Kriza energjetike, reagon Abdixhiku: Qeveri e paaftë, tallëse dhe e vonuar

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar për krizën energjetike në vend.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kemi një qeveri të paaftë, tallëse dhe e vonuar, përcjell Bota sot.

Abdixhiku ka thënë se Qeveria i ka krejt, edhe njerëzit e vet të vendosur në KEK por që për paaftësinë e tyre po fajësojnë qytetarët dhe paralajmërojnë shtrenjtim të energjisë elektrike, me të cilën nuk do të mund ta tejkalojnë krizën që sapo ka nisur.

“Kjo Qeveri, e aftë për të krijuar konflikte, është e paaftë për të krijuar zgjidhje. Qeverisja para së gjithash është menaxhim dhe përgjegjësi. Gjuetia e fajësimit ndaj të shkuarës as nuk i mban dritat e ndezura as shtëpitë familjare të ngrohura..” ka shkruar kryetari i LDK-së.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Një krizë e paralajmëruar;

Një Qeveri e paaftë, tallëse dhe e vonuar.

Kriza e sotme energjetike është paralajmëruar tash e pesë muaj. Në mot të ngrohtë, institucionet energjetike, ekspertët e brendshëm e të jashtëm pa dallim, kishin rekomanduar kontraktimin e energjisë elektrike përderisa çmimet ishin të lira; pesëfish më të lira se sa çfarë blejmë si shtet sot. Në atë kohë rekomandoheshin dhe revitalizimet e blloqeve, subvencionimet e operatorëve, organizmi i prodhimit e planet kursyese si parapërgatitje për dimrin e ftohtë.

Këto paralajmërime nuk ishin dëgjuar. Në kohën kur vendet e rajonit bënin garë për blerjen e energjisë elektrike me çmim më të lirë, Kryeministri ynë krekosej nëpër qendra rajonale e evropiane me narracione fiktive për zhvillimin të pashembullt ekonomik që Kosova me të po e përjetonte.

Sot, zhvillimi i pashembullt ekonomik i tij është pa rrymë!

Tani kë do të fajësojnë për këtë krizë? Një Qeveri që i ka krejt; i ka dhe njerëzit e vet të vendosur së fundmi në KEK e në çdo institucion tjetër energjetik, nuk arrijnë të sigurojë as një produkt bazik në këtë zhvillim të pashembullt ekonomik.

Për paaftësinë e tyre do të fajësohen qytetarët tanë. Për shpenzimin e energjisë në “joystick”, “larje të dhëmbëve me ujë të ngrohtë”, e për vet çmimin e lirë të energjisë. Tani edhe çmimi i energjisë na u bë i lirë. Kjo parahyrje e tyre është paralajmërim për shtrenjtimin e radhës që do t’i bëjnë. Por as shtrenjtimi i rrymës e as rekomandimet tallëse për kursim nuk do ta kapërcejnë ketë krizë që sapo ka nisë.

Sepse reagimi është i vonshëm. Sepse s’dinë!

Kosova po futet në një dimër të reduktimeve, mungesës së ngrohjes, uljes së prodhimit të bizneseve e pa aftësitë qeverisëse për t’i prirë problemeve me kohë; një praktikë tanimë e zakonshme për ta. Sot intervenimet e Qeverisë janë të vonshme; sepse janë të vonshme janë dhe të shtrenjta; e sepse janë të shtrenjta janë dhe pa zgjidhje.

Kjo Qeveri, e aftë për të krijuar konflikte, është e paaftë për të krijuar zgjidhje. Qeverisja para së gjithash është menaxhim dhe përgjegjësi. Gjuetia e fajësimit ndaj të shkuarës as nuk i mban dritat e ndezura as shtëpitë familjare të ngrohura…

You may also like