Kosova, parajsë bankare | Ekonomia Online

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

90.1 milionë euro neto, fitimi i bankave komerciale në Kosovë në periudhën janar-shtator 2021, që është shifër impozante dhe që e kanë zili dhe e lakmojnë të gjitha subjektet bankare anembanë botës dhe të rajonit, është gjithsesi rrjedhojë e kamatave të larta, çmimeve astronomike, ndër më të shtrenjtat në rruzull të shërbimeve bankare.

Nga janari deri në shtator të këtij viti, fitimi neto i bankave në Kosovë ka arritur në 90.1 milionë euro, duke e bërë 2021-n vitin më fitimprurës për sektorin bankar që kur kanë filluar veprimtarinë e tyre në këtë vend, gjegjësisht përgjatë dy dekadave të fundit.

Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), fitimet e pastra të bankave komerciale janë rritur për 32.9 milionë euro sivjet, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Pasi që këto institucione gjatë periudhës janar-shtator 2021 kanë raportuar 90.1 milionë euro fitime neto, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin raportuar fitime prej 57.2 milionë euro. Me rritje të jashtëzakonshme të fitimeve në periudhën janar-shtator 2021, është karakterizuar edhe sektori i institucioneve mikrofinanciare. Ky sektor sivjet ka arritur fitime të pastra prej 10.5 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte raportuar humbje prej 2.7 milionë euro.

Edhe kompanitë e sigurimeve kanë rritur fitimet e pastra sivjet. Gjatë periudhës janar-shtator 2021 kanë raportuar fitime të pastra prej 5.9 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin 1 milion euro fitime më pak.

Sipas raportit të fundit të BQK-së, mbi informatat mujore të sistemit financiar, të bërë publik nga shumë medie kosovare, ndër to edhe nga Buletini Ekonomik, kjo rritje e profitit i atribuohet në masë të madhe të hyrave nga interesat që patën bankat, përkatësisht rritjes së kredidhënies. Sepse, nga 238.1 milionë euro sa ishin të hyrat në total në këtë periudhë të bankave me seli në Kosovë, 166.5 milionë euro ishin të hyra nga interesat. Por, fitimi kaq impozant dhe që e kanë zili dhe e lakmojnë të gjitha subjektet bankare anembanë botës dhe të rajonit, është, gjithsesi, edhe rrjedhojë e çmimeve astronomike, ndër më të shtrenjtat në rruzull të shërbimeve bankare, që janë poashtu rrjedhojë e reduktimit deri në përbuzje të punonjësve dhe të stafit në këto banka dhe të mbylljes së shumë filialave të këtyre bankave në kryeqytet dhe në qendrat e tjera të vendit.

Pra, pa asnjë dilemë të vetme, Kosova, që nga paslufta e këtej është dëshmuar dhe po vazhdon të dëshmohet si një parajsë bankare për shkak të fitimeve enorme të bankave komerciale dhe të institucioneve mikrofinanciare dhe ngarendjes së këtyre bankave pas fitimeve me çdo kusht dhe pa pasur edhe pengesën më të vogël për të realizuar synimin zhvatës. Po duket që as tërheqje vërejtjeje nga kupola e sistemit bankar të Kosovës nuk iu bëhet ndonjëherë bankave kosovare që kanë gjetur parajsën këtu dhe vendin zyrtarisht tolerant për thuaja çdo veprim të tyre, qoftë në ngritjen e çmimeve të shërbimeve, qoftë në mbajtjen konstante të interesave të larta, më të lartat në rajon. Madje, nga toleranca pafundësisht e skajshme e BQK-së ndaj insistimit të bankave për nivel enorm të interesave, por edhe të shërbimeve, jo në pak raste kanë pasuar kërkesa të reja të këtyre bankave për të ngritur sidomos çmimet e shërbimeve dhe për të tkurrur maksimalisht numrin e punonjësve.

