Krasniqi shpall fitoren: PDK-ja ka fituar pesë komuna, është në balotazh në shumë të tjera

by admin
Spread the love

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm në zgjedhjet lokale, raporton Ekonomia Online.

“PDK-ja ka qenë e fortë, mbetet dhe do të bëhet edhe më e fortë. Bazuar në të dhënat tona nga terreni, PDK tashmë ka fituar pa balotazh, në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik dhe Han të Elezit. Ne jemi në balotazh dhe do ta fitojmë, Prizrenin, Drenasin, Malishevën, Klinën e shumë komuna tjera”, ka thënë ai.

Fjalimi i plotë i Memli Krasniqit:

Përshëndetje të gjithëve

Të nderuar përfaqësues të mediave, të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot është një moment i rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës – një moment i rëndësishëm për vendin tonë.

Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje lokale, ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm anembanë Kosovës.

Sot, qytetarët u bashkuan, për të mbajtur e rikthyer qeverisjet e mira nëpër komunat e Kosovës, me Partinë Demokratike të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës është partia e lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit.

Ajo ka qenë e fortë, mbetet e fortë dhe do të bëhet edhe më e fortë. Qytetarët treguan sot se sa më e fortë që të jetë Partia Demokratike e Kosovës, aq më i sigurt e më i zhvilluar është edhe shteti i Kosovës.

Bazuar në të dhënat tona nga terreni dhe rezultatet e deritashme të KQZ-së, PDK ka fituar pa balotazh në Mitrovicë, Ferizaj, Skënderaj, Kacanik dhe në Han të Elezit. 

Ndërkaq, ne jemi në balotazh dhe me besimin e qytetarëve me 14 nëntor do ta fitojmë Prizrenin, Drenasin, Vushtrrinë, Shtimen, Dragashin, Malishevën, Klinën dhe jemi në pritje të rezultateve edhe në Fushë Kosovë.

Qytetarët e vendlindjeve të Hashim Thacit e Kadri Veselit, sonte dëshmuan sërish mbështetjen e madhe për themeluesit e UCK-së, PDK-së dhe Shtetit të Kosovës.

Në këto zgjedhje, kandidatët tanë për kryetarë të komunave dhe për Asamble Komunale, kanë treguar kulturë të lartë politike dhe fushatë të jashtëzakonshme. I falënderoj secilin për punën e madhe.

Në këto zgjedhje, në mënyrë të vecantë, e gjithë Kosova e ka përkrahur e përgezuar fushatën dhe programin e kandidatit tonë në Prishtinë, Uran Ismaili.

Falë fushatës dhe programit të tij, modern dhe shembull, që i ka dhënë shpirt të ri politikës, politikës për qytetarin, PDK ka shënuar rritje 100% në Prishtinë.

E falënderoj dhe e pergëzoj Uranin, si dhe ekipin e tij në Degën e Prishtinës, për punën e jashtëzakonshme.

Në këto zgjedhje, qytetarët kanë thyer barrierat politike dhe kanë përkrahur kandidatët dhe programin që ka adresuar nevojat e tyre. E natyrisht, PDK është e para këtu.

Qytetarët treguan se asnjë propagandë, asnjë manipulim populist nuk mund ta mposhtë të vërtetën dhe të mirën.

Sot, qytetarët treguan edhe një gjë, pakënaqësinë e madhe të tyre me punën e Qeverisë së Albin Kurtit, qysh në tetë muajt e pare të kësaj qeverie. Për ne fillon një rrugëtim i ri, duke u bashkuar me qytetarët, për ta ndalë degradimin e vlerave qeverisëse në vend. Kosova sot tregoi se ka ndërtuar një sistem demokratik, institucione kredibile për të organizuar zgjedhje të lira, demokratike e shembull për rajonin.

Kjo po bëhet falë punës së madhe e shumëvjecare të burrave dhe grave për ta ndërtuar këtë shtet, e që shpesh disa e kanë mohuar.

Përgëzimet dhe falenderimet më të mëdha shkojnë për qytetarët e Kosovës, që edhe sontë dëshmuan vlera të larta demokratike dhe qytetëruese.

Faleminderit Kosovës!

You may also like