KROACI – Milanoviq: Serbia duhet në një mënyrë ta njohë Kosovën

by admin
Spread the love

ZAGREB, 1 shkurt /ATSH-AA/ – Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, është takuar me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e cila ka mbërritur në vizitën e saj të parë zyrtare në Kroaci, ku temë kryesore e takimit ishte perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Procesi i Bërdo-Brionit.

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar tha se do të përpiqet të ruajë Procesin e Bërdo-Brionit me qëllim të forcimit të dialogut në rajon me ndërmjetësimin e Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat kanë arritur më së shumti në rajon.

“Përderisa politikanët nga vendet e rajonit flasin, mund të jetë vetëm mirë, nuk mund të jetë aspak keq”, tha Pirc Musar dhe paralajmëroi vizitat e saj në vendet e rajonit.

Ajo paralajmëroi se takimi i radhës i Bërdo-Brionit duhet të mbahet në fund të këtij viti në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se temat e diskutimit duhet të jenë më pak ideologjike dhe më shumë të dedikuara për të rinjtë në rajon që emigrojnë në masë të madhe nga vendet e rajonit, paralajmëroi ajo.

“Synimet në lidhje me këtë iniciativë janë të njëjta, që është integrimi dhe mirëqenia e vendeve të kësaj zone, sido që ta quajmë, Ballkani Perëndimor, ish-Jugosllavia”, tha Milanoviq.

“Varet nga vullneti dhe disponimi i të tjerëve për të marrë pjesë në të, Serbia, presidenti Vuçiq. Do të doja të dëgjoja këndvështrimin e tij për këtë. Po e lë derën hapur, BeH ndërkohë mori statusin e kandidatit”, tha Milanoviq.

Ai theksoi se nisma Bërdo-Brioni duhet të diskutohet edhe me anëtarët e rinj të Kryesisë së BeH-së, duke vlerësuar se Maqedonia e Veriut është vend i qëlluar për takimin e ardhshëm. Ai shprehu shpresën se ky takim nuk do të përfundojë si dy të mëparshmet, pa një deklaratë të përbashkët.

Presidenti kroat ka komentuar deklaratën e tij për Kosovën, për të cilën tha se është rrëmbyer nga Serbia dhe e ankesuar. Ai lavdëroi presidentin serb Aleksandar Vuçiq që nuk reagoi menjëherë, si tabloidet e shumta serbe, por ka paralajmëruar se do ta dëgjojë me vëmendje deklaratën e tij.

“Pa entuziazëm, të lutem. Le të shikojnë Vuçiqin dhe të shohin saktësisht se çfarë thashë. Mund të kisha thënë se Serbia mbeti pa Kosovën ose se Kosova iu mor Serbisë, bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Serbia mbeti pa Kosovën, nuk e dha vullnetarisht, e humbi në luftë. Është njohur ndërkohë, Kroacia ishte ndër të parat që e njohu dhe unë, sa herë që mundem, shfrytëzoj rastin për t’i bindur njerëzit që ta njohin Kosovën nëse nuk e kanë bërë këtë, dhe burrështetasit evropianë dhe latino-amerikanë, deri më tani nuk kam patur sukses. Që Serbia të vijë në Perëndim, ku është e mirëseardhur. Disa gjëra duhet të ndryshojnë”, tha ai.

Presidentja sllovene tha se qëndrimi i Sllovenisë për Kosovën është i njohur dhe se e vetmja rrugë për vendet nga ky rajon është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. “E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një proces evropian që ende nuk ka vdekur”, tha ajo.

“Situata në Ukrainë është fillimi i fundit të një romance të dukshme serbo-ruse, në të cilën Serbia do të kuptojë se është një dashnore e mashtruar. Realiteti është se Rusia po provon diçka me Ukrainën dhe se shembulli i Kosovës del si gjemb në sy. Rusia do të duhet ta njohë Kosovën kurdoherë ose të pretendojë se e njeh atë në mënyrë që të legalizojë atë që po bën në Ukrainë. Ata (Serbia) duhet të kuptojnë se po shqetësojnë Rusinë dhe se aty nuk ka dashuri. Serbia do të duhet të njohë Kosovën në një farë mënyre, dhe autoritetet shqiptare do të duhet t’i japin njëfarë statusi asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës”, ka përfunduar Milanoviq.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like