Kosova, Maroku dhe Tajlanda kanë sistemin VAR, Skocia ende jo – BBC vjen me një artikull interesant

by admin
Spread the love

Çfarë kanë të përbashkët Kosova, Maroku dhe Tajlanda? Secila nga ligat e tyre më të larta të futbollit kanë të instaluar sistemin VAR, ndërsa Skocia jo.

Këtë të premte, FA Skoceze dhe SPFL do të mblidhen në një video-konferencë me klubet skoceze të Ligës Premier për të diskutuar futjen e teknologjisë për të gjitha ndeshjet e nivelit të lartë dhe raundet e fundit të garave të kupës vendase.

Por, pse është dashur kaq kohë për të arritur këtu? Si do të funksiononte? Kush do të paguante për të? Dhe a do të jenë klubet në favor?

Mediumi i njohur BBC ka bërë një artikull në lidhje me mungesën e VAR-it në Skoci, duke përmendur edhe Kosovën, e cila ka të instaluar tashmë teknologjinë e ndihmës së gjyqtarëve.

Pse nuk është VAR-i në Skoci?

Teksa VAR-i është futur në ligat dhe garat kryesore në të gjithë botën, ai është gjithashtu në përdorim në divizione më pak të njohura si ato të lartpërmendurat kosovare, marokene dhe tajlandeze.

Ju mund të shtoni Ukrainën, Sllovakinë dhe Izraelin në atë listë – tre divizione që janë nën Skocinë në renditjen e koeficientit të UEFA-s, kështu që pse Liga Premier Skoceze nuk e ka ende teknologjinë?

Në mars të vitit të kaluar, shefi ekzekutiv i SPFL, Neil Doncaster ka thënë për The Price of Football se ai kishte frikë se VAR-i do të dëmtonte markën e ligës dhe shprehu shqetësime në lidhje me implikimet financiare.

“Marka jonë ka të bëjë me pasionin, dramën dhe ekzaltimin brenda stadiumit. Nëse përfundoni në një situatë ku njerëzit nuk mendojnë se mund të festojnë një gol siç duhet në rast se ai është anuluar, ju dëmtoni atë që ka të bëjë me futbollin skocez”.

“Nëse nuk mund të punohet me të gjithë milionat në pesë ligat e mëdha, atëherë duhet të jeni shumë të kujdesshëm para se të ketë zbatim në Skoci”, ka thënë Doncaster.

Si do të zbatohet? Kosova merret shembull

Një gjë me siguri është se do të kërkohen më shumë kamera, pasi ndeshjet jo-televizive të Ligës Premier Skoceze përdorin aktualisht vetëm katër kamera.

Në Superligën e Kosovës – një ligë e cila përmban 10 ekipe dhe pesë ndeshje në javë – janë instaluar gjashtë kamera në çdo stadium, ndërsa një mini-bus gjithashtu udhëton në çdo ndeshje.

Pra, jo vetëm që terreni skocez do të kërkojë kamera shtesë, por qendrat e VAR-it dhe monitorët e fushës do të duhet të rregullohen.

Gjyqtarët e Ligës Premier gjithashtu do të duhet të kalojnë stërvitje. Siç duket, vetëm tre gjyqtarë skocezë mund të mburren me një certifikatë përfundimi të shkëlqyer, kështu që kolegët e tyre mund të presin një kurs rigoroz nëse futet teknologjia.

Visar Kastrati, gjyqtari i FIFA-s dhe drejtuesi i arsimimit në lidhje me VAR-in në Kosovë ka folur për BBC se si gjyqtarët kosovarë kanë bërë gjashtë muaj stërvitje “të vazhdueshme” dhe të gjitha shpenzimet për zbatimin u mbuluan nga federata.

VAR-i në Kosovë

“Kosova ka qenë shumë e shpejtë në zbatimin e VAR-it. Por, ka qenë një orar shumë i ngushtë dhe punë shumë intensive”.

“Edhe pse plani i FIFA-s kërkon 18 deri në 24 muaj për të përfunduar hapat, ne arritëm të përfundonim gjithçka në kohë rekord me shumë përpjekje dhe kokëfortësi”, ka thënë Visar Kastrati për BBC.

E gjithë kjo përgatitje do të thotë që pritet që nëse VAR hyn në lojën skoceze, ai nuk do të shfaqet në kampionatin kryesor deri në sezonin 2023-24. /Telegrafi/

Lajme interesante

You may also like