Kosova dhe Shqipëria finalizojnë kornizën për lansimin e Bursës së Energjisë Elektrike

by admin
Spread the love

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) dhe Enti Rregullator i Energjisë i Shqipërisë (ERE) mbajtën një mbledhje të përbashkët në Prishtinë për miratimin e rregullave dhe procedurave të tregtimit për ALPEX. Zhvillimi i bursës së energjisë elektrike ALPEX-it krijon treg të përbashkët të energjisë elektrike në Kosovë dhe Shqipëri, ku pjesëmarrësit e sektorit mund të blejnë dhe shesin energji me lehtësi. Miratimi i përbashkët i dy organeve rregullative është hapi përfundimtar në kornizën rregullative që nevojitet për të mundësuar operimin e bursës së energjisë elektrike në mes të dy vendeve.

“Kjo platformë tregtimi është një hap i madh përpara në krijimin e tregut rajonal të energjisë së Ballkanit Perëndimor. Nga efikasiteti i saj do të përfitojnë përfundimisht konsumatorët e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe i tërë rajoni. Gjatë kohës me sfida të shtuara të energjisë, jemi të kënaqur me progresin që ALPEX-i ka bërë dhe falënderojmë homologët tanë nga Shqipëria për kontributin dhe mbështetjen e tyre”, tha Ymer Fejzullahu, kryesuesi i bordit të drejtorëve të ZRRE-së.

Kjo mbledhje e përbashkët e dy rregullatorëve u dha mundësinë rregullatorëve, pjesëmarrësve të tregut të energjisë dhe përfaqësuesve qeveritarë që të diskutojnë përfitimet që do t’i sjellin procedurat e ALPEX-it për bursën e energjisë elektrike sa i përket kërkesave rregullative dhe rolet që ushtrohen nga secili rregullator në lehtësimin e ALPEX-it dhe qëndrueshmërinë e tij.

Lansimi i ALPEX-it po ashtu do të kontribuojë në përpjekjet e Bashkimit Evropian (BE) për krijimin e tregut unik paneuropian “një ditë para” të energjisë elektrike për të plotësuar kërkesën dhe dorëzimin e furnizimit të energjisë në tregje në mënyrë efektike. Përmes zhvillimit të tregut të integruar “një ditë para” në gjithë BE-në, vendet mund të blejnë apo shesin energji elektrike me “një klikim” pa marrë parasysh vendndodhjen gjeografike.

Duke u bashkuar me BE-në, vendet jo-anëtare të BE-së po ashtu mund t’i bashkohen tregut të energjisë elektrike të BE-së dhe përfitojnë nga platforma tregtuese.

Për më shumë informata për ALPEX-in dhe ZRrE-në, vizitoni:  www.ero-ks.org.

You may also like