Kosovën tanimë e ka kapluar një “virus” i ri – ngritja e çmimeve të produkteve

by admin
Spread the love

Të gjithë jemi dëshmitarë të situatës aktuale në të cilën ndodhet e tërë bota në përgjithësi, e Kosova në veçanti, për shkak të pandemisë “Covid-19”, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë shëndetësor.

Mbyllja totale, masa shumë të ashpra kufizuese, humbja e vendeve të punës nga shumë njerëz, paralizimi i aktivitetit ekonomik janë vetëm disa nga pasojat të cilat u krijuan si shkak i pandemisë, e cila ende po vazhdon të japë efekte negative me permasa globale në shumë sfera të jetës, e të cilat janë të papërballueshme për shtresat e mesme dhe të ulëta të shoqërisë.

Sipas statistikave relevante, Kosova në vitin 2020 kishte recesion ekonomik dhe ulje të pagave në sektorin privat, gjë e cila në mënyrë direkte ka ndikuar në standardin jetësor të qytetarëve të vendit, konkretisht në varfërimin e shportës së konsumatorit.

Fakt pozitiv për vendin është se, deri në fund të muajit shtator të hyrat e gjeneruara nga dogana arriten shifrën e rreth një miliardë euro, e që shënon rritje për 33.5 % në krahasim me vitin e kaluar, dhe sigurisht se këto të hyra ishin një infuzion për ekonominë e cila ishte në recesion e sipër.

Mirëpo, duke marrë parasysh faktin se pandemia po vazhdon ende, të hyrat e gjeneruara janë të pamjaftueshme për menaxhimin e situatës së vështirë ekonomike në të cilën ndodhemi, e kur kësaj ia shtojmë humbjen e shumë vendeve të punës, uljen e pagave, mungesën e investimeve të huaja direkte (IHD), atëherë, vështirë se në një të ardhme të afërt mund të presim një stabilitet dhe ekspansion ekonomik, e që do të ndikonte për normalizimin e situatës dhe përmirësimin e mirëqënies së qytetarëve të vendit.

Pakot e Rimëkëmbjes Ekonomike nuk dhanë efekte për krijimin e kushteve të cilat do të ndikonin në vazhdimin dhe stabilitetin e aktivitetit ekonomik, gjë e cila edhe pritej duke u bazuar në buxhetin e ulët që ka vendi ynë.

Fatkeqësisht, Kosovën tanimë e ka kapluar një “virus” i ri, e që është ngritja e çmimeve të produkteve, gjë e cila është vënë re nga ekspertët, poashtu edhe nga qytetarët e vendit.
Mielli, vaji, sheqeri dhe shumë produkte tjera të konsideruara si produkte elementare dhe esenciale, janë shtrenjtuar, gjë e cila do ta vështirësojë edhe më shume ekonominë familjare, konkretisht do të ndikojë direkt në varfërimin e shportës së konsumatorit, meqë nuk vërehet që ka apo pritet të ketë rritje të pagave, qoftë në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Prandaj, medoemos qeveria e vendit respektivisht hartuesit e politikave duhet të interferojnë në këtë drejtim, konkretisht të mandatojnë një ligj ku çmimet e produkteve bazë mos ta tejkalojnë një vlerë të veçantë.

Kjo lloj mënyrë e rregullimit quhet “tavan i çmimeve” konkretisht çmimi maksimal i shitjes së produkteve përkatëse, e që mund të përballoheshin nga konsumatorët.

(Autori është magjistër i Ekonomisë)

You may also like