KQZ-ja vazhdon përgatitjet, sot përfundon afati shtesë për kandidim për zgjedhjet në veri – Shqip

by admin
Spread the love

Në orën 16:00, do të përfundojë edhe afati shtesë për subjektet politike (partitë politike, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) që duan të dorëzojnë në KQZ emrat e kandidatëve të tyre për kryetar në ndonjërën nga katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme më 18 dhjetor 2022.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Shqip se që nga 15 nëntori dhe deri më tani, kanë aplikuar 3 subjekte politike, ku vetëm njëra prej tyre ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve, ndërsa dy të tjera vetëm nga një kandidat.

Sipas KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për katër komunat (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok); Iniciativa Qytetare Mitrovica vetëm për një komunë (Mitrovicë e Veriut); ashtu si edhe Partia Kosovskih Srba (Leposaviq).

Të hënën e 21 nëntorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte marrë vendim që të ndryshonte disa afate të aktiviteteve zgjedhore, në mesin e të cilave edhe afati për aplikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Sipas vendimit të KQZ-së, ky afat i paraparë të përfundonte më 21 nëntor ishte shtyrë deri më 25 nëntor. ​

Një ditë më parë, KQZ-ja ka bërë të ditur se është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna.

Pas dorëheqjes së katër zyrtarëve të KQZ-së që kanë punuar në katër komunat veriore, ky institucion ka caktuar katër ushtrues detyre.

Lexo lajme interesante

You may also like