Kosova s’e lë dinarin të hyjë, çartet Vuçiqi

by admin
Spread the love

Si rëndom nën përcjelljen e një veture të policisë serbe arriti në pikën kufitare të Jarinjes rreth orës 11 të enjten.

Por furgoni me, siç u tha, 117 milionë dinarë serbë të dedikuara për paga, pensione, skema sociale e pagesa të tjera, nuk arriti të futet në territorin kosovar.

Shkak për këtë u bë rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, që hyri në fuqi nga 1 shkurti.

Pikërisht kjo ishte arsyeja e refuzimit të kësaj ngarkese, sipas zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, që tha se punonjësit e kompanisë që transportonin paratë kanë pyetur për importin, por sipas tij e njëjta nuk ka pasur licencë për këtë punë nga BQK-ja.

Ky veprim i Serbisë, për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi i bërë një ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në OKB, synon krijimin artificial tё tensioneve dhe si i tillë meriton tё dënohet ashpër nga gjithsecili.

E presidenti i Serbisë Aleksadar Vuçiq pohoi se shteti i tij është në pozitë të vështirë pas ndalimit të hyrjes së parave serbe në Kosovë, duke shtuar se pavarësisht pengesave, paratë për serbët do të sigurohen “në një mënyrë apo tjetër”.

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Serbi, Petar Petkoviq, tha se populli serb ka marrë pagesat që u takojnë, gjë që ka bërë të pakësohet sasia e dinarëve në degën e “Bankës Popullore Serbe” në Leposaviq, dhe dërgimi i parave në fillim të muajit është normale “dhe e kemi bërë gjithmonë”.

Edhe “Banka Popullore e Serbisë” e dënoi ashpër këtë ndodhi. Në reagimin e tyre thuhet se “institucionet e përkohshme të Prishtinës” e pamundësuan transportin e dhe distribuimin e dinarit, “duke cenuar kështu të drejtat të serbëve që jetojnë në Kosovë”.

Tradicionalisht paratë nga kufiri më verior i Kosovës, nga automjeti i bankës serbe i merrte kompania angleze “Henderson” dhe i transportonte ato deri në degën e bankës në Leposaviq.

You may also like