Kosova nuk mund t’i ikën formimit të Asociacionit, duhet të marrë iniciativë dhe të hartojë statutin “duke eliminuar elementet që janë në kundërshtim me Kushtetutën”

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë përsipër me ratifikimin e asaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës, thonë njohës të çështjeve politike.

Profesori Milazim Krasniqi, njohës i çështjeve politike, thotë se duket e pabesueshme që Kosova të mos e formojë fare Asociacionin, sepse në atë rast do të futej në konflikt me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në dhe do t’iu jepte njëfarë “legjitimiteti” serbëve që të ndërmarrin veprime të njëanshme në veri.

“Ajo që duhet të bëjë Qeveria është të ndërmarrë një iniciativë vetë dhe të hartojë një statut të Asociacionit, të cilin duhet t’ia servojë palës tjetër, ndërmjetësve, dhe në këtë mënyrë të zbatojë edhe termat që janë gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, pra për të eliminuar elementet që janë në kundërshtim me Kushtetutën”, thotë Krasniqi, për Ekonomia Online.

Krasniqi e sheh naive që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sikurse dhe presidentja Vjosa Osmani, kanë përdorur një retorikë euforike kundër “Zajednicës”, sikur e ka quajtur një kohë të gjatë partia në pushtet.

“Krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë përsipër me ratifikimin e asaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës. Pra ky është një obligim ndërkombëtar, për të cilin ndërkombëtarët insistojnë më të drejtë sepse serioziteti shihet edhe në faktin se si i realizon obligimet që ka”.

“Në këtë kuptim Qeveria Kurti dhe zonja Osmani kanë propaganduar me terma euforikë kundër bashkësisë së komunave. Është papërgjegjësi, dhe do të thosha naivitet, ajo retorikë, sepse Kosova këtë obligim duhet ta përmbushë”.

“Që të mos e formojë fare, kjo duket e pabesueshme sepse në atë rast Kosova do të futej në konflikt me Shtetet e Bashkuara, me Bashkimin Evropian, do të mund të izolohej. Të gjitha këto pastaj do ta inkurajonin edhe komunitetin serb që të shfaqë në mënyrë më legjitime pakënaqësinë e cila mund të shkojë edhe deri tek ndonjë formë e shpalljes së Veriut si zonë neutrale të përkohshme, e kështu me radhë. Pra mund të përkeqësohen gjërat edhe më shumë”, shprehet Krasniqi.

Ndërsa, Gazmir Raci, këshilltar i ish-kryenegociatores së Kosovës Edita Tahiri, ka thënë për Ekonomia Online se Kosova duhet të ketë qëndrimin e sajë të qartë lidhur me dialogun dhe formimin e Asociacionit. Sipas tij, zgjidhja e vetme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013-ës, ku saktësohet se statuti i Asociacionit do të verifikohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Unë nuk besoj që palët kanë insistime, propozime ose servime të çështjeve sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Asociacionit. Edhe BE-ja edhe SHBA-ja në 2013 janë pajtuar që çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët duke përfshirë edhe Serbinë. Andaj zgjidhja e vetme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është të bëhet sipas marrëveshjes së 2013-ës, sepse parimet për Asociacionin të vitit 2015 nuk e kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Delegacioni i Kosovës nuk ka çka të humbasë kohë mbi atë dokument, sepse është vlerësuar si jo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Kosova duhet të ketë qëndrimin e saj të qartë. Tashmë ajo ka deklaruar se vazhdon të jetë pjesë e dialogut, pjesë e tryezës. Është e rëndësishme se në tryezë është rikthyer SHBA-ja së bashku me BE-në, andaj pres se gjatë këtij viti palët të jenë serioze në atë adresimin e çështjeve në mënyrë që të shkohet drejt finales, drejt marrëveshjes e cila sipas edhe vetë ish-kancelares Merkel, ajo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e pranueshme nga të dy palët”, thekson Raci.

You may also like