Kosova, përfituesja e investimit më të madh dhe inovativ

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Lulzim Beqiri

Sipas shumë analizave, përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it gjatë vitit 2021, pra vjedhjet e energjisë elektrike, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit ose, thënë ndryshe, dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike.

Shkruan: Lulzim BEQIRI, Prishtinë

Republika e Kosovës, ditë me parë, nga përfaqësuesit e saj politikë ka nënshkruar marrëveshjen me të madhe dhe më inovative në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me programin “Kompakt”, kjo me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC – Millennium Challenge Corporation).

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, në dhjetor të vitit 2018 Kosova u pranua për të zhvilluar program “Kompakt” me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja e identifikuan mungesën e furnizimit me energji elektrike si pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe u pajtuan ta zhvillojnë programin “Kompakt”, që do ta adresojë këtë çështje mjaft të rëndësishme dhe strategjike për të kaluar një hap më tej drejt stabilitetit energjetik. Programi do ta ndihmojë Kosovën që ta stabilizojë furnizimin me energji elektrike dhe do ta përshpejtojë tranzicionin e saj drejt një të ardhmeje energjetike që është më e qëndrueshme, më e përballueshme dhe më gjithëpërfshirëse.

Mungesa e energjisë elektrike dhe kostoja e saj janë ndër pengesat më të mëdha me të cilat përballen bizneset në Kosovë. Prodhuesit kosovarë po ballafaqohen me shumë barriera në aktivitetin e tyre të përditshëm, duke filluar nga mungesa e energjisë elektrike, ashtu që në disa vende prodhuesi mbetet pa energji elektrike më shumë orë në ditë. Ndërkaq, furnizimi stabil me energji elektrike është një nga kushtet bazë për secilin investitor që dëshiron të investojë në Kosovë. Kompanitë serioze nuk investojnë në një vend ku nuk ka stabilitet energjetik, sepse kjo do t’u shkaktonte dëme të mëdha bizneseve të tyre, veçanërisht atyre prodhuese.

Mendoj se qeveria e vendit e ka nuhatur mirë nevojën për investim në këtë fushë, duke marrë për bazë edhe situatën aktuale në tregun global, ku që nga fillimi i pandemisë dhe agresionit rus ne Ukrainë çmimi i energjisë elektrike është dhjetëfishuar, vlen për t’u përshëndetur kjo nismë e veçantë, sidomos kur ndihma vjen nga shteti më mbështetës i Kosovës.

Në njoftimin publik nga Ministria e Ekonomisë thuhet se për ta mbështetur furnizimin me energji elektrike, Qeveria e Kosovës, me 21 janar 2022, ka dorëzuar në MCC koncept-dokumente të hartuara nga Ekipi Kombëtar për Zhvillimin e “Kompaktit” në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kjo në bashkëpunim me ekipin e MCC-së në Kosovë dhe SHBA.

Fillimi i negociatave me MCC-në

Me 6 deri 13 maj 2022 janë zhvilluar negociatat teknike mes qeverisë së Kosovës dhe MCC-së, të udhëhequra nga Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë.

Me 30 Qershor 2022, bordi i MCC-së i udhëhequr nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara, e ka aprovuar programin “Kompakt” me 202 milionë dollarë grant nga MCC-ja.

Nënshkrimi i marrëveshjes

Me 27 korrik 2022, me kërkesë të Kongresit Amerikan, në Capitol Hill është bërë nënshkrimi ceremonial, ku morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës, për të treguar mbështetjen e qeverisë së Kosovës për programin “Kompakt”.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, programi “Kompakt” do të jetë investimi më i madh në sektor të energjisë në Republikën e Kosovës në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, 202 prej të cilave janë grant dhe pjesa tjetër zotim i qeverisë së Republikës së Kosovës.

Programi do të përfshijë tri projekte:

Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 340 MWh);
Zhvillim i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë; dhe
Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. Kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Europë për kokë banori dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë.

Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit.

Sipas informatave të zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë, bateritë mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, me qëllim të përdorimit të saj kur është nevoja gjatë orëve me konsum të lartë. Bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, të erës dhe burime të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Republika e Kosovës do të jetë një ndër vendet e vetme që do të ketë një sistem të tillë në rajon, Italia dhe Sllovenia janë vendet më të afërta që e posedojnë këtë teknologji. Te gjitha shtetet e tjera të Ballkanit dhe të rajonit, duke përfshirë vende të BE-së, si Greqia, Kroacia e Bullgaria, nuk e posedojnë ketë lloj të teknologjisë. Pra, projekti do të ketë më shumë kapacitet për kokë banori se impiantet e ngjashme në Itali dhe Slloveni.

Projekti i dytë është zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë. Kjo nënkupton:

Zhvillimin e Fuqisë Punëtore Energjetike për të Ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do t’i zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë, duke e mbështetur kështu edhe investimin me MCC-në;
Fuqi Punëtore Gjithëpërfshirëse në Sektor të Energjisë, që do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve, siç janë mbështetja e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.
Projekti i tretë është ai i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim. Ky është financim nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim ose ACFD, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme dhe hapjes së mundësive për financim për agjendë të gjelbër. Këto projekte do të zhvillohen tutje në periudhën pas ratifikimit në parlament dhe “Kompakti” pritet të hyjë në fuqi në vitin 2024. Kompakti do ta kursejë sistemit elektro-energjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit.

Investimet e programit “Kompakt” do të jenë pronë e Kosovës dhe shënojnë njërin nga bashkëpunimet më të rëndësishme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, duke u bazuar në situatën energjetike në Kosovë, ministrja Artane Rizvanolli ka marrë vendim për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent (KTE), që përbëhet nga përfaqësues të të gjithë institucioneve relevante të energjisë.

Komiteti ka për qëllim hartimin e rekomandimeve për minimizimin e pasojave nga kriza energjetike. Komiteti Teknik Emergjent ka këtë përbërje: përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS) dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal (KESCO).

Komiteti Teknik ka si qëllim ta identifikojë ndikimin e mundshëm në situatën emergjente të furnizimit me energji, operimit dhe likuiditetit në tregun e energjisë, menaxhimin e situatës, si dhe rekomandimin e mënyrave të minimizimit të efekteve negative si në furnizim, ashtu edhe në treg gjatë situatës emergjente.

Sipas shumë analizave, përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it gjatë vitit 2021, pra vjedhjet e energjisë elektrike, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit ose, thënë ndryshe, dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike.

Ndërkaq, për vitin 2022 vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare ose 26 ditë pune të dy blloqeve të Termocentralit “Kosova B”.

Kosova po përballet me mungesë të energjisë elektrike edhe pse është vend i cili posedon thëngjill me sasi tejet të mëdha. Mirëpo, ka qenë keqmenaxhimi i KEK-ut me vite të tëra, pastaj shitja e distribucionit me një çmim qesharak deri të ndërhyrjet politike në Korporatën Energjetike të Kosovë, që e kanë shkaktuar këtë gjendje. Kosova po e vuan mungesën e dritave edhe 22 vjet pas çlirimit, ndërsa më e pakta që e kërkojnë qytetarët është stabiliteti energjetik i vendit. /shenja

You may also like