën e dytë dhe i afrohet golit me Osorio dhe David, ndërsa kroatët rrezikojnë me Kramaric. Është pikërisht sulmuesi që realizon golin e dytë personal dhe të tretin për Kroacinë 20 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Majer shënon edhe golin e katërt për kroatët në kohën shtesë dhe vulos përfundimisht fitoren 4-1 të ballkanasve.

Kroacia merr fitoren e parë në Katar 2022 dhe i bashkohet Marokut në krye të grupit në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Kanadaja pëson humbjen e dytë në grup dhe eliminohet zyrtarisht nga Botërori. / Oversport.tv

Foto: FIFA World Cup Twitter

You may also like