Për të qenë më konkretë, po e elaborojmë historikun e veprimtarisë bankare te ne dhe “turret” egërsisht të aplikuara ndër vite për të fituar sa më shumë në Kosovën e varfër dhe pa shumë zgjidhje për të pasur qytetari paratë e domosdoshme si në mbarë shtetet normale të botës.

Në Kosovë, në vitet e para të pasluftës, bankat komerciale (atëbotë akoma institucionet mikrofinanciare nuk ishin edhe aq të njohura te ne), që brenda një kohe të shkurtër u bënë 7-8 sosh, kryesisht të huaja, aplikuan kamatat enorme, të papara dhe të padëgjuara në vendet e Evropës, mbi 20-25 e kusur për qind. Po aq të shtrenjta këto banka kishin edhe çmimet e shërbimeve edhe të të gjitha produkteve bankare të nevojshme dhe të domosdoshme për një shtet. Edhe këto çmime i kishin më të shtrenjtat në botë. Natyrisht, këtë zhvatje të vullnetshme këto banka nuk do të kishin asnjë mundësi ta bënin të vetme, pra pa përkrahjen e ndonjë institucioni mbikëqyrës kosovar. Dhe kjo përkrahje në asnjë rast të vetëm dhe asnjëherë nuk mungoi nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila lehtësisht pranonte kërkesat e bankave zhvatëse dhe miratonte pa humbur kohë kërkesat e kamatarëve të huaj dhe vendor, gjithnjë duke qenë shumë e mbyllur me publikun dhe gjithnjë jotransparente për pranimin e kërkesave të bankave komerciale.

Arsyetimi i vetëm nga bankat dhe nga BQK-ja për kamatat, që ngjasonin me ato të fajdexhinjve, ose ishin fare të përafërta me to, ishte gjoja risku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, paçka se edhe në ato vite në Kosovë thuaja nuk ndodhi asnjë vjedhje e as thyerje e ndonjë institucioni bankar. Ndërkohë, po në atë periudhë anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej, kishte X raste të vjedhjeve të bankave.

Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë fare të vogla “në Kosovën me risk të madh të sigurisë”. Ato, sipas pohimeve të guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti, janë gjithsej 2.5 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare bankare (sa për ilustrim, në Shqipëri kreditë e këqija deri në tetor arrinin në 8,11 për qind). Shih për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova, edhe në ato rrethana (shumë pak vite pasluftës) ishte fare e sigurtë dhe ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale. Për këto shkaqe Kosova u bë dhe vazhdon të mbetet parajsë e bankarëve. Dhe me këtë parajsë bankat e instaluara këtu nuk u kënaqën dot, por ngarendën vrullshëm dhe egërsisht pas shansit të ofruar për fitime të reja më të shumta dhe gjithnjë të shpejta. Pa humbur kohë, shpesh dhe disa herë edhe brenda një viti ngritën çmimet e produkteve bankare, sidomos të shërbimeve, dhe megjithë presionin nga brenda dhe jashtë opinionit mbajtën nivelin enorm të interesave. Dhe kjo nuk u mjaftoi. Zunë të tkurrin filialet, mbyllën shumë prej tyre, për të krijuar radhë të pafundta para sporteleve të bankave komerciale. Për një shërbim më të voglin, tani kosovari i rëndomtë duhet pritur edhe me orë, për shkak të reduktimit të filialeve, sporteleve dhe punonjësve në këto banka. Dhe prapë nuk u ngopën me fitimet enorme.

Tash e më shumë se dy vjet disa nga bankat komerciale kanë zënë të reduktojnë drastikisht numrin e punonjësve në emër gjoja të digjitalizimit të shërbimeve, edhe pse ato fare mirë e dijnë që për mbi gjysmën e kosovarëve ato janë të pakapshme dhe të pazbatueshme. Dhe për të qenë edhe më i saktë dhe më konkret, për shkak të kamatave enorme që vazhdojnë të aplikohen – në gusht të 2021-s, norma efektive e interesit në kredi ishte 5.7%, për ekonomitë familjare ishte 6.0%, prej të cilave për ato konsumuese ishte 6.5%, ndërsa për kreditë hipotekare ishte 4.8%, kurse për korporatat jofinanciare ishte 6.5%.

