Krasniqi: Qeveria të mos fshihet pas KFOR-it, por të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi lidhur me situatën e tensionuar në veri, ka kërkuar sot nga qeveria që mos të fshihet pas KFOR-it, por të veprojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Kosovës.

Në të kundërtën sipas Krasniqit, qeveria duhet të deklarohet e paaftë për të qeverisur me vendin.

Kryetari i PDK-së, Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria largimin e barrikadave nga veriu sa më parë.

Krasniqi duke u shprehur i shqetësuar për rrethanat e krijuara në veri, ka thënë se PDK ka kërkesë të qartë edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

“PDK ka qenë e qartë në kërkesën dhe ftesën e saj ndaj bashkërisë ndërkombëtare, që t’i denoncojë veprimet anti shtet ndaj Kosovës, të kontrolluara dhe të dirigjuara nga Beogradi zyrtarë në mënyrë të veçantë kundër bandave kriminale. Kjo do ishte si hap i parë i nevojshëm në mënyrë që pastaj të ketë një koordinim mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it për t’i lëvizur këto barrikada. Ne kemi pasur situata të tilla edhe në të kaluarën, por i kemi hequr barrikadat. Nuk mundet qeveria të fshihet pas KFOR-it, qeveria duhet ta zbatojë Kushtetutën dhe ligjet, përndryshe duhet ta deklarojnë paaftësinë e vet për të qenë qeveri e Kosovës”, thotë ai.

Ai theksoi se PDK tash e sa ditë ka kërkuar nga Qeveria heqjen e barrikadave.

“Ka disa ditë që kemi ftuar Qeverinë e Kosovës që të merret seriozisht me çështjen e barrikadave në veri. Nuk guxon që barrikadat të kthehen në normalitet, nuk të bëhen barrikadat pjesë e përditshmërisë, sepse qëllimi i bandave kriminale që i kontrollon presidenti serb Vuçiq që po i shtojnë këto barrikada dita ditës, është që këto të bëhen normaliteti i ri në veri. Do të ishte dështim i qeverisë dhe institucioneve udhëheqëse të vendit tonë nëse dorëzohen para kësaj qasje”, tha ai.

Sipas Krasniqit, po të kishte një insistim më të madh dhe më serioz të qeverisë do të rezultonte me heqjen e barrikadave.

“Jam i sigurt që një insistim serioz më i madh i qeverisë dhe i kryeministrit Albin Kurti në raport edhe me partnerët ndërkombëtar, në radhë të parë me KFOR-in, deri tash do të duhej të jepte rezultatet e veta. Ka disa ditë që kanë thënë: “Po presim pak”, u bë shumë, mund të bëhet tepër, por një ditë do të jetë vonë. Dhe ne do të vijmë një ditë që s’kemi me pasur mundësi me kthyer normalitetin që e kemi, e atëherë përgjegjësia do të jetë vetëm e qeverisë”, thotë ai.

Ndërsa, tash e nëntë ditë janë vendosur barrikadat në veri të vendit dhe janë mbyllur dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak./kp/

You may also like