Kosova me mbi 25 përqind më shumë turistë sesa vitin e kaluar

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Këtë vit Kosova ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve nga e gjithë bota.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar deri më tash, ka pasur rritje prej mbi 25 përqind të vizitorëve, thotë kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti. Ai apelon institucionet shtetërore për zhvillim të infrastrukturës në mënyrë që vendi të tërheq sa më shumë turistë.

Hoti për KP thotë se këtë vit, aktivitetet kulturore si “Manifesta”, Sunny Hill” dhe “Dokufest” kanë ndikuar në rritjen e numrit të turistëve në vend.

“Kjo është pozitive, unë mund të them që kemi një rritje mbi 25 përqind në krahasim me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, kështu që na gëzon fakti që numrit i turistëve dita ditës po shtohet dhe ka kërkesa nga agjencione të ndryshme, nga individë të ndryshëm, nga grupe të ndryshme që ta vizitojnë Kosovën, duke pasur parasysh edhe aktivitetet të cilat janë duke ndodhur në Kosovë dhe këto kanë rritur frekuentimin dhe numrin e turistëve”, thotë ai.

Megjithkëtë, kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës thotë se mund të bëhet edhe më shumë në mënyrë që përmes atraksioneve të ndryshme Kosova të tërheq edhe më shumë vizitorë.

“Jemi duke punuar për çdo ditë për t’i ngritur këto kapacitete, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të punojnë shumë më tepër sa i përket pjesëve të infrastrukturës dhe bizneset pra komunitetet të punojnë në zhvillimin e produkteve dhe të shërbimeve të cilat janë me vlerë jashtëzakonisht të madhe. Pra ne bashkërisht qoftë institucionet qoftë akterët tjerë duhet të punojmë bashkërisht me qëllim që të ofrojmë kushte sa më të përshtatshme për një zhvillimi sa më të madh të turizmit dhe tërheqjes sa më të madhe të turistëve për ta vizituar Kosovën”, shton ai.

Sa i përket situatës me pandeminë COVID-19 dhe rritjes së rasteve, Hoti thotë se nuk ka pasur ndonjë problem për ardhjen e vizitorëve nga jashtë.

Hoti thekson se në kuadër të Unionit të Turizmit në Kosovë janë duke punuar në disa projekte, përmes të cilave interesuarit do të mund të informohen për aktivitetet kulturore që ndodhin në vend, por edhe për zonat turistike.

Ai thotë se përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare, synojnë të shkollojnë edhe të rinjtë në fushën e turizmit.

“Në kuadër të Unionit të Turizmit të Kosovës ne jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë, ju e dini që brenda këtij viti kemi realizuar pesë projekte promovuese për turizmin të Kosovës. Tash së fundi, kemi bërë përditësimin e aplikacionit ‘Think Kosova’, i cili është një aplikacion që shkarkohet në dy platforma Android dhe IOS, është pa pagesë për qytetarët por edhe për vizitorët por së shpejti besojmë që do të shkon nëpërmes Ministrisë së Punëve të Jashtme nëpër të gjitha ambasadat dhe zyrat diplomatike ku Kosova ka në mbarë botën me qëllim që të jetë një ndër adresat e promovimit të turizmit të Kosovës”, tregon ai.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) para disa ditësh ka publikuar Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për muajin maj 2022, sipas të cilave del se 32 mijë e 444 persona kanë vizituar hotelet gjatë kësaj periudhe.

Sipas ASK-së, prej tyre 37.12 përqind ishin vendorë dhe 62.88 përqind ishin të huaj.

 

 

You may also like