Krahasuar me vitin e kaluar në gusht, kur norma në kredi ishte 6.1%, te kreditë e ekonomive familjare që ishte 6.3%, prej të cilave për ato konsumuese 6.5% dhe për ato hipotekare që ishte 5.4%, ky vit (2021) po vlerësohet me pikë pak “më të ulta” të normave efektive të interesit në kredi. Dhe për shkak të shërbimeve frikshëm të shtrenjta, bankat komerciale në vendin tonë, këto që janë (11 sosh), sivjet pritet të arkëtojnë mbi 100 milionë euro neto fitim, këtë shumë, nuk ka dyshim do ta lakmonte edhe banka më prestigjiioze dhe më kredibile në akcilin shtet të botës.

Kudo në botë po ta përmbyllte vitin afarist me gjysmën e këtij fitimi, edhe më pak fitim, do të bëhej temë mediale-shoqërore. Dhe me gjithë këto fakte, BQK-ja, si rregullatore e sistemit bankar të Kosovës dhe mbikëqyrse ligjore e funksionimit të bankave kosovare, cilado qofshin ato, ka heshtur dhe për ironi të fatit po vazhdon të heshtë, që përkthehet -po vazhdon të përkrahë ngarendjen e bankave të uritura për të shtuar pa sosur fitimet neto dhe dërgimin e këtij fitimi në shtetet prej nga e kanë origjinën, apo selinë shumica e bankave të Kosovës.

BQK-ja pra, me gjuhën dhe leksikun asnjëherë të përcaktuar, vazhdon të heshtë për këto çmime astronomike të produkteve bankare që aplikohen sot e kësaj dite në vendin tonë. BQK-ja është e mbyllur kaherë për opinionin, nuk sqaron për asnjë shqetësim të qytetarëve për kuotat super të larta (më të lartat në rajon dhe në botë të interesave dhe shërbimeve bankare, por as për interesimet e medieve për këto zhvillime te ne. Dhe kjo heshtje që thuaja është bërë moto e punës së zyrtarëve përgjegjës në BQK, iu shkon për shtati bankave që nuk ka muaj që nuk shtrojnë kërkesa të reja për ngritje të kostos së shërbimeve bankare. Gjendja pothuajse nuk ka ndryshuar thuajse fare edhe tani kur kanë kaluar mbi 21 vjet nga paslufta.

Me “Po”-në e BQK-së erdhën, morën licencat dhe u instaluan në Kosovë edhe të gjitha institucionet mikrofinanciare (që në fakt po ashtu në Kosovë janë banka dhe kryejnë funksione bankash), dhe institucione financiare jobankare të ndryshme – rreth 30 sosh, prej të cilave disa diskutabile, madje dy sosh dolën të jenë edhe të dyshimta, të cilat u mbyllën nga BQK-ja që ua kishte dhënë lejen me gjasë pa asnjë verifikim paraprak. Por, duhet thënë se nuk janë vetëm institucionet mikrofinanciare për të cilat është thënë se kanë aplikuar kamata deri në qiell për konsumatorët, që kanë punuar praktikisht si fajdexhinj tipikë.

Ka edhe institucione të tjera mikrofinanciare me kamatë mbi 20-25 e 30 për qind. Dhe blasfeminë bankare e ka të ditur fare qartë BQK-ja dhe vazhdon ta tolerojë atë. Pse, doemos duhet dikush të japë përgjigje. Kosova pafundësisht nuk mund të mbetet “El Dorado” e bankarëve. Duhet të vijë një ditë që edhe në vendin tonë të varfër të vlejnë dhe të aplikohen normat dhe standardet bankare sikundër në të gjitha shtetet normale. Këtë synim duhet ta ketë edhe mision BQK-ja. (Mehmet Gjata/ Buletini Ekonomik)

You may also like