Kovaçevski-Kravinjo: Bisedimet kanë filluar, Portugalia është e gatshme të sigurojë mbështetje politike dhe teknike!

by admin
Spread the love




Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot realizoi takim dypalësh me ministrin e Punëve të Jashtme të Portugalisë, Zhoao Gomes Kravinjo, i cili ndodhet për vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë.

Në takim, Kryeministri Kovaçevski dhe ministri Kravinjo konfirmuan edhe një herë bashkëpunimin e suksesshëm dypalësh mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Portugalisë dhe diskutuan për mundësitë për intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh dhe shumëpalësh, në kontekstin e krizës aktuale ekonomike dhe energjetike me të cilën po ballafaqohet e gjithë bota.

Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë shprehu përgëzimet e sinqerta për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, duke theksuar se për këtë vendim nevojitej guxim si politik, ashtu edhe shtetëror. Kravinjo e informoi Kryeministrin Kovaçevski se Portugalia është e gatshme të ofrojë mbështetje politike dhe teknike, në vazhdimësi gjatë gjithë procesit eurointegrues.

Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Portugalisë mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska.

Sipas agjendës, ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë, Kravinjo, në kuadër të vizitës zyrtare, realizoi takime të ndara me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin, me zëvendëskryetarin e Qeverisë për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiqin, ndërsa është planifikuar takim edhe me Presidentin e shtetit, Stevo Pendarovskin.


Lexo lajme interesante

You may also like