Krasniqi e takon Hovenierin, planin evropian e cilëson si mundësi të humbur për një marrëveshje finale

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin kanë folur për zhvillimet e fundit politike në vend.

Krasniqi, në një postim në Facebook, tha se ambasadorit amerikan ia ka shprehur qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Kreu i PDK-së tha se plani evropian është mundësi e humbur për një marrëveshje finale.

“Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe njëherë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga kryeministri Kurti. Për ne, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, njofton Klankosova.tv

Krasniqi tha se Kurti ka dështuar të përmbushë qëllimet shtetërore të Kosovës.

“Përkundër mbështetjes që PDK-ja i ka dhënë kryeministrit Kurti për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, përmes gabimeve e veprimeve kryeneçe dhe në shpërputhje me kontekstin politik, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

“Ambasadorin Hovenier e falënderova për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së për Kosovën, si dhe e sigurova që PDK-ja gjithmonë do të veprojë në përputhje ne interesin shtetëror dhe qytetar të Kosovës”, ka përfunduar ai.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

You may